VOTA PËR KANDIDATËT E OPOZITËS SI PARAKUSHT PËR DEMOKRATIZIM! Mapo, 27. 05. 2015

Fushata për zgjedhjet vendore filloi zyrtarisht. Gjë positive në vetvete sepse të paktën kandidatët, stafet e tyre dhe media nuk do shfaqen apo nuk do shfaqin në hapsira ekstraligjore. Të dalësh nga vendndodhje jashtëligjore është një gjë e mirë pavarësisht se, legjitimimin e sjell “rrjedha e kohës” dhe jo qëndrime të vetdijshme dhe të moralshme, sikurse do të na kishte pëlqyer të ndodhte. Dhe meqë jemi te qëndrimet e vetdijëshme e të moralshme, apo më sakt te mungesa e tyre, do parapëlqeja të ndaja edhe një tjetër. Qëndrimin e kryeministrit Rama mbi “hapsirat e reja të lirisë” që do të gëzojnë njësitë e pushtetit vendor pas 21 qershorit. Qëndrim që po përshfaqet gjerësisht dhe pamoralisht këto ditë. E kam fjalën për premtimet e kandidatëve të z. Rama për të pastrehët apo për familjet me ndihmë ekonomike. E kam fjalën për akuzat e tij për kryebashkiakët e sotëm democrat, në lidhje me ndërtimet paleje apo lejedhënien ndërtimore. Për këto dhe të tjera, që duhet thënë se, vërtet janë funksione të veta të njësive të qeverisjes vendore. Mirëpo, që këto qëndrime të ishin edhe të moralshme e jo vetëm të vërteta, Kryeministri duhet të na thoshte edhe se të gjitha këto funksione vendore janë “kombëtarizuar” nga qeveria që ai drejton. Përgjatë dy viteve të qeverisjes socialiste (me integrim apo jo), Këshilli i Ministrave ka miratuar dispozita ligjore e nënligjore që i centralizojnë këto funksione qeverisëse.
Pamoraliteti i dyfishtë i kësaj sjelljeje kryeministrore përforcohet edhe nga “shkaku i arsyetuar” i saj. Sipas Kryeministrit, kjo qasje vinte në përgjigje të moralitetit! Teatër apsurd! Me një fjalë, kryebashkiakët dhe kryekomunarët e pamoralshëm kishin abuzuar me funksionet qeverisëse dhe i moralshmi Kryeministër po ja kalonte vetes dhe disa të moralshmëve të tjerë në qeverinë e tij! Ndërkohë, duhet thënë se nuk gjëndet “arsyetim” kryeministror pse ca njerëz që jetojnë në Tiranë janë apriori më të moralshëm se ca të tjerë që jetojnë në periferinë e Atdheut?!! Ndoshta sepse kanë qënë pranë tij dhe morali i lartë kryeministror ka injektuar virtyte të larta edhe te njerëzit që i qëndrojnë pranë? Edhe këtë mund ta pranojmë për të vërtetë përsa këta njerëz thonë të njëjtat gjëra që thotë Kryeministri. Sepse ky ka qënë edhe terreni ku kanë “konkuruar” kandidatët e majtë. Kandidatët e thjeshtë socialist të ishin besnik ndaj z. Rama dhe kandidatët socialit por të integruar ndaj z. Meta. Ka mjaftuar ky moral që të përzgjidheshin nga partitë e tyre. Mirëpo a do zgjidhen edhe nga qytetarët? Kjo është pyetja! A do pranojnë qytetarët të kenë mëkëmbësit e mbretërve si kryetar të bashkive të tyre? Unë shpresoj që jo. Unë shpresoj që qytetarët të mos e pranojnë këtë të keqe centraliste që po ju ofrohet si zgjedhja më e mirë. Unë shpresoj që qytetarët të votojnë kandidatët e opozitës si parakusht për demokracinë lokale.
Demokracia lokale dhe decentralizimi i funksioneve qeverisëse janë bazike për dsemokracinë. Ato së bashku me respektimin e të drejtave dhe liritë e individit, të shkelura gjerësisht e thellësisht nga qeverisja dy vjecare socialiste, përbëjnë bazamentin e lirive politike të shtetasve. Dhe janë liritë politike që duke ndërvepruar me liritë ekonomike që sigurojnë prosperitet, dinjitet dhe mirëqënie. Zgjedhjet vendore të qershorit janë një rast i shkëlqyer që cdo votues shqiptar ti japi një mesazh të qartë elitës qeverisëse se liritë e tyre politike dhe ekonomike nuk janë të shantazhueshme. Qeveria dhe z. Rama nuk mund të kushtëzojnë investime publike me votimin e kukullave të tyre, ‘që do kenë postet por jo detyrat e përgjegjësitë’. Por zgjedhjet e qershorit janë edhe një rast po kaq i shkëlqyer që cdo votues shqiptar ti japi një mesazh edhe elitës opozitare. E cila duhet ti largohet premtimeve idiote për kilometra rrugë që do shtrohen, për hektarë parqe që do zhvillohen, për mijëra pemë që do mbillen dhe të udhëheqin nevojën dhe dëshirën popullore për liri politike dhe ekonomike. Ky është themeli! Që po u ndërtua gjithë të tjerat i sjell vet. Janë liritë politike dhe ekonomike që proseguojnë prosperitet. Janë ato që sjellin rrugë më të mira, parqe, kënde lojrash për fëmijë, lulishte për brezin e tretë, transport publik më cilësor, trafik më të lehtësuar, banesa më të shëndetshme, cerdhe, kopërshte, shkolla më bashkëkohore.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017