‘HYRJA E PARKUT’, VALA E TRETË E SPEKULLIMIT NË TREGUN E BANESAVE. Mapo, 27. 08. 2015

Shtatori po afron dhe ‘jurisë ndërkombëtare’ i duhet të marri një vendim teknik për fituesin e konkursit ndërkombëtar për projektin e ‘Hyrjes së Parkut’. Konkursi u zhvillua dhe, cuditërisht, juria morri kohë shtesë për të përcaktuar fituesin e garës. Nuk mund ta themi se kujt do i duhet më shumë kohë, jurisë për të vlerësur projektet apo projektuesve për ti krijuar ato, sepse akoma nuk dimë datën kur kjo garë u shpall dhe datën kur konkursi do të kurorëzohet me fitues. Të vetmet gjëra që dimë janë ato që pamë, ‘live on Tv’. Gjithcka nisi me një skec ‘de javu’ kryeministror. Ndoqëm, gjithashtu, prezantimin e disa hartave me vizatime të bukura që me shpejtësi pushtuan edhe facebook-un. Më tej, njohëm të cudnuar verdiktin e jurisë për ta shtyrë shpalljen e fituesit për dy muaj të tjerë. Ndërsa ato që nuk dimë, janë ato që nuk pamë! Ato që Tv-të apo Fb-u nuk na e thonë dot. Kur, dhe, kush e morri vendimin që ‘Parkut të Liqenit’ i duhej një hyrje e volumtë betoni?! Si, dhe, kur ja prezantuan këtë kërkesë garuesve potencial?! Apo, kush, dhe, si i përzgjodhi antarët e jurisë?! Sidoqoftë, megjithëse në aspektin teknik juria nuk u shpreh për projektin fitues, ajo e mori një vendim. Vendim që shumëkush nga publiku, me të drejtë, e konsideroi politik dhe kryeministror. I ndërmarrë nën presionin shumë të madh public dhe jo me vullnet të lirë, nga Kryeministri. I cili, megjithëse shquhet për vendimarrje të vullnetit personal dhe shumë larg vullnetit përgjithësues të shoqërisë, vështirë të rrezikoj duke këmbëngulur kokëfortësisht edhe në shtator, kur juria ta konsumoj vendimin e saj menaxherial!
Personalisht jam i interesuar ta vëzhgoj këtë zhvillim në aspektin e tregut të pasurive të patundshme dhe vecanërisht banesës. Jo vetëm sepse në aspektin mjedisor, do trajtohet gjerësisht nga individë apo grupe që e kundështuan që në fillesë këtë “shaka të shëmtuar” . As, sepse mendoj se cështja e tranparencës me publikun nuk është e rëndësishme. Aq më pak, sepse nuk kam respekt për autonominë e sakatuar lokale. Porse mendoj që, e parë nga këndvështrimi i tregut të banesave do ishte më përfituese për shqiptarët e pengmarrë, prej dy dekadash, në një kaskadë spekullimesh me cilësinë dhe cmimin e banesave. Një kaskadë më tre valë në kurriz të blerësve e në përfitim të “industrialistëve” të ndërtimit të banesave. Në fillim të viteve ’90-të stoku i banesave të trashëguara nga sistemi centralist ishte në gjëndje të mjerueshme. Megjithëse regjimi propogandonte ‘qasjet e tij sociale dhe në shërbim të familjeve’, ai kishte menduar për të ndërtuar bunker dhe jo për banesa. Ndërkohë, familjet shqiptare shtrëngoheshin të ndanin sipërfaqet e banimit me familje të tjera të panjohura, në apartamente të përbashkëta. Kjo ishte një nga shkaqet e krijimit dhe rritjes së kërkesës për banesa të reja, në fillim të viteve ’90-të e në vazhdim. Kërkesë, e cila u shfaq në formën e një kurbe të fortë në ngritje dekadën e parë (95- 05), dhe, të një kurbe po aq e fortë në rënien që vazhdon prej një decade tjetër (05-15). Ndërsa kurba në rritje i shijoi shumë, e dyta ishte e papranueshme për bisnesin tashmë të konsoliduar të ndërtimit që e futi tregun në një kaskadë spekulimesh për të ruajtur normat e larta të fitimit.
Spekullimi i parë ishte ‘shitja qënë në gropë’, ku blerësi blente premtimin për një banesë me një cilësi të caktuar, sepse banesa nuk ishte ndërtuar akoma. Dhe pas dy apo tre vitesh gjendej në udhëkryqin, nëse do ta pranonte atë volum ndërtimor shumë larg cilësisë së premtuar e paguar, apo, ta conte pakënaqësinë në gjykatë ku humbja ishte e sigurtë. Vecanërisht, kur kishte blerë të njëjtin apartament që i ishte shitur edhe dikujt tjetër më parë, apo, pas tij. Spekulimi i dytë ishte ‘shitja me klering’, ku ndërmarrjeve apo individëve që ofronin shërbime, punime apo materiale ndërtimi u ofroheshin në këmbim sipërfaqe të ndërtuara apo në ndërtim. Me uljen e kërkesës së familjeve për apartamente, bisnesi i ndërtimit u gjet përball dy vështirësish. Mungesa e likuiditetit dhe rrisku i rritur me mosshitjet, të cilat vendosi ti ndajë me furnizuesit e vet që gjendeshin në nevojë për punë dhe pranonit të shpërbleheshin në natyrë. Këto ishin dy valët e para të spekulimeve të ndërtuesve për të mos ju dorëzuar mekanizmave të tregurt të lirë sipas raportit kërkesë ofertë. Për të ardhur te projekti i ‘Hyrjes së Parkut’, dhe të ngjashmëve të tij që po konstruktojnë valën e tretë të spekulimit. Atë të ‘shitjes për pamjen më të mirë’, sipas të cilës “industrialistët” ofrojnë apartamente e dyqane në objekte të ndërtuara “kallkan” me vijat bregdetare, me parqet, me pyjet natyrore, me bregliqenet apo me breglumenjtë. Mirëpo, nëse në dy valët e para mjaftoi padituria e shoqërisë, në këtë valën e tretë nevojitet edhe një dorë e pushtetshme që shtyn kufinjtë “e mbrojtur” me asistencën elitare të konkurseve ndërkombëtare!
 

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017