TRANSFERTA E TE DREJTAVE TE PRONESISE, NJE PERVOJE AMERIKANE PER SHQIPERINE. Mapo, 02.11.2012


Kjo ngjarje ka ndodhur ekzaktësisht kështu, duke përjashtuar ndonjë humbje, si pasojë e kohës tre apo katër vjet më parë. Sidoqoftë, ngjarje të tilla apo të ngjashme, jam i sigurt, ka përjetuar secili nga ne, përtej aftësisë të secilit për t’i dhënë një kuptim të sintetizuar fjalëve, pauzave, frymëmarrjeve, fjalive, mimikave apo fotokopjeve pa ngjyra të “pjesëve të planit”. Fatkeqësisht, kanë qenë këto episode që kanë formëzuar realitetin tonë urban. Kështu nisnin/lindnin projektet tona të zhvillimit. Nuk mund të dëshmoj, por jam i sigurt se 12-katëshi u ndërtua, djali i plakut përveçse në Vlorë ka edhe një apartament në Tiranë, vajza e plakës u martuar dhe së bashku me të shoqin jetojnë në pallatin e ri, mesoburri bleu mercedes, por jo këpucë e çorape, 70 familje të ardhura nga çdo cep i Shqipërisë jetojnë në apartamentet e reja dhe të papunë ecejakin, me vetura apo në këmbë nëpër Tiranë.
Sigurisht, synimi im nuk është të trishtoj disa, apo të gajas disa të tjerë me këtë ndodhi, jo, as të përkufizoj dhe përcaktoj fajtor, ruana Zot. Qëllimi im është i thjeshtë, ai është të pozojë një mënyrë tjetër të bërjes së qytetit. Në këtë kuptim, shpresoj që ky shkrim të lexohet nga sa më shumë njerëz, jo sepse do them gjëra shumë të mençura, por se do them gjëra që na duhen të gjithëve. Sepse qyteti ndërtohet nga të gjithë njerëzit dhe për të gjithë njerëzit. Për mënyrën sesi ai është zhvilluar, jemi të gjithë bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës, sikurse mund të jemi edhe bashkëpërfitues në një skenar tjetër nga ky që, më lart, tregova.

Qyteti, në vetvete, nuk është një fjetore e madhe. Që ai të funksionojë si i tillë duhet të përfshijë përveç banesave edhe zonat qendrore, terren për spitale, zonat e gjelbra, terrenet sportive, zonat universitare apo institucionet shkencore, zona të shërbimit të varrimit publik, zona industriale, ekonomike apo tregtare grosiste, zona të transportit të jashtëm, zona të parkut zoologjik dhe botanik, zona të pushimit apo të rekreacionit. Nuk duhet harruar rrjeti i sistemit rrugor që i lidh këto elemente. Qyteti është një organizëm, ai përbëhet nga njësi strukturore të tij. Çdo lagje banimi, ka nevojë për shkollë të mesme, park të lagjes, terrene sportive, shërbime shëndetësore dhe administrative. Çdo kompleks banimi ka nevojë për shkollë tetëvjeçare, shesh lojërash për fëmijë, sipërfaqe për terrene sportive e objekte shoqërore. Çdo bllok banimi ka nevojë për kopsht, çerdhe apo njësi të shërbimit. Çdo grup banimi ka nevojë për sheshe lojërash për fëmijë nga 0 deri në 6 vjeç dhe sipërfaqe të lira. Të paktën njohuritë njerëzore të mbledhura deri tani, thonë kështu. Thonë se, banorët e një qyteti kanë nevojë për të banuar po aq sa për të punuar, për të pushuar, për të ushtruar aktivitete sportive, për të ushtruar aktivitete shoqërore e politike, për t’u arsimuar e për të ushtruar aktivitete shkencore, biles, po aq sa për një banesë të fundme. Dhe të gjitha këto aktivitete kanë nevojë për territor. Territor që duhet përftuar nga kontributi ynë, nga kontributi i të gjithëve. Të gjithë duhet të kontribuojmë (mbulojmë kostot me burime financiare, natyrore-territoriale apo njerëzore) në procesin e transformimit të qytetit. Sepse të gjithë përfitojmë prej tij dhe konsumojmë aktivitete në të. Por njohuritë na tregojnë edhe një gjë tjetër. Na tregojnë se jo vetëm këto aktivitete/ territore duhet të ekzistojnë, porse ato duhet të jenë të shpërndara në mënyrë të njëtrajtshme në qytet, sepse vetëm kështu mund të jenë lehtësisht të arritshme e me kosto të ulët nga të gjithë. Në ndjekje strikte të dijes së grumbulluar për nevojat njerëzore ndaj qytetit, çka do ishte shkencërisht e drejtë, gjendemi në kundërshti e konflikt të hapur me nevojën e pronarëve të trojeve për të përfituar nga prona e tyre, çka është kushtetutshmërisht e drejtë.
Në pamje të parë duket sikur jemi në paradoks, duket sikur jemi në situatë pa zgjidhje. Por, në fakt, sapo na ka lindur një nevojë e re, e cila kërkon zgjidhje. Dhe zgjidhja është e thjeshtë, ndarja e dy të drejtave nga njëra-tjetra, ndarja e procesit të zhvillimit urban, i cili duhet të jetë shkencor, nga zhvillimi i të drejtave të pronësisë, i cili duhet të jetë ligjor. Në përgjigje të kësaj, ishin avokatët e pronave të paluajtshme, në Shtetet e Bashkuara, që sollën një instrument të veçantë të shkëmbimit ekonomik si zgjidhje për këtë kontradiktë të madhe midis zhvillimit të qëndrueshëm (social, mjedisor dhe ekonomik) dhe barazisë legjitime të pronarëve. Ky instrument u quajt Transferta e të Drejtës për Zhvillim dhe nëpërmjet tij mund të realizohen shumë objektiva. Mjafton kushti themelor, sipas të cilit individët që posedojnë prona të paluajtshme të dëshirojnë t’i shesin këto të drejta dhe individë të tjerë që duan t’i blejnë ato dhe mbi këtë bazë të krijohet mundësia tregtare e shit-blerjes së tyre. Në këtë kuptim, përderisa pronësia e një prone mund të ndryshojë atëherë edhe të drejtat e zhvillimit të kësaj prone mund të ndryshojnë pronësi. Pra, mund të shiten e blihen, mund të shkëmbehen, biles të rialokohen dhe transferohen. Kjo është zgjidhja, shoqërimi i planeve urbane që mbështeten në njohuri shkencore dhe sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm, nga programe të transfertës së të drejtës për zhvillim që përcaktojnë mënyrën e transferimit të të drejtave të zhvillimit të një prone nga territoret të planifikuara për zhvillime të rrjeteve dhe hapësirave të hapura (me përfitim të ulët) drejt territoreve të përcaktuara për ndërtesa (me përfitim të lartë).
Comments
Post a Comment