MORATORIUMI I TIRANËS SI INSTRUMENT I INTERESAVE SPECIALE! Mapo, 17. 06. 2015

Fushatës së zgjedhjeve vendore i erdhi fundi. Kandidatët shpallën një “himalajë” premtimesh përgjatë saj. Premtime që, jo vetëm nga ana sasiore por edhe nga ana cilësore, të kujtonin një film komik italian të viteve të fundit. Shpresoj shumë ta keni parë këtë film dhe nëse jo, ju’a rekomandoj me forcë. Ngjarja në film zhvillohet në një qytezë të Italisë së Jugut, dhe shtjellon rrugëtimin e skafistit Cet Gjithkushi drejt kolltukut të ‘qytetarit të parë’ të bashkisë së tij. Skafisti Cet, që interpretohej nga aktori Antonia Albaneze, përzgjidhet nga një grusht njerëzisht me interesa speciale, nëpërmjet seleksionimit në një garë “vlerash”. Dhe ishte vërtetë një garë “vlerash”, megjithëse e mbyllur dhe me numër të kufizuar garuesisht. Vecse, “vlerat konkuruese” vështirë të thuhet se lidheshin me nevojat reale të qytetit. Fituesit i duhej të ishte besnik ndaj propozuesve, deri në pikën që të ndanin interesa të përbashkëta, për të mbrojtur dhe zhvilluar këto interesave speciale ndërsa shtirej se ishte duke “menazhuar” njësinë vendore. Dhe, sikurse është e pritshme, karaktere të tilla përballen me skandale të të shkuarës së tyre por edhe të tjera aktuale. Skenari dhe regjia brilante e fusin personazhin, që e lajmëruan ditën e fundit se do garonte dhe as ja kishte idenë se kush ishin punët që do kryente, në një zinxhir ngjarjesh e episodesh shumë sarkastike. Ndërsa, ajo që e karakterizon kandidatin është aftësia e tij për të shitur, nëpërmjet premtimeve hiperbolike, si zgjidhje të problematikave akute me të cilat përballej i gjithë komuniteti, mbrojtjen e interesave të grupit që e financonte.
Edhe në këto zgjedhje nuk munguan shitje të tilla. Nën argumentin se Tirana është betonuar totalisht, u premtua si zgjidhje e vetme moratoriumi i ndërtimeve! Jo vetëm u premtua por edhe u nxorr me grep nga goja e kandidatëve të Tiranës. Nuk pati studio televizive ku opinionistë dhe drejtues emisionesh, të kalibrit të lartë, nuk insistuan të memorizonin në kamera këtë super premtim. Premtimin se në Tiranën urbane nuk do jepeshin më leje ndërtimi. Në fakt, moratoriumi nuk është një instrument i ri në Tiranën urbane. Në mënyrë jopublike ai është praktikuar gjatë vitit 2010, ku rezulton se Kryebashkiaku i kohës morri një pushim të vogël nga ky aktivitet qeverisës. Por edhe në mënyrë publike gjatë vitit 2012, si kufizim ligjor derisa njësitë e qeverisjes vendore të hartonin instrumentat e planifikimit dhe kontrollit të zhvillimit. Juridikisht, instrumenti i kontrollit të zhvillimit i quajtur “pezullim i ndërtimit”, ndalonte përkohësisht zhvillimin përsa hartoheshin planet urbane. Më tej, nëpërmjet një vendimi arbitrar të Kryeministrit Rama, moratoriumi faktik u shtri deri në zgjedhjet vendore aktuale. Pra, nuk ka asgjë të re. Ka qëndrueshmëri në mashtrim. Sepse, ndërsa qytetarët do mbeten në të njëjtin mjerim urban që garanton moratoriumi (ndërsa hapsirat dhe objektet degradohen nga koha), edhe një gjë tjetër do mbetet i pandryshueshëm. Cmimet ekstravagande të pasurive të paluajtshme në Tiranë. Dhe nga kjo, vështirë të përfitojnë qytetarët e Tiranës. Sigurisht, duke përjashtuar një grusht njerëzish me interesa speciale që i poseidojnë këto prona të paluajtshme.
Në kuptimin ekonomik, moratoriumi ndihmon vetëm një grusht të privilegjuar njerëzisht, që kanë arritur të ndërtojnë një system mbrojtje për cmimet e tyre të larta, duke penguar krijimin e një tregu të lirë. Tregu, ku cmimet vendosen lirisht midis dy palëve që negociojnë nën kornizën e nevojës për të shitur dhe nevojës për të blerë. Një tregu të tillë “teorik”, po i mbahet pran zeros nevoja për të shitur. Dhe këtë po e bën moratoriumi duke zeruar nevojën për likuiditet për investime të reja, por edhe duke mos lejuar investitorë të tjerë të prodhojnë produkte të reja që do konkuronin në cmim e cilësi produktet ekzistuese. Kështu që, pronat e krijuara tashmë mbeten në ‘paradhomën’ e tregut të lirë ku mund të negociosh cdo gjë përtej cmimit të fiksuar. Mirëpo tregu i lirë bën mrekullira. Në pamundësi të vetrregullohet brenda kësaj kornize, shpërthen duke dhënë zgjidhje alternative. Familjet nuk po blejnë por prej dy –tre vjetësh po marrin me qira. Fatkeqësisht, interesat speciale e kanë kuptuar këtë dhe së fundi miratuan një VKM, që synon rritjen mekanike të kostove të qiramarrjes së një banese. Rritja e kostove të qiramarrjes drejton pamoralisht familjet drejt blerjes me cmimin e fiksuar. Sigurisht që tregu i lirë do t’i gjejë zgjidhje edhe kësaj devijance, le ta mësojnë të vërtetën edhe mbështetësit e pakoshientë të moratoriumit që mendojnë se e ‘vetmja rrugë për të mos bërë më fëmijë është të mos flesh me bashkëshorten’. Jo miqtë e mi ka edhe një rrugë tjetër. Quhet planifikim familjar. Të tillë ka edhe për cështjet urbane. Quhet planifikim urban.
 

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017