LUFTA MIDIS TË DREJTËS PRIVATE DHE ASAJ PUBLIKE NË MENAXHIMIN URBAN. Mapo, 24.09.2012.

Dy praktikat Shqiptare dhe synimi për një të tretë.

 E drejta e pronës private është një nga të drejtat e patjetërsueshme të individit, në një shoqëri të lirë e demokratike. Duke qënë se, prona ka kuptim përfitimi vetëm kur përdoret (përtej rastit të zakonshëm kur asaj i rritet vlera thjesht si pasojë e kërkesës së rritur dhe ofertës së njëjtë), duhet thënë se, e drejta për të përfituar nga zhvillimi i pronës private, gjithashtu, është një e drejtë e patjetërsueshme e individit. Kjo, normalisht sigurohet nga cdo ‘kontratë sociale’ e një shteti demokratik. Por, po kaq e patjetërsueshme është edhe e drejta e individëve për tu organizuar dhe ushtruar aktivitete sociale-kulturore-arsimore-shëndetsore-rekreative dhe të kohës së lirë etj, etj. Pra, prona publike, përdorimi dhe përfitimi i publikut nga zhvillimi i saj është gjithashtu një e drejtë njerëzore e shoqërore. Kushtetuta Shqiptare shprehet ‘Sistemi ekonomik i Republikës së Shqipërisë bazohet në pronën private e publike, si dhe në ekonominë e tregut dhe në lirinë e veprimtarisë ekonomike. Prona private dhe publike mbrohen njësoj me ligj. Kufizime të lirisë së veprimtarisë ekonomike mund të vendosen vetëm me ligj dhe vetëm për arsye të rëndësishme publike’. Por, nuk ka qënë gjithmon kështu. Para vitit 1991 në Republikën e Shqipërisë (në atë kohë Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë) shtetasit gëzonin vetëm një të drejtë Kushtetuese (Kushtetuta e vitit 1976), në respekt të pronësisë dhe zhvillimit të saj, atë të pronësisë kolektive. Ekonomia, që ishte socialiste, mbështetej vetëm në pronën e përbashkët dhe në investime për zhvillim, vetëm shtetërore. Pra, mungonte (në fakt ndalohej me ligj) prona private, ekonomia e tregut dhe liria e veprimtarisë private ekonomike. E cuditshme sesi me një fjali të vetme- si kjo e fundit- mund të përcaktosh nga shumëcka drejt gjithckaje në jetën e një shoqërie njerëzore!? Të thuash gjithcka, ndoshta nuk je shkencërisht i vërtetë, por një gjë është e sigurt, përcaktoi strukturën urbane të qyteteve tona në diferencë paralele me raportin pronë private – pronë publike, ekonomi socialiste/centralizuar- ekonomi kapitaliste/e tregut, veprimtari vetëm shtetërore- liri e veprimtarisë ekonomike. Marrdhënie kjo në ‘luftë’. Luftë në të cilën, në një periudhë triumfonte plotësisht njëri grup dhe në një periudhë tjetër grupi ‘kundështar’. Le ti përshkruajmë këto periudha me karakteristikat e tyre, me shpresën dhe besimin për të kuptuar më shumë, dhe ndoshta me fatin për të kuptuar si mund ta ekulibrojmë këtë raport. Si mund ‘ta ndalim këtë luftë’?
Periudha para vitit 1991 karakterizohet nga një çentralizim i theksuar politik e ekonomik dhe si rrjellim edhe i planifikimit të territorit. Shoqëria nuk ishte ndarë në grupe interesi por në klasa: klasa punëtore dhe fshatarësia kooperativiste me interesa dhe synime të njëjta ndaj qeverisjes (interesa që në fund të fundit i përcaktonte vet shteti) dhe; klasa e përbysur e cila duhej të limitohej në interesin e vetëm të mbijetesës fizike (për të jetuar edhe një ditë më shumë). Pra, mungonin nga ana e shoqërisë/publikut interesat, nevojat, kërkesat dhe synimet ndaj territorit. Të gjithë grupet e tjera të interesit përfaqësoheshin nga shteti. Pronari i trojeve ishte vet shteti në mënyrë të drejtpërdrejtë apo nëpërmjet shtetëzimeve, mënyra e kompensimit të të cilave ishte qesharake. Investitori i vetëm, në mungesë totale të inisiativës së lire, ishte përsëri shteti dhe ‘klientët’ apo ‘konsumatorët’ e këtij zhvillimi ishin gjithashtu klasat, të cilat ‘konsumonin’ apartamentet, infrastrukturat dhe hapsirat publike të ndërtuara nga parimi “ndërtojmë lirë dhe shpejt”. Si pasojë e ekonomisë së drejtuar nga parime socialiste (të njohura gjerësisht nga shqiptarët me moshë mbi 35-së vjecare) mungonin financimet dhe investimet publike për ndërtimin, mirëmbajtjen, pëmirësimin dhe modernizimin e institucioneve publike dhe territoreve të hapura dhe publike. Por sidoqoftë, intensiteti i ulët i ndërtimit, densiteti i ulët i banimit (për shkak edhe të metodave të vjetëruara ndërtimore) dhe hartimi e zbatimi i instrumentëve të planifikimit, projektimit me rigorozitet të plotë dhe në mënyrë hirearkike siguronte hapsira me potencialin për t’u kthyer në infrastrukturë sociale për njësitë e banimit. Pra, për këtë periudhë mund të konkludohet se ‘lufta’ midis të drejtës private me publiken dominohet absolutisht nga kjo e fundit. Periudha pas vitit 1991 karakterizohet nga dy linja. Ajo zyrtare, që përfaqësohej mësë shumti nga burokracia (administratorët dhe planifikuesit që punojnë në administratë) e ngelur në mentalitetin planifikues të viteve 70-të. Dhe linja e individëve/familjeve, të pasuruar nga marrja e pronave të të parëve, privatizimi i banesave në përdorim të tyre (dikur pronësi shtetërore), pronësia e tokës bujqësore (sipas ligjit 7501), të lirë për të emigruar e imigruar kudo.
Burokracia dhe planifikuesit të ndërtuar si të tillë (si burokratë dhe, sidomos, si planifikues) në shkollën sovjetike të Shqipërisë e kishin pothuajse të pamundur të kuptonin se zhvillimi mund të ishte shumë i shpejtë dhe se ai duhej paraprir, drejtuar dhe kanalizuar nëpërmjet planeve, projekteve dhe investimeve qeverisëse. Këto intrumenta duhet të ishin të frymëzuara nga të tjera parime dhe shumë më elastike, sikurse, të hapura ndaj nevojave, kërkesave dhe mundësive të reja dhe të pafund të krijuara nga një sistem demokratik. Roli i tyre shumëvjecar si, ‘kalorësit’ e vetëm në këtë sektor, ‘këshilluesit’ e shtetit për të mirën e vetme të qytetit, ‘njohësit’ e vetëm dhe të fundëm të nevojave të qytetarëve, megjithëse i tronditur fortë në kthesën e madhe të vitit 1991, nuk ju lejonte të merrnin një rol të ri.
Rolin e një prej aktorëve në një proces gjithëpërfshirës, ku, pronarët e trojeve, investitorët dhe blerësit (që ishin privat) përfaqësonin veten dhe interesat e tyre, në kompromisin e quajtur ‘Plan’. Rezultati i kësaj- plane të pazbatueshme apo mungesë totale e tyre. Nga ana tjetër, shqiptarët e “cliruar” nga cdo pronësi, e drejtë mbi to, inisativë ekonomike dhe deri në izolim fizik në qytetin apo fshatin ku ishin pashaportizuar, fituan gjithcka. Pronësuan banesat e tyre që i kishin me qera, rimorrën një pjesë të pronave të të parëve, privatizuan një pjesë të ambjenteve apo mjeteve të punës. Fituan të drejtën për të emigruar dhe për të akumuluar kapitale. Fituan të drejtën për të imigruar kudo nëpër Shqipëri. Si rezultat i kësaj shqiptarët u pasuruan dhe si është e kuptueshme, cdo qytetar i pasur në një ekonomi të hapur tenton të përmirësojë jetesën dhe të shtojë pasurinë e tij. Disbalancimi i nivelit të shërbimeve publike (arsimore-shëndetsore etj) në vendbanime të ndryshme, cilësi e ulët e transportit interurban si dhe oportunitete më të mira punësimi i drejtuan në qytetet e mëdha.
Agregimi i këtyre dy linjave, dhe të tjerave në mbështetje dhe përforcim të tyre, solli një zhvillim shumë të shpejtë, të paplanifikuar, totalisht të derregulluar dhe mbi të gjitha të fragmentarizuar. Produkti i kësaj është realiteti urban në të cilin jetojmë. Kështu, ‘lufta’ fitohet totalisht nga e drejta private. Në fakt, vetëm në dukje, sepse indivitët që ‘fituan’ janë pjesë e shoqërores, elementë të publikes. Ato jetojnë në po të njëjtin realitet urban, fëmijët e tyre gjithashtu. Për të ardhmen, kërkohet dicka tjetër, dicka në mes të tyre. Kërkohet ‘Urbanizmi i Ri’. Kërkohen planifikime të balancuara përdorimesh të pronave dhe vlerësim maksimal i pronës në zhvillim, pa kushtëzuar e cunguar zhvillimet publike dhe sociale. Balancimin e tyre, ‘paqen’ midis tyre duhet ta gjejmë te konceptet e teorisë ekonomike (ekonomiks) dhe aplikimet e tyre. Bota e zhvilluar i njeh dhe i përdor.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017