PËR NJË KULTURË TË RE PLANIFIKIMI TERRITORIAL! Mapo, 19. 03. 2015

Megjithëse mandati i qeverisjes së majtë po i afrohet kërthizës së saj, vështirë të thuhet se problematikat dhe cështjet e zhvillimit urban, apo më gjërë të territorit, kanë marrë ndonjë përgjigje. Në fakt, pakkush që i njeh këto cështje kishte besim që do gjenin zgjidhje, apo të paktën do të hynin në rrugëtimin drejt zgjidhjeve në këtë mandat katër vjecar socvialist. Arsyet e këtij mosbesimi të përligjur qëndrojnë, sikurse gjithmon në qeverisje e administrim, te eksperiencat e mëparshme dhe premtimet për të ardhmen. Eksperiencat e mëparshme e kësaj qeverie në cështjet urbane dhe të territorit merr formë fizike nga mënyra sesi kanë administruar Tiranën urbane për 11 vjet, por edhe shumë qytete të tjera që vazhdojnë ti administrojnë edhe sot. Cilido që është vlerësimi juaj për qytetet shqiptare, është edhe vlerësimi për eksperiencën e qeverisjes së sotme. Ndërsa, për premtimet për të ardhmen ka shumë pak për të thënë. Gjithcka e ka thënë programi qeverisës me 406 fjalë, i miratuar në Kuvendin e Shqipërisë ditën e mandatimit të kësaj qeverisjeje.
Përtej qasjes tonë parashikuese, qeverisja e kishte mundësinë të zhgënjente pritshmëritë tona negative në këto muaj, nëpërmjet aksioneve të shumta që ndërmorri. Por nuk arriti dot. Mos pranimi i faktit që ka dështuar me sukses të plotë në eksperiencat e mëparshme dhe pamundësia për të ndërtuar një strategji të ndryshme për të ardhmen, nuk e lejuan. Nuk e lejuan atë, dhe nuk do lejojnë askënd që do të synojë qeverisjen kombëtare apo lokale, pa një strategji të qartë sesi do të administrojnë dimensionin territorial të juridiksionit politik. Të flasësh për të djeshmen nuk bën asnjë kuptim nëse konkluzionet e nxjera nuk i përdor për të projektuar një të nesërme ndryshe. Po kështu opinioni i shprehur në këto rreshta të parë nuk do ndihmonte askënd nëse nuk do të rrezikonim me propozime mbi temën ‘cfarë i nevojitet, për së pari, Shqipërisë në dimensionin urban dhe territorial të saj’. Në këtë pjesë të mbetur të këtij shkrimi të opinionit, në kufijtë shumë modest të tij dhe me më pak fjalë se programi qeverisës, do tentojmë të japim një shije alternative.
Ne na duhet një kulturë e re planifikimi territorial. Një kulturë që e sheh këtë aktivitet shoqëror si një instrument kyc për qeverisje të mirë. Mendohuni sa të doni, vështirë të gjeni ndonjë aktivitet qeverisës që nuk ka dimensionin e vet territorial. Ndërkohë, kultura jonë e planifikimit ka ngelur ajo e projektimit urban të viteve ’60-të të shekullit të kaluar. Kohë kur Shqipëria socialiste fshiu cdo qasje nga interesi dhe specifika private dhe u mbyll në guackën e parimit të saj “socialiste nga përmbajtja dhe kombëtare nga forma”. Me këtë që sapo thashë nuk jam duke vlerësuar punën e pedagogëve dhe departamenteve të universiteteve shqiptare. Nuk do të guxoja kurrë. Nuk do ja lejoja kurrë vetes një lajthitje të tillë, por edhe se nuk është ky vizioni im. Në kulturën e re që na nevojitet realitetet urbane nuk formohen nga dija e urbanistëve. Realitetet urbane dhe territoriale janë produkt i ndërveprimit njerëzor në një konteks kulturor të caktuar. Dhe gjëja e parë që duhet të pranojmë është se planifikimi i zhvillimit duhet të jetë kompromis qytetar interesash.
  Detyra e urbanistëve dhe burokratëve nuk është të përcaktojnë si duhet të jetë dimensioni urban dhe territorial i mënyrës tonë të jetesës, por të organizojnë dhe moderojnë diskutime të lira dhe publike. Diskutime që konkludojnë me vendimmarrje të kompromisit të gjerë, implementimin e të cilave vështirë ta devijojë njeri. Nuk do të bënte kuptim, përderisa do të kishin dakortësuar më parë me kompromisin. Roli i ekspertizës profesionale është gjithashtu i nevojshëm, por, i kufizuar në informim teknik për debatuesit. Nëse këtë kulturë do e bënim tonën dhe do e shtrinim nga cështjet e vogla të administrimit të bashkëpronësisë në godinat e banimit deri te cështjet e rëndësisë kombëtare të territorit, shumë ndryshe do i kishte punët Shqipëria territoriale. Ndoshta nuk do ti gjenim plerat e komshiut në ashensor. Ndoshta fëmijët tanë do kishin ku të luanin. Ndoshta do trembeshim më shumë nga vdekja sesa nga mungesa e varrezave. Shumë ndoshta, e po kaq pasiguri! Por një gjë është e sigurt, sot nuk do na duhej të prishim ato që sapo kemi ndërtuar.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017