VARFËRIMI SI PRODUKT I MORATORIUMIT TË TIRANËS. Mapo, 24. 06. 2015

Vetëm dy javë përpara zgjedhjeve vendore, qeveria qëndrore, miratoi Vendimin e Këshillit të Ministrave ‘për përcaktimin e vlerës minimale të cmimit të referencave të qirave për ndërtesat me qëllime tatimore’. Nëse do i referoheshim titullit të këtij vendimi, qeveria kërkon të rregulloj një element të taksimit, sikurse është ajo e të ardhurave që familjet apo individët realizojnë duke dhënë me qira ndërtesa në pronësi të tyre. Mirëpo, nëse e shikojmë pak më thellë, do konstatojmë se draftuesit kanë synuar tjetër gjë. Kanë synuar përcaktimin e një qiraje praktike të rregulluar nga shteti, kur kanë theksuar se qiraja për cdo banesë duhej përcaktuar në kontratën noteriale dhe kjo qira nuk mund të ishte më e ulët se tre të mijëtat e cmimit së shitjes së saj. Edhe këtë të fundit (vleftën minimale të shitjes), gjithashtu, e përcakton qeveria qëndrore nëpërmjet një vendimi të saj të përvitshëm! Pa hyrë në analiza mbi temën se cfarë të drejte ka një qeverisje për të përcaktuar deri në këtë detaj një marrdhënie ekonomike tërësisht private, dua të theksoj një të vërtetë më të madhe se kjo. Interesi primar i qeverisë qëndrore, për këtë masë, nuk është kontrolli mbi lirinë e individëve për të arritur marrveshje ekonomike sipas raporti ofertë- kërkesë. Porse, të ndihmojë interesat e klientelës së zgjedhur të saj për të mbajtur një cmim të fiksuar në shitjen e rreth 20 mijë apartamenteve të banimit që ata zotërojnë, duke rritur kostot e familjeve për të mbajtur një banesë me qira. Dhe si rrjedhim logjik, orientimin e detyrueshëm të tyre drejt blerjes së një apartamenti.
Kjo masë në kufizim të lirive të zgjedhjes të individit dhe premtimi për bllokim lejedhënie në Tiranën urbane, sigurojnë në mënyrë shteruese që një grup klient i politikës do ruajnë pozicionin e tyre të privilegjuar në tregun e pasurive të paluajtshme (vecanërisht banesës). Ndërsa, shumica e familjeve të gjendur para cështjes se, duhet të vazhdojnë të jetojnë në banesa me qira tashmë të rritura, apo të blejnë një banesë, do varfërohen më tej. Sigurisht që, ato familje do të bëjnë një zgjedhje të forcuar, edhe për shkak të dimensionit kulturor që i drejton në blerje përsa kënaqin egon primitive të zotërimit të banesës ku jetojnë. Pa kuptuar se do zerojnë kursimet e jetës dhe do mbingarkohen me një kredi skllavëruese për restin e jetës së tyre. Ndërsa paratë që mund të financonin inisiativa të reja ekonomike do të betonizohen në betonet e hedhura më parë! Kjo është ajo që do ndodhi, sepse ky është synimi i këtyre dy masave qeverisëse. Kalimi i kostove të gabimeve e fajeve të administratës lokale Rama dhe klientelës së tij në industrinë e ndërtimit të banesave, te pjesa tjetër e qytetarëve të Tiranës. Të cilët do shtojnë rrallën e gjatë të familjeve që zotërojnë një banesë të keqvendosur, keqndërtuar dhe keqjetueshme, ndërsa rropaten në punë të këqia e të keqpaguara për të likuiduar kreditë dhe siguruar ushqimin e përditshëm për vete dhe familjet e tyre. Ndërkohë që burokratët e korruptuar dhe eksponentët e bisnesit të ndërtimit që do grumbullojnë edhe atë pak likuiditet që ka mbetur, për t’i investuar në një “marrveshje të re”, zhvilluese por edhe varfëruese.
Në një kurth edhe më të keq do e gjejnë veten edhe familjet që zotërojnë një banesë të vjetët në zonat tradicionale të Tiranës. Statistikat na thonë se një kuotë e lartë e stokut të banesave është ndërtuar para Luftës së Dytë Botërore apo menjëherë pas saj. Gjëndja e tyre fizike, për shumë faktorë, është e mjerueshme. Në shumicën dërmuese rikonstruksioni nuk do të mund ti bënte dot të jetueshme dhe e vetmja zgjidhje për to duhet të ishte rizhvillimi i trojeve pas prishjes së ndërtesave. Moratoriumi i Tiranës, vecanërisht nëse shtrihet në kohë, nuk bën gjë tjetër vecse i kthen këto familje në të pastreha që do kërkojnë ndihmën e institucioneve shtetërore apo të tregut ekzistues të banesave. Megjithëse në ‘letra’ do të shfaqen si zotërues pronash të paluatshme, në realitet pamundësia për të rizhvilluar pronësitë e tyre do ti kthejë në klientë të skemës së shitjeve së banesave me cmime të fiksuara dhe kredive skllavëruese. I gjithë ky skenar i ‘nxjerrjes dhjam nga pleshti’ që synon pasurimin e një grusht njerëzish nga shumica e shqiptarëve të pamundur, nuk sjell asnjë lloj zhvillimi. Ai thjesht kalon ca para shqiptarësh të parëndësishëm për elitën politike, te xhepat e ca shqiptarëve të tjerë të privilegjuar. Ndërsa zhvillimi i munguar, që synon moratoriumi, në asnjë rast nuk mund të sjelli rritjen e cilësisë së jetesës së familjeve shqiptare. Është e vërtet se rritja ekonomike (GDP) nuk përkthehet në të njëjtën masë në rritjet e nivelit të jetesës për cdo familje, porse, është gjithashtu e vërtetë se zhvillimi i qëndrueshëm, i zgjuar dhe gjithëpërfshirës krijon potenciale të pafundme.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017