NDERTIMET PALEJE, LIGJËRIME POPULISTE APO PROJEKTIM PËR QEVERISJE TË CENTRALIZUAR. Mapo, 18.07.2013

Tallja me popullin nuk ka brirë… këto gjëra ka. E përdorur në të folurin e përditshëm, termi nuk ka brirë, përdoret për të identifikuar elementë shumë të dallueshëm në një situatë të dhënë (në këtë rast – tallja me popullin). Kjo shprehje i rri si një kostum ‘Armani’ ngjarjes së të premtes së kaluar, ku kryetari i Bashkisë Sarandë, i shoqëruar nga një pjesë e stafit të tij, në një dalje publike iu ankua popullit të qytetit të tij dhe gjithë Shqipërisë, se pas 23 qershorit situata ndërtimore/urbane kishte dalë jashtë kontrolli. Se ndërtimet pa leje, si kërpudhat pas shiut, kishin shpërthyer në qytet. Ngjarje e re? E kam fjalën për ndërtimet pa leje. Nuk e besoj. Sikurse deklarata la për të kuptuar, qeverisja qendrore pas 23 qershorit ishte shkërmoqur në atë masë saqë nuk po kryente as detyrat më bazike të saj, një nga të cilat është kontrolli i territorit. Nga kjo kishin përfituar disa individë (të cilët ishin me shumicë) dhe po ndërtonin pa leje në qytetin e tij, duke shkatërruar situatën e “ekuilibruar” urbane të Sarandës. Situatë e cila ishte shndërruar në e tillë pas punës dyvjeçare të këtij kryetari dhe atij stafi (që e shoqëronte, paradoksalisht, në këtë dalje publike). Kryetari evidentoi veçanërisht dy simpoziume kombëtare me këtë temë, që kishin ndikuar në këtë përmirësim. Humor? Në njohje minimale të ndarjes së përgjegjësive dhe detyrave, kompetencave dhe funksioneve midis dy niveleve të qeverisjes (sikurse duket se e karakterizon shoqërinë tonë post-socialiste), shumë shqiptarëve deklarata e kryetarit të Bashkisë Sarandë do iu dukej një veprim normal. Bile disave do t’u dukej veprim që duhej përshëndetur. Kurse disa të tjerë mund të kenë shkuar edhe më larg. Për ta, nëpërmjet kësaj deklarate (si një dallëndyshe e parë që prezanton pranverën), kishte startuar Rilindja. Dhe kishte startuar në dy tema shumë të mprehta dhe aktuale për shoqërinë shqiptare, urbanistikën dhe turizmin. Sa mirë, sikur të ishte kështu! Por (sepse, fatkeqësisht apo fatmirësisht ka disa por-a), nëpër të gjitha qytetet e Shqipërisë (pra edhe në Sarandë) gjenden qytetarë dhe familje që i njohin shumë mirë përgjegjësitë qartësisht të ndara midis dy niveleve qeverisëse.
Nivele që votohen nga populli në mënyrë të ndarë, në zgjedhje të ndryshme dhe kontekste të ndryshme zgjedhore. Për një nivel votojnë gjithë shqiptarët duke zgjedhur midis premtimeve të bëra njësoj në të gjithë Shqipërinë dhe vetëm për çështjet e rëndësisë kombëtare, dhe, për nivelin tjetër ku çdo shqiptar voton për qytetin e vet duke zgjedhur midis premtimeve të bëra ndryshëm në çdo qytet dhe vetëm për çështje të rëndësisë lokale. Ky grup qytetarësh dhe familjesh nuk e kanë përvetësuar këtë të vërtetë duke studiuar çka kontrata sociale e shqiptarëve thotë për këtë temë, në kohën e lirë, apo si qytetarë të interesuar. Jo. E kanë nxënë si një pësim personal, si përjetim empirik, ndërsa për vite tentonin të gjenin të drejtën në zyrat e bashkisë, ministrisë apo gjykatës. E kërkoi por asnjëherë nuk e gjeti. Nuk e gjeti sepse fqinji i tij që po ndërtonte një shtesë pa leje apo ndërtuesi që po lartësonte pallatin jashtë lejes, kishin paraqitur “argumente të forta” në bashki. Dhe bashkia kishte paraqitur në gjykatë dy argumente akoma më të forta. Autonominë Lokale dhe Funksionet e Veta. Këta qytetarë duhet të jenë çuditur kur panë kryetarin e Bashkisë Sarandë të “denonconte” krimin urban. U çudita edhe unë. E dëgjova me vëmendje deklaratën, më shumë se njëherë, falë televizioneve që e përsërisin lajmin çdo një orë. U mundova të kap moralin e fabulës, por çdo herë që e dëgjoja ç’vlerësoja nga një hipotezë të ngritur. Kryetari nuk ishte duke akuzuar qeverisjen qendrore sepse ka vite tashmë që inspektimi urban dhe ndërtimor është decentralizuar. Kryetari nuk ishte duke akuzuar vetveten, sepse do moral të lartë të akuzosh veten. Për më tepër në publik. Kryetari nuk ishte duke akuzuar administratën e tij, sepse i kishte aty.
Hipoteza e fundit që më mbeti ishte se, kryetari është duke ligjëruar për inerci të zgjedhjeve. Do të kisha ngelur në këtë hipotezë naive sikur gjithçka të lihej me kaq. Bile edhe atë do ta kisha harruar sepse do harrohej shumë shpejt edhe deklarata nga Saranda. E cila ishte një “çudi e vogël”, pra nuk i duheshin tri ditë për të zgjatur. Por pas 48 orësh, z. Rama, Kryeministri i votuar, e rimori tezën e ndërtimeve pa leje që kishin pushtuar çdo hapësirë urbane, suburbane, rurale. Do ishte normale, madje pozitive, sikur z. Rama të deklaronte se me stabilizimin e tij si Kryeministër ai do të mbështeste (financiarisht për shembull) çdo bashki të kryente funksionet e saj. Por ai nuk bëri këtë. Për më tepër, z. Rama e zgjeroi fushën e problemit. Ai futi në këtë thes edhe ndërtimet me leje. Pra edhe funksionin e lejedhënies. Ai e zgjeroi edhe në shtrirje territoriale. Foli për gjithë bashkitë e komunat bregdetare dhe më gjerë. Në ligjërimin e tij kompleks për territorin dhe zhvillimin e tij, ai nuk la jashtë instrumentet e planifikimit (planet vendore dhe ndërvendore). Edhe ky një funksion i deleguar, komunave dhe qarqeve, me një reformë të thellë që në vitin 2009. Reformë e dështuar, si shumë të tjera, sepse kërkonin një qasje të koordinuar midis dy niveleve qeverisëse. Nivele që ishin në “zotërim” të dy blloqeve të ndryshme politike. Historia nuk u mbyll me kaq. Kryetari i Bashkisë Vlorë (edhe ai socialist) vetëm dy ditë më vonë “shpalli” dhe nisi një aksion konkret në territor për prishjen e ndërtimeve pa leje. Sikur të ishte zgjedhur vetëm pak ditë më parë dhe jo sikur është prej disa mandatesh, kryetari i Bashkisë drejtoi, në vetë të parë, fadromat. Mjete shkatërruese, të cilat me sa duket nuk i mungonin, duke rrëzuar alibinë se qeveria qendrore nuk i kishte mbështetur me mjete. Detyrë e vetme ligjore e qeverisjes qendrore, të cilën nuk e dimë nëse e ka kryer apo jo, por që dukshëm nuk ka penguar bashkitë të kryejnë detyrat e tyre ligjore. Në sintezë të të gjithës dhe po të kujtojmë se z. Rama ka një njohje të mirë të qeverisjes vendore (si pasojë e faktit se ka qenë për 11 vjet kryetar i Bashkisë së kryeqytetit), shkojmë pashmangshmërisht në pyetjen: kemi të bëjmë me ligjërime populiste (personalisht e përjashtoj) apo kemi të bëjmë me implementimin e një strategjie për të centralizuar vendimmarrjen, kompetencat dhe funksionet qeverisëse? Sepse zgjedhjet vendore vijnë shpejt dhe nuk dihet se kush do jetë fituesi. Kjo është dhe duhet të jetë pyetja që do na shqetësojë tashmë me qeverisjen e re në dy nivele, por e drejtuar vetëm nga një spektër politik.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017