POPULIZMI QË PO GRYEN KOCKAT E BLLOQEVE TË BANIMIT. Mapo, 17.12.2014

Nëse dikush do të organizonte ndonjë intervistë të strukturuar dhe gjithë shqiptarëve do tu drejtohej pyetja se, kush ishte për ta sëmundja më e madhe e shoqërisë në tranzicion, përgjigjja që do të merrej në shumicë absolute do të ishte ‘korrupsioni’. Jam gjithashtu i sigurtë se, nëse e njëjta pyetje i drejtohet një të huaji që thjesht ka dëgjuar për ekzistencën e një shteti me emrin Shqipëri, përgjigjja do të ishte e njëjtë. Të dytët e thonë sepse është fjala që gjendet më shpesh afër fjalës Shqipëri, në shumëcka që mund të kenë lexuar apo dëgjuar për vendin tonë. Ndërsa të parët e thonë sepse tashmë kjo është njësia matëse dhe orientuese për cdo gjë që ka lidhje më qeverisjen. I gjithë ligjërimi politik, ekonomik, shoqëror, mjedisor, historic, biles kam frikë edhe artistik e sportiv ka për fjalë kyc këtë term të frikshëm.
Mirëpo, unë mendoj se fenomeni i korrupsionit, në cdo kuptim që i japim ne shqiptarët, nuk është plaga më e madhe e shoqërisë tonë. Unë mendoj se e keqja më e madhe është populizmi, demagogjia, fasadizmi. Quheni si të doni. Sepse, megjithëse këto terma mund të vijnë e të shkojnë në drejtime të ndryshme, ato kanë të njëjtën valencë në proceset e ndërtimit kulturor të një shoqërie. E kam fjalën për kulturën e të jetuarit në dy gjëndje, diametrikisht të kundërta, në të njëjtën kohë. Dhe shëmbuj konkretizues mund të përmendim plotë. Megjithëse jemi një nga vendet më të varfëra në Europë, për vitin 2004 ne zumë vendin e parë në blerjen e Tuaregëve. Një makinë luksi që njihet gjerësisht. Por edhe më gjerë se kaq. Shikoni flotën shqiptarëve të automjeteve. Ndër më të shtrenjtat në rajon.
Sillni në kujtesën tuaj vizive të gjitha banesat që keni vizituar. Do të arrini në përfundimin se në pak prej tyre nuk keni parë një televizor të sheshtë me ekran të egzagjeruar. Kënde kolltuqesh e divanesh të luksit apo orendi të tjera të shtrenjta. Mund të bënim një listë të gjatë, nga kafenetë e deri të veshjet, por në cdo rast diferenca midis fasadave të objekteve dhe funksionit apo brendësisë së tyre, ngelet ekstravagante. Mirëpo, ky nuk është problemi më i madh. I tillë bëhet kur këtë qasje e pranojmë nga politika në përgjithësi dhe qeverisja në vecanti. Vëzhgoni si shkon diskursi politik në zgjedhje. Në fushatën e zgjedhjeve të 2007 në Bashkisë Tiranë dikush premtoi rritjen e pensioneve! Pa asnjë kuptim dhe pa lidhjen më të vogël. Shikoni zgjedhjet e fundit parlamentare. Në to na u premtua shëndetsi dhe legalizime falas.
Vijmë në aktualitetin e ditës. Bashkia Tiranë, në konkurencë dinjitoze të projektit të qeverisë qëndrore të mbjedhjes së pemëve anës rrugëve kombëtare, na njofton se po vendos 150 kosha të rinj në rrugët e qytetit dhe se brenda dy muash qytetarëve do tu vihet në dispozicion 18 mijë metra katror hapsirë e gjelbërt. Përsa i besojmë këtij diskursi, atherë problemi i njësive urbane qënka identifikuar dhe po shkon drejt zgjidhjes! Qënka mungesa e pemëve. Po le të mbjedhim më shumë që ta zgjidhim përfundimisht. Të mbjedhim në trotuaret që mungojnë, nëpër oboret e cerdheve, kopshteve e shkollave pa oborr, në tarracat e pallateve 12 katëshe. Ndërsa mbytemi nga populizmi, demagogjia dhe fasadizmi, koha kalon dhe problemet reale urbane bëhen më të pamundura për tu përballuar.
Sepse problemet reale urbane janë krejt të tjera dhe ne duhet të planifikojmë që të prioritizojmë investimet publike dhe të drejtojmë investime private. Kjo është ‘A’ja e gjësë. Pasi të kemi hartuar planin e përgjithshëm vendor ky është hapi tjetër. Projektimi urban i blloqeve të banimit, që do të na tregojë jo vetëm sesi komuniteti e pëlqen të jetë ‘lagjia e tyre’, por edhe se kush janë investimet më imediate për tu kryer. Biles më shumë se kaq. Cfarë punësh publike do mbulohen me investime publike dhe të tjerat që mund të investohen privatisht. Me synimin e qartë që blloku i banimit të evolojë nga gjëndja konkrete në atë që komuniteti parapëlqen të jetë. Kështu duhet të jetë. Jo se blerja e tuaregëve e mbjedhja e pemëve nuk është një gjë e mirë në vetvete, porse prioritizimi duhet të jetë sipas përmbajtjes dhe jo formës.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017