DECENTRALIZIMI SI PARIM DEMOKRATIK DHE PLANIFIKIMI URBAN SI TEKNIKË ADMINISTRATIVE. Koha Jone, 12.12.2010

Në kohën moderne ku jetojmë kalimi i kompetencës për vendimmarrje drejt pushtetit vendor është një realitet pozitiv dhe i pakthyeshëm. Janë të paktë në numër politologët që nuk e mbështesin apo vlerësojnë pozitivisht decentralizimin e pushtetit. Të njohur me emrin “minimalist” apo “elitar” ata theksojnë se, jo të gjithë njerëzit kanë aftësi apo njohje për vendimmarrje të mira. Në njohje të cekëta të disiplinave shkencore dhe teknikave administrative sektoriale, sipas “elitarëve”, individët apo grupet mund të marrin vendime të gabuara. Kjo bën kuptim, sepse komunitete lokave përfshijnë në vetvetë profesionist të shkallës më të ulët dhe profesionistët e elitës garojnë në qytetet më të mëdha ku ndihen më të vlerësuar për punën e tyre. Ndodh kështu edhe në rastin kur njerëzit marrin vendime për cështje që u përkasin direk atyre, për cështje që ndikojnë direkt në cilësinë e jetesës së tyre. Por, në fakt, shumica e kërkuesve në këtë disiplinë mendojnë se vendimmarrjet më të mira i bëjnë individët të cilët ndikohen direkt nga këto vendimmarrje.
Decentralizimi si koncept teorik shfaq vlefshmëri të lartë, përsa i përket nivelit të demokracisë dhe përfshirjes së gjërë në vendimmarrje. Biles, një nga parametrat me të cilin matet niveli i demokracisë dhe i qeverisjes së mirë është shkarkimi i të drejtës për vendimmarrje drejt administratave lokale. Në një njohje më të mirë të problematikave lokale, pushteti vendor propozohet të ketë sa më shumë kompetenca dhe të afroj sa më shumë shërbime. Analizuar po në planin teorik dhe nën ndikimin e parimit të subsiaritetit, konsiston në ofrimin e shërbimeve sa më afër konsumatorit dhe me kosto sa më të ulët për të.
Duke i analizuar mendimet e mësipërme në frymën e Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore, është e kuptueshme anshmëria e Kushtetutës Shqiptare, përsa i përket këtyre parimeve të autonomisë vendore. Në këtë drejtim shkon edhe draftimi i akteve ligjorë dhe nënligjorë nga administrate politikbërëse dhe vendimmarrja për miratim të tyre i Kuvendit të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave. Pra, gjithcka shkon në këtë trend. Administratat qëndrore kanë gjithmonë e më pak kompetenca ndërsa administratat lokale grumbullojnë kompetenca. Parimisht parimet ndiqen dhe teorikisht pushteti zbret te sovrani, te komunitetet locale, te grupet e interesuara. Por a ndodh vërtet kështu? Vërtet janë grupet komunitare që marrin vendime për cështje që i prekin direkt, në sektor të ndryshëm zhvillimi? Le ta trajtojmë cështjen duke analizuar dy debatet e fundit për cështjen e vendimmarrjes në fushën e planifikimit urban.
Së pari rasti i sheshit “Skëndërbej” në Tiranë. Shtatë muaj më parë Kryeministri Shqiptar i bën ofertën më të mirë, nga cdo aspekt, Kryetarit të Bashkisë Tiranë, sipas të cilës ndërhyej lehtë për një përmirësim të shtresës asfaltike të sheshit dhe hartohej një projekt modern dhe madhështor për të, kostot e zbatimit të të cilit përballoheshin nga buxheti i Shtetit. Cdo planifikues e sidomos planifikues urban e kupton se zgjidhje më të mire profesionale nuk ka. Kështu, reabilitohej sheshi”Skëndërbej” në funksionin e tij si nyje rrugësh për automjete pra sigurohej vazhdimësia e zhvendosjes në një mënyrë tradicionale tashmë qëkur qytetarët shqiptarë janë lejuar të poseidojnë dhe përdorin automjete private. Kjo në vetvete jo vetëm realizon një lehtësi për automjetëpordoruesit por fiton kohë, si një parakusht, për hartimin e një studimi të thelluar për sheshin “Skënderbej”, si një shesh me përdorim këmbësor. Nuk do doja të ndalesha se sa i rëndësishëm simbolikisht është, për cdo shqiptar, ky shesh sepse këtë e kam trajtuar më parë. Do ta trajtoj cështjen vetëm nga ana funksionale. Ndryshimi i destinacionit të sheshit nga e përdorshme për automjete në vetëm këmbësore sjell në vetvete pyetjen e madhe. Ku do të zhvendoset ky trafik i sotëm? Po shtesa që do ti vi në vazhdim?
Rrjeti rrugor i Tiranës sot nuk ka asnjë shtesë, rrugë të re, që nga “Plani Rregullues i Përgjithshëm” i vitit 1990-të. Ky plan është hartuar ndër të tjera mbështetur në parimin e lëvizjes këmbësore ose nëpërmjet transportit publik.
  Kjo sepse poseidimi i automjeteve personale ishte e ndaluar me ligj. Duke mos dashur të bëj një analizë të këtij plani apo rrjetit rrugor që ai propozonte po përqëndrohem vetëm te unaza e vogël. Kjo unazë e shoqëruar nga katër të tjera sipas “Planit Rregullues të Përgjithshëm” të vitit 90-të shërbente për grumbullimin dhe shpërndarjen e trafikut të transportit publik në zonën qëndrore të Tiranës. Duhet të kemi parasysh dy aspekte, së pari nuk ishte konsideruar asnjëherë që sheshi “Skëndërbej” të kthehej në këmbësor, pra trafiku që përballonte ky i fundit të zhvendosej te kjo unazë. Dhe së dyti, që në Tiranë, pra edhe në zonën qendrore, do të qarkullonin qindra mijë automjete private.
Unaza e vogël është propozuar nga Instituti i Studimeve dhe Projektimeve Nr.1 dhe është miratuar në mars të vitit 1977 me vendim të Këshillit të Ministrave. Studimi i “Planit Rregullues të Përgjithshëm” e përcaktonte këtë unazë me gjerësi të shtratit asfaltik 21 m dhe me dy trotuare nga 10 m secili. Por, jemi duke folur për vitin 1977 ku Tirana kishte vetëm 3000 automjete dhe shumica dërmuese e tyre ishte për transport mallrash, pra nuk u lejohej hyrja në zonën qendrore. Kurse sot situata është krejt tjetër. Sot, 1 nga cdo 6 banorë të Tiranës jo vetëm poseidojnë dhe përdorin automjete por numri i tyre është duke u ritur me shpejtësi për të arritur tendencën Europiane prej 1 automjet për cdo 2 banor. Numri i automjeteve pritet të trefishohet kurse Bashkia Tiranë nuk propozon asnjë masë për përballim të situatës ekzistuese. Përkundrazi, Bashkia Tiranë, përkeqëson situatën duke bllokuar sheshin “Skënderbej” pa propozuar ku do të zhvendoset, sot, ky trafik. Tashmë “Unaza e Vogël” nuk mund të ndërtohet më. Kjo sepse Bashkia Tiranë përpara se të ndërtojë rrugët, të paktën me standartin socialist të 33 viteve më parë, jep leje ndërtimi për objekte banimi e shërbimi. Dhënia e këtyre lejeve bën të pamundur spostimin e aksit të Unazës së Vogël në segmentin pranë Kalasë së Tiranës ku po bëhen kërkime arkeologjike për gjetjen e fillesës historike të qytetit. Prej vitesh planifikues urbanë i kërkojnë bashkisë të ndërtoj njëherë sistemin rrugor të një zone dhe pastaj të japi leje për objekte ndërtimore. Kjo, sepse në të kundërt dështon nga qindra arsye apo cfarë nëntoka të afron. Dhe ky është rasti më ekzemplar për ta vërtetuar këtë paradigmë teoriko-teknike.
Sikur të mos mjaftonte kjo, Bashkia e Tiranës e kthen debatin teknik-urbanistik në debat të autonomisë së “cënuar” lokale. E zhvendos debatin, që në fakt është vetëm me një kah, në cështje se kush e ka të drejtën për vendimmarje. I referohet shpesh Kushtetutës dhe Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore dhe “haron” që pushteti decentralizohet në të mirë dhe në drejtim të qytetarëve. “Harron” që delegimi i vendimmarjes nga institucionet qëndrore te ato lokale nuk bëhet se duhet ndyshuar emri autoritetit vendimmarrës por që vendimmarrja të përfshijë direkt qytetarët që preken dhe në të mirë të tyre. Duhet të jenë qytetarët e Tiranës ata që vendosin, në kuptimin e konceptit teorik të decentralizimit. Duhet të jenë specialistët e fushës së planifikimit urban që ti parashtrojnë “sëmundjen” dhe disa variante për “kurim” komunitetit të Tiranës dhe të jetë ky komunitet që të vendosi për variantin më të mirë. Ky është parimi i decentralizimit, qytetarët vendosin mbi alternativat për zgjidhje të problemit të parashtruar nga profesionistët sektorial. Në të kundërt, Bashkia Tiranë e përdori Kushtetutën dhe Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore si armë për luftën politike të Kryetarit. Ky i fundit jo vetëm nuk e pranoi ofertën e Kryeministrit por e cilësoi si ndërhyrje në kompetencë. Sot është komuniteti i Tiranës që konsumon orë të zgjatura në trafikun e bllokuar që nis nga qëndra e shtrihet në gjithë qytetin. Sot është komuniteti i Tiranës që konsumon karburant pafund në këtë trafik të bllokuar. Sot është komuniteti i Tiranës që ndotë pafund ajrin me automjete në gjëndje pune por që rinë në vend, në këtë trafik të bllokuar. A mund të më thotë dikush se në këtë rast decentralizimi i pushtetit ka fuksionuar dhe vendimin e ka marrë komuniteti i Tiranës??? Por askush nuk mund të thotë se, vendimmarrja në këtë rast ka qënë në të mirë të komunitetit të Tiranës.
Së dyti rasti i “Bulevardit Republika” në Korcë. Ky rast është një fotokopje e “Sheshit Skëndërbej” në Tiranë. Ndryshimi i vetëm është se aparati i fotokopjes nuk është cilësor, pra edhe produkti i tij akoma më i palexushëm dhe antiligjor. Kryetari i Bashkisë Korcë del e ligjëron mbi shkeljen e Autonomisë Vendore nga këshilltarët demokratë, që sipas tij u frymëzokan nga Qeveria Qëndrore, dhe harron të përmendi se, po ngushton shtratin e bulevardit “Shën Gjergji” dhe sheshit para Katedrales për të dhënë më pas disa leje ndërtimi pallatesh banimi e shërbimi. “Harron” të përmendi se, vendimin e ka marrë vetëm me 8-të nga 15-të antarët e KRRT-së kur ligji e detyron me të paktën 10-të prej tyre. “Harron” të përmendi se, ndryshimi i funksionit të rrugës, nga për automjete në pedonal, kërkon zgjidhjen e problemit të trafikut të zhvendosur dhe për këtë nuk ka asnjë propozim. “Harron” të përmendi se, miratimi i një leje ndërtimi, qoftë kjo edhe për rrugë, bëhet vetëm pasi miratohet “Studimi Urbanistik Pjesor” i zonës që e përfshin këtë rrugë në territorin e saj. “Studimi i Zonës Qëndrore” të qytetit është hartuar, pse nuk e miraton Kryetari? Kjo është mënyra e vetme për ta drejtuar vendimmarjen drejt rrugës ligjore, kjo sepse edhe “Plani Rregullues i Përgjithshëm” është në fund të procesit të hartimit. Realisht Kryetarit nuk i duhet shëtitorja për qytetarët por debati shterp për “bllokim” të punëve publike të Bashkisë Korcë. A mund të më thotë dikush se edhe në këtë rast decentralizimi i pushtetit ka fuksionuar dhe vendimin e ka marrë komuniteti Korcar??? Por askush nuk mund të thotë se, vendimmarrja në këtë rast ka qënë në të mirë të komunitetit Korcar.
Ligjërime të tilla mbi Autonominë e “cunguar” dhe “sulmuar” locale, sidomos në sektorin e planifikimit dhe zhvillimit urban, do të dëgjojmë shumë deri në 8 Maj sepse duket se kjo do jetë fryma e fushatës socialite për zgjedhjet vendore. Dukshëm socialistët kanë hequr dorë nga teza e “mrekullisë” në punët publike të Kryetarit jopolitikan dhe do përdori “argumentin e shkeljes” të kompetencave të pushtetit vendor. Do përdori “argumentin” se kryetarët e ricikluar si kantidat nuk kanë realizuar premtimet, dhe kjo, sepse nuk i lejon Pushteti Qëndror. Kjo retorikë, në fakt, mund të këtë vetëm një rezultat, ajo do të dëmtojë thellësisht kuptimin masiv të parimit bazik, për një qeverisje të mirë, atë të decentralizimit dhe subsidiaritetit.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017