‘BULEVARDI I RI’, MODELI I VONUAR AQ SA TASHMË DËMTON. Mapo, 04. 08. 2015.

Dëmi më i jashtëzakonshëm që i është bërë popullit shqiptar në këto 25 vjet tranzicion është se e penguan të kuptonte magjinë e demokracisë dhe të tregut të lirë. Edhe sot, pas një cerek shekulli udhëtim, gjenden shqiptarë që mendojnë se ‘për ca gjëra në kohën e Hoxhës ishim më mirë’. Një tmerr vetëm ta dëgjosh këtë konstatim! Në fakt, është e lehtë të kundështosh në diskurs shumicën dërmuese të gjërave ‘që ishin më mirë në atë kohë’, sepse vijnë nga kuptime të gabuara për sistemin e ri, dhe nga qasje të vjetra ndaj tij. Një tmerr i pafund, kur kupton se për një gjë kanë të drejtë! Kur sheh sesi, politika, masa apo vendimmarrje politike apo administrative (të gabuara deri në kriminale), kanë prodhuar një ‘gjë’ të tillë. Me dhimbje, më duhet të pranoj se qëndrat e banuara dhe blloqet e banimit në to, ishin më mirë të perceptueshme për banorin, në atë kohë sesa sot. Teorikisht, e parë nga “katedra” universitetesh duket e pamundur. Si mundet një kohë, kur mungonin thuajse fare mjetet financiare për invesitime, të prodhoj gjendje më të mira urbane se një kohë ku ndërtimtaria ka tërhequr shumicën dërmuese të kapitalit! Mirëpo nëse e mat empirikisht, nuk ka nevojë për përshkrim. Cdo shqiptar e ka gjetur nga një fjalë për të etiketuar me neveri këtë realitet antihuman urban. Në të kundërt, realiteti urban i tridhjet viteve me parë, megjithëse në gjëndje urije e në munges jete, shfaqej i mire përputhshëm fizikisht me banorin e saj. Sepse, modeli përgjithësues i qytetit socialist shqiptar i kishte të inkorporuara të gjitha përdorimet urbane të tokës.
 Aty mund të gjeje, të shpërndara drejt, territore dhe hapsira për cdo aktivitet të ‘njeriut të ri socialist’. Ndër të tjera, spikaste zona e banimit. E strukturuar sipas numrit të banorëve, zona e banimit përfshinte një sërë aktivitetesh shoqërore, të cilat mund të ushtroheshin në hapsirat e hapura apo ndërtesa publike. Gjithcka e vendosur në vend të vet. Kishte lulishte, megjithëse, pa lule. Kishte parqe, megjithëse, pa stola. Kishte kënde lojrash per fëmijë, megjithëse, pa lodra. Kishte kënde sportive, megjithëse, pa mjete sportive. Kishte poliklinika, megjithëse, pa aparatura. Kishte cerdhe, kopështe dhe shkolla, megjithëse, pa mjete edukimi. Kishte gjithcka, megjithëse, gjithcka ishte jashtë funksionit primar të përdorimit. Porse, cka ishte më e rëndësishmja, ekzistonin hapsirat dhe objektet. Gjë që formonte premisën e rëndësishme, që kur ekonomia të ndryshonte drejtim, këto hapsira dhe objekte të kryenin funksionet e tyre. Drejtimi i ekonomisë ndryshoi në fillim vitet ’90-të si pasojë ndryshimeve politike. Përshkak të shumë faktoreve, shoqëria shqiptare krijoi një bazë të mirë financiare që e drejtoi te tregu i pasurive të paluatshme me synim përmirësimin e cilësisë së banimit dhe të jetesës në përgjithësi. Investime që u kryen përgjatë këtyre 25 vjetëve dhe prodhuan realitetin urban që ne përjetojmë sot. Tirana urbane është shfaqja më simbolike e kësaj dinamike kombëtare. Dhe nëse do ishte zgjedhur modeli dhe orientimi i duhur situata do të ishte shumë e ndryshme, jo vetëm për të por për të gjitha qytetet e mëdha shqiptare.
Modeli i duhur do të ishte konservimi i këtyre njësive për një kohë më të vonë, kur shkenca e urbanistikës të kishte përgjigje të reja për mënyrën sesi duhet të rinovoheshin. Paralelisht, në përgjigje të kërkesave për volume të reja ndërtimore, duhej hapur një zone të re zhvillimi për shtrirjen akute dhe në perspektivë afatshkurtër të Tiranës. Mirëpo, ne nuk vepruam kështu. Shoqëria e pa drejtuar nga shkenca e urbanistikës zgjodhi rrugën e gabuar. Ajo zgjodhi që këto investimet ti bënte në blloqet ekzistuese të banimit, duke shtuar volume të reja ndërtimore për banim. Ky model dëmtoi hapsirat e hapura apo objektet sociale në shërbim të aktiviteteve qytetare. Dhe pamundësoi përgjigje për aktivitete të reja apo të shtuara të qytetarëve në një epokë të re, sikuse ishte përdorimi i automjetit privat e të tjera. Atë që nuk bëmë në fillim vitet ’90-të për të shpëtuar atë që kishim trashëguar, po mendojmë ta bëjmë sot nëpërmjet tejshtrirjes së ‘Bulevardit të Ri’ të Tiranës. Mirëpo, cdo gjë e ka vlerën në kohën e vet. Nëse para 25 vjetësh do ishte një punë e mirë, sot është një gabim. Është një gabim, sepse po u ndërmorr, do lëri në harresë dhe në mungesë investimesh blloqet ekzistuese të banimit në Tiranë. Përshkak të një gabimi të para 25 vjetësh ato u dëntuan rëndë duke humbur njëtratshmërinë dhe shpërndarjen e drejtë të përdorimeve të tokës sipas aktivitetit njerëzor. Ai që sot është modeli i duhur, kërkon ndërmarrjen e ndërhyrjeve të thella rivitalizuese dhe rikuperuese për hapsira të hapura dhe ndërtesa sociale, në cdo bllok banimi.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017