REFORMË TERRITORIALE VS. KRIJIMI I QYTETEVE EKONOMIKE. Mapo, 09.04.2014

Debati politik, nëse reforma territoriale është një domosdoshmëri akute apo një cështje qeverisëse që duhet trajtuar jo domosdoshmërisht brenda këtij viti politikisht të ngarkuar, ka arritur në pikë kulmuese. Të dyja palët sjellin argumente pro qëndrimit të tyre. Pala që e vlerëson reformën si një domosdoshmëri thekson se, falë kësaj reforme buxheti i shtetit do kursej rreth 80 milion euro. Ndërsa pala tjetër argumenton arithmetikisht se kjo shumë nuk arrin as 5 milion euro, pra argumenti kundështar nuk qëndron. Mirëpo duhet thënë se, të dyja palët e pranojnë ekzistencën e një barre të pakuptimtë që ka buxheti i shtetit për mbajtjen e këtyre njësive administrative vendore. Pala pro dimensionit akut të reformës, identifikon me dhjetëra njësi të qeverisje vendore që jo vetëm nuk mbledhin të ardhura nga taksimi i qytetarëve të tyre, por, edhe ato të ardhura që vijnë nga qeverisja qëndrore i përdorin për rrogat e tyre dhe nuk realizojnë asnjë investim publik. Si zgjidhje e vetme dhe shteruese, e një problemi kaq kritik për financat e drobitura shqiptare, ofrohet reforma territoriale. Në fakt, bën kuptim. Bashkimi mekanik i disa njësive të qeverisjes vendore do zvogëlonte strukturat e administratave lokale dhe si rrjellim llogjik edhe kostot financiare për mbajtjen e tyre. Zgjidhje e logjikshme, porse askush nuk bën pyetjen fillestare pse ndodh që shumica e njësive vendore nuk mbajnë dot as veten dhe jo më të ofrojnë shërbime apo të bëjnë investime publike? Sepse kjo është pyetja e parë që kërkon përgjigje. Është shumë e thjeshtë të bashkosh njësi për të synuar efekstivitet. Është rruga më e shkurtër. Por cfarë ndodh nëse disa vjet pas bashkimit na rezulton se edhe njësitë e reja (të bashkuarat) na falimentojnë. Dhe nuk do ishte cudi të ndodhte, nëse vazhdojmë të investohemi në zgjidhje të momentit. Performancën ekonomike e një njësie administrative nuk ka të bëjë me madhësinë e saj. Rasti i qytetit të Detroit, na e vërteton këtë. I madh ishte edhe Detroit, qyteti i 18-të për nga madhësia në SHBA, por falimentoi. Dhe ShBA nuk tentuan ta përballin këtë cështje duke e bashkuar me ndonjë njësi tjetër administrative.
Sidoqoftë, problemi ekonomik i qëndrave të banuara shqiptare qëndron dhe kërkon zgjidhje. Vërtet nuk duhet ti japim zgjidhjen më të shkurtër por një zgjidhje duhet t’ja japim. Sikurse kur na dhëmb koka në mënyrë të vazhdueshme nuk duhet të marrim nga një aspirinë dhe ta lëmë me kaq, edhe në këtë rast duhet të thellohemi në analiza të thelbit të problemit. Dhe problemi është i qartë. Qytetet tona nuk arrijnë të grumbullojnë aq të ardhura sa të mbajnë administratën e vet dhe të ofrojnë shërbime e të bëjnë investime publike në një masë të pranueshme. A është ky problem që vjen thjeshtë nga disniveli i dy shtyllave të decentralizimit (funksione dhe financë)? Pra, mos vallë i kemi kaluar shumë funksione qeverisëse njësive vendore dhe pak mundësi konkrete për grumbullim të ardhurash nga taksimi lokal? Opinionist dhe ekspert të ndryshëm besojnë se po, dhe në një masë të caktuar kanë të drejtë. Por nuk është vetëm ky problemi, sepse po të ishtë kështu mjafton të shtonim numrin e taksave lokale dhe zgjidhja do të vinte si me magji. Problemi i vërtetë është se falimentimi i qytezave shqiptare ka filluar 20 vjet më parë dhe po shkaktohet nga një sërë faktorësh. Faktori më determinues është rënia e madhe e popullsisë aktive për punë dhe e nivelit të punësimit. Sepse punëdhënësi më i madh dhe shpesh i vetëm është shteti. Në pamundësi për të gjetur një vend pune, qytetarët janë larguar nga qëndrat e tyre të banimit. Kjo gjë ka ulur ndjeshëm numrin taksapaguesve dhe si rrjedhim edhe mundësinë e qyteteve për të ofruar shërbime apo për të bërë investime publike. Kjo është cwshtja e vërtetë. Dhe ne kësaj duhet ti japim zgjidhje. Si ta bëjmë popullatat lokale të ndjehen të realizuara në vendbanimet e tyre të origjinës? Nëpërmjet cilave politika do tí ‘detyrojmë’ që me vullnet të lirë kwto komunitete të qëndrojnë dhe kontribuojnë në vendlindjet e tyre? Biles, si do ti kthejmë edhe ato familje që kanë migruar në qytetet e mëdha apo jashtë vendit? Dhe nëse gjejmë politikat e duhura, atherë do ti kemi dhënë përgjigje të qëndrueshme dhe afatgjatë këtij problemi. Me reformë territoriale, me bashkim mekanik njësish vendore thjesht e kemi shmangur për ca kohë. Thjeshtë ja kemi trashëguar brezave të ardhshëm. Sepse problemi i vërtetë ngelet aty duke u agravuar më tej.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017