TOKA BUJQËSORE “ZONË E MBROJTUR” . Koha Jone, 17.01.2011

Kushdo qytetar shqiptar apo vizitor i huaj që shëtit nëpër Shqipëri, vëren me lehtësi zhvillimin e shpejtë të ekonomisë, pra edhe të territorit. Mjafton të përshkosh, pas një periudhe të shkurtër kohe, një zonë të Shqipërisë dhe me një herë mund të dallosh ndryshime të mëdha. Nëse je në shoqërinë e një të huaji, që vjen për herë të parë në Shqipëri, ndihesh krenar se shoqëruesi juaj impresionohet që në kilometrat e para të udhëtimit. Ka dëgjuar shumë për Shqipërinë por shumë pak të vërteta, shumica larg realitetit. Nëse ky i huaj që ka qënë edhe më parë në Shqipëri, apo eshte shqipëtar me banim jashtë, përsëri ndihesh entuziast nga fjalët e tyre pozitive për ndryshimin e shpejtë. Zhvillimi është i dukshëm dhe në pamje të parë shumë cilësor. Shikon kudo ndërtime të reja, të bukura, të ndërtuara me teknologji dhe materiale moderne. Fantazitë e arkitektëve materializohen në ndërtime shumë moderne, me elementë funksional e dekorativ të shumëllojshëm, vërtet mbreslënëse. Çdo objekt, edhe ai më modesti në nevojat funksinale, trajtohet në detaje thellësisht artistike të personalizuara. Çdo objekt në vetvete më i bukur se tjetri, biles në garë mes tyre. Sheh diku një magazinë apo një objekt të një linje prodhimi dhe menjëherë të kujtohet një kinema apo një teatër. Kuptohet që kërkesat që ka patur projektuesi ndaj vetes dhe investitori ndaj tij kanë qënë maksimale. Nuk ka më bukur të shohësh, biles të mësosh nga tendenca e krijuar dhe nga elementët e këtij zhvillimi. Po a jemi ne kaq të pasur? Sidoqoftë, nuk është kjo tema e sotme. Vazhdojmë udhëtimin imagjinar. Kudo dallon zhvillim dhe ky me ritme shumë të shpejta. Ndërtohet për banim por mësë shumti ndërtohet për prodhim. Në to punojnë njerëz, këta fitojnë jetesën. Shtohen ndërtimet, shtohen të punësuarit, shtohen të ardhurat për familjet e tyre, ulen nivelet e taksave, shtohen kapitalet e akumuluara të investitorëve, shtohen ndërtimet dhe historia hyn në cikël vetpërsëritës.
  Bashkëbiseduesit e mi entuziasmohen. Ja një fabrikë atje në mes të arrës, një benzinatë dyqind metra më tutje, një restorant njëqind metra në veri. E kështu vazhdon, e përsëritet si procedurë. Shumë ndryshim, shumë bukur them por ndërkohëndihem i pezmatuar. Çuditem me veten! Kush është ai shqipëtar që mund të pezmatohet nga zhvillimi i vëndit të vet, bile nga një zhvillim me elementë kaq sasior e cilësor? Por, e kam një përgjigje dhe po e ndaj me ju. Një urbanist, një planifikues i territorit, një planifikues në përgjithësi është përgjigjja. Në fakt shumë kilometra më parë, pa e kuptuar edhe vet, kisha filluar të mendoja si i tillë. Identiteti im si qytetar i lumtur për zhvillimin e shpejtë të vendit të tij, i përkëdhelur në sedër nga fjalët e mira të bashkëudhëtuesve, ishte zëvendësuar me shpejtësi nga identiteti im si planifikues i territorit. Me mendje kisha filluar ti zhvendosja objektet. Ky objekt duhet të ishte atje, ky tjetri në jug të tij. E kështu në vazhdim kisha filluar ti grupoja objektet sipas funksionit, mundësisë për ti shërbyer njëri- tjetrit dhe më e rëndësishmja duke krijuar hapësira të lira për zhvillimin e së ardhshmes. Në fakt, zhvillimi i pritshëm do të jetë më i shpejtë, platforma është ndërtuar, shinat janë montuar, treni sa ka dalë nga stacioni. Në këtë logjik, hapsira të tjera edhe më të mëdha territoriale na nevojiten për të ardhmen. Por a kemi ne kaq shumë territor? Kemi qënë një vend tërrësisht agrar, territoret kryesisht i kemi trajtuar për toka bujqësore. Industria ishte e pakët dhe e grupuar, pra dhe territoret që kishim dëmtuar në funksiontë saj ishin minimale.

Ndërsa tani, po shkëpusim nga të mundim për zhvillime industriale nga fondi i tokës bujqësore. Po e minimizojmë e varfërojmë me shpejtësi këtë fond. Shqipëria është një vend i vogël dhe territori i saj është shumë i kufizuar, pak më tepër se 28 000 kilometra katror. Në vitin 1994 ajo zinte vendin e fundit në Europe, përsa i përket tokës buqësore për frymë popullsie. Kishim më pak tokë bujqësore për banor edhe se Egjypti, shtet ky që pjesën dërmuese të territorit të tij e ka në shkretëtire. Më pas, toka bujqësore është dëmtuar në vazhdimësi duke kulmuar me zënien e saj në mënyrë masive për banim (1995- 2005). Ky proces është ndihmuar, fatkeqësisht nga mospërdorimi për shumë vite i tokës bujqësore, në destinacinin e saj si e tillë. Erozioni dhe shkarjet, fenomene këto shumë të përhapura vitet e fundit, kanë ndikuar jo pak në tkurjen e territoreve bujqësore në Shqipëri.
  Dikur, në fillim të viteve 80-të, im atë donte të më jepte kuptimin e konceptit “modë” në shpresën që edhe në këtë aspekt të mbillte te unë një mendim ndryshe. Ai mundohej të nënvizonte faktin që “moda” jo vetëm nuk ishte një privilegj i “borgjezisë”, por një domosdoshmëri për “klasën punëtore”. Në atë kohë në moshë shumë të re dhe i flustruar nga teori të rreme, më dukej shumë e vështirë që kjo të ishte e vërtetë. Por, me kalimin e viteve kuptova që ai kishte të drejtë, të pasurit edhe nëse dështonin në zgjedhjen e një veshje të caktuar kishin një garderobë të madhe për ta fshehur këtë gabim. Ndryshonte puna për të varfrit të cilëve u duhej ta planifikonin mirë një shpenzim për një veshje të re, atyre nuk u lejoheshin gabimet. Ata mund të kishin vetëm një veshje. Ata duhet ta planifikonin mirë në mënyrë që kjo veshje të jetonte sa më gjatë, që kjo veshje t’ju rinte sa më bukur, që kjo veshje të kishte prerjen e duhur për ta, që kjo veshje që kishte ngjyrat e duhura për ta.

 Në fushën e zhvilimit të territorit ne gjëndemi në të njëjtën situatë, jemi të varfër me territor. Në këtë fushë nuk e kemi lluksin e planifikimit që lejon gabimet. Mungesa e territorit në përgjithësi duhet të na bëjë të ndjeshëm ndaj cdo ndërhyrje pjesore. Në fund të fundit planifikim do të thotë kompromis. Kompromis interesash të aktorëve direkt të prekur dhe atyre që zhvillimi do ti shërbej me të ardhmen. Duhet të analizojmë të gjitha interesat përpara se të vendosim për zhvillim. Ai duhet të jetë i studiuar mirë përpara se të lejohet. Duhet të planifikojmë në afatgjatësi, zhvillimi i qëndrueshëm dhe ndërbrezor duhet të jetë motoja jonë. Zhvillim mbështetur në planifikim të territorit për një periudhë kohe disa dekadash e më shumë. Qeverisja, pushtet qendror apo vendor, duhet të ketë kontroll mbi territorin, duhet të ketë supost mbi planifikimin e territorit, duhet të ketë kontroll mbi mbi cdo zhvillim.
  Në këtë konteks, ruajtja e tokës bujqësore nuk është më një akt i nevojshëm por i detyrueshëm. Kjo, duhet dhe është detyra kryesore e institucioneve që ngarkon ligji për planifikimin e territorit. Kjo duhet të jetë “paradigma” e cdo akti planifikues në këtë sektor. Strategjia e mbrojtjes së territorit me destinacion bujqësinë duhet të jetë refreni i cdo programi politik të kujtdo force politike që synon pushtetin në Shqipëri. Kjo ide kryesore duhet të mbështet me shpejtësi dhe intergritet nga ide dytësore. Politika ndërsektoriale dhe sektoriale, akte ligjore e nënligjore duhet ta zbërthejnë dhe mbështesin deri në detaje këtë nismë politike. Si cdo program politik edhe ai i zhvillimit të territorit, duhet të ketë edhe nivelin e tretë të ideve: rregulloret kombëtare; rregulloret vendore; politikat kombëtare; planet kombëtare; politikat vendore si dhe planet rregulluese të cdo qëndre të banuar.
Ruajtja e tokës bujqësore deri në koservatorizëm si ”teori” do të sjelli në vëmëndje të autoriteteve kompetente kërkesën për hartimin e politike dhe teknikave që do ta bënin të mundshme dhe të aplikueshme këtë. Kjo është detyra që koha i shtron institucineve qëndrore për zgjidhje. Në këtë konteks, duhet të hartohet “Plani Kombëtar “. Ky plan, në vështrimin tim, duhet të konceptohet si një gup studimesh të llojit “Masterplan”. Këto studime duhen konceptuar si shtresa të ndryshme të të njëjtit projekt. Shtesa që kur vendosen mbi njëra –tjetrën nuk mbivendosen dhe nuk lënë hapsirë të pa trajtuar. Çdo centimetri katror i territorit duhet ti përgjigjet një destinacion zhvillimi (ose konservimi) dhe ky të jetë i vetëm. Territori që duhet të merret në studim duhet të përfshijë gjithë territorin kombëtar. I trajtuar me një paraqitje grafike të thjeshtë dhe me një material të shkruar sa më të kuptueshëm ai duhet të ketë përgjigjen për pyetjen e madhe: Kush do të jetë raporti i zhvillimeve të ndryshme ekonomike? Ky plan duhet të ketë përgjigje për pyetje të rëndësis sektoriale dhe ndërsektoriale: kush do të jetë territori në konservim dhe mbrojtje; kush do të jetë territori për zhvillim i ekonomisë bujqësore e blegtorale; kush do të jetë territori për zhvillim i kësaj apo asaj industrie; kush do të jetë territori për zhvillim të industrisë së turizmit; kush do të jetë territori për zhvillimin e qëndrave të banuara ekzistuese apo atyre të reja; etj.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017