NDËRTIME ME LEJE APO PALEJE - PËRTEJ PROPOGANDËS - KUSH ËSHTË NDRYSHIMI? Mapo, 08.12.2014

Mund të gjenden shumë të njëjta në diskursin e dy lidërve politikë të shoqërisë shqiptare, z. Basha dhe z. Rama, por ajo që do trajtojmë sot është dakortësia mbi qëndrimin ndaj medias. Vecanërisht mbi qëndrimin e saj ndaj lajmit, mesazhit apo njoftimit politik që mediatojnë në public. Për të qënë më të sakt duhet të kishim thënë shfaqin në public, sepse ato këtë bëjnë. Marrin një deklaratë publike të ndonjë partiaku apo kundështinë e një partiaku tjetër dhe e transmetojnë në public. Pa e vrarë mëndjen se cfarë kuptimi ka ai?; sa i vërtetë është?; si dhe sa përkthehen në të premtimet politike të shumicës qeverisëse?; apo cfarë vlere ka për grupe të ndryshme të shoqërisë? Sigurisht, media është qartësisht e ndarë në interpretimin e lajmit sipas raportit që ato kanë me qeverinë. Media pro qeveritare e interpreton sikurse qeveria, ndërsa pjesa tjetër egzaktësisht në ekstremin tjetër. Mirëpo, unë nuk e kam fjalën për këto lloj qasjesh.
Unë po flas për një analizë dhe opinion teknik të ekspertizës mbi pyetje të zgjuara të gazetarëve. Nuk ekziston. Dhe për ta vërtetuar këtë ju bëj një ftesë. Blini gazetat dhe rindiqni emisionet televizive të muajit të fundit. Megjithëse fjala kyce është një- BURG- dy janë temat kryesore. Flitet ose për energjinë elektrike ose për ndërtimet paleje. Titujt kryesorë që mund të gjeni për temën e dytë (që në fakt është tema jonë e preferuar), janë shokuese. Janë nga ato që e cojnë shoqërinë nga kaosi mendor drejt një cmendurie kolektive. Ndiqeni ftesën time dhe do të gjeni: ‘Ja lista e emrave të 1220 familjeve që marrin tapinë e ndërtesave paleje dhe të truallit’; ’Listën e emrave të të arestuarve për ndërtim paleje’; ‘Listën e trojeve të legalizuara’; ‘2600 ndërtime paleje të hedhura në tokë nga INUK’; ‘Ja kush janë kushtet e vetdeklarimit për legalizime të reja deri në 31 dhjetor’!!! Bota e Lizës është më normale se Shqipëria jonë e vitit 2014.
Shkruhen dhjetëra mijë fjalë për këto tituj, por askush nuk nge pyetjen se cfarë u legalizohet trojeve? Dhe në fakt është titulli më idiot që kam lexuar ndonjëherë. Trojet kanë qënë aty që kur toka u formua. Mund të kenë ndyshuar bimësinë që e vesh, topografinë e sipërfaqes apo karakteristikat e shtresave nënsipërfaqe, por vështirë të ketë ndryshuar vendndodhjen apo sipërfaqen. Cfarë ilegaliteti mund të kenë që u dashkan legalizuar! Më tej, kaos total i veprimit të institucioneve ligjzbatuese të të njëjtit shtet. Dikush prish ndërtime, biles fut në burg ndërtuesit. Dikush tjetër legalizon ndërtesën jolegale, e bashkë me të shet trualin e një pronari tjetër që ndërtimi ka zënë, e biles ka hapur sezon të ri për vetdeklarime të ndërtesave të ndërtuar rishtash paleje! Askush nuk pyet dhe pakkush jep opinion se kush është ndryshimi midis këtyre grupe të ndërtimeve?! Duhet të jetë shumë i madh, përderisa qeverisja ofron qëndrime kaq të ndryshme.
Askush nuk pyet dhe askush nuk flet sepse nuk ka asnjë ndryshim. Të paktën jo në lidhje me arsyen për të cilën prishen apo legalizohen, sepse janë të paligjshme njësoj. Biles edhe ndërtesat paleje me ndërtesat me leje. Sepse edhe ndërtimet me leje të këtyre 15 viteve të fundit janë po aq në kundështim me ligjin sa ato paleje. Ndryshimi i vetëm është një copë letër e ndoshta ndonjë zarf i dhënë për të. Sepse ligji kërkon që një leje të jepet në përputhje me përcaktimet e një studimi pjesor të një njësie strukturore të qytetit dhe ky të jetë në përputhje me përcaktimet e planit të përgjithshëm rregullues. Kjo është sinteza e kërkesave të ligjit dhe përgjigjen mund ta gjeni vet. Bëni pyetjen: kush nga qytetet shqiptare ka një plan të përgjithshëm rregullues të miratuar dhe për cdo njësi formuese të tij ka studime pjesore të miratuara? Cdo ndërtim me leje që gjëndet jashtë përgjigjes që do ti ktheni vetes është po kaq i paligjshëm sa ndërtimet paleje.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017