KRYEMINISTRI PUSHTON TIRANËN PËR TA CLIRUAR NGA NDËRTIMET PALEJE! Mapo, 14.10.2014

Një nga termat më të përdorur në Shqipërinë e dekadës së fundit është ‘zhvillim i qëndrueshëm’. Elita politike e përdor, sikurse një magjistar kapelen e tij, për të hutuar miletin ndërsa bën atë që di të bëj më mirë. Të mbështesi interesa special ekonomike dhe politike, të një grushti njerëzish të privilegjuar, përfshirë edhe të vetat. Ndërsa shumica dërmuese e shqiptarëve varfërohen përditë si nga të ardhurat e pamjaftueshme familjare ashtu edhe nga vështirësimi i përditshëm i kushteve urbane të jetesës. Por, mbi të gjitha, nga grabitja para syve e pronësive apo të drejtave të pronësisë të trashëguara nga të parët e tyre. Megjithëse të gjithë njësoj vecuar nga përfitimet e zhvillimit ekonomik kombëtar, ata vet-ndahen në dy grupe diametrikisht të kundërta kur elita politike dhe publike artikulon “politikë”. Cuditërisht, gjithmonë dakortësojnë me partinë që “i përkanis” dhe asnjëherë nuk kanë një mendim të kundërt me to. As në rastin kur veprimet qeverisëse prekin në mënyrë të drejtpërdrejt interesin e tyre personal e familjar.
Por le të kthehemi te termi cudibërës ‘zhvillim i qëndrueshëm’. Përtej përdorimit jo rrallë herë të gabuar e të pavend, duhet thënë se sipas përkufizimit më shpesh të ndeshur në librat shkencorë, ai ka kuptimin e zhvillimit ku dimensioni ekonomik, mjedisor dhe social gjënden të barasvlefshme. Mirëpo, ky është aspekti teorik i këtij koncepti. Sepse në praktikë (empirikisht) raporti midis komponentëve ndryshon në varësi të konteksit dhe rrethanave ku shoqëria ndodhet. Tre dimensionet e këtij lloj zhvillimi shpesh kundështojnë e shtyjnë njëra-tjetrën dhe një shoqëri që ndodhet në vështirësi të thellë ekonomike e shoqërore, vështirë se e ka luksin ti largohet thelbit ekonomik e social të zhvillimit për kërkuar një mjedis më të pashëm estetikisht. Duket se kjo logjikë racionale, sëbashku me një paaftësi totale të institucineve qeverisëse për të moderuar procese gjithëpërfshirëse planifikuese, ka qënë arsyeja që qëndrat urbane shqiptare shfaqen sikurse shumëkush e di dhe pakkush e pëlqen.


Comments
Post a Comment