MOS KA ARDHUR KOHA PËR REFORME ADMINISTRATIVO-TERRITORIALE? Mapo, 21.11.2012

Në 2005 Qeverisja Qëndrore ndërmorri një reformë të thellë të sistemit të planifikimit të territorit. I akuzuar, ndër të tjera, edhe se prodhonte mundësi konkrete për vendimmarrje preferenciale (korrupsion), sistemi i vjetër u vlerësua si i paaftë për të drejtuar zhvillimin e shpejtë dhe të planifikuar të ekonomive, industrive apo zhvillimeve të qëndrave urbane. Mbështetur në disa parime shumë të rëndësishme të Qeverisjes së Mirë dhe Qeverisjes Shumënivelëshe startoi projektimi i një sistemi të ri. Në prill të vitit 2009 Kuvendi i Shqipërisë miratoi, me shumicë të cilësuar, një ligj të ri për planifikimin e territorit, i cili pas një faze tranzitore në tetor të vitit 2011 hyri plotësisht në fuqi. Logjikisht duke shfuqizuar ligjin e vjetër dhe duke prishur edhe disa ekulibra shumë të rëndësishëm, të paktën në planin teorik, të vendosura më parë. Ndërsa, sistemi i vjetër kishte deleguar funksionin e planifikimit urban dhe lejedhënien për struktura e infrastruktura, kishte përcaktuar gjithashtu një ‘kleckë’. Kjo “kleckë’ ishte koncepti i ‘vijës kufizuese të ndërtimit’ për një bashki apo komunë. Sipas këtij koncepti bashkitë apo komunat mund të merrnin vendime për leje ndërtimi në zonat brenda vijës kufizuese të ndërtimit, sigurisht, në përputhje me planet e miratuar dhe sipas një procedure të përcaktuar nga sistemi. Kështu, për një Njësi të Qeverisjes Vendore ekzistonin dy përcaktime, dy kufinj, njëri ishte kufiri administrativ dhe tjetri kufiri i zonës së ndërtimit. Këto ‘vija’ kufizonin sipërfaqe shumë të ndryshme toke, përsa i përket madhësisë, për të njëjtën njësi administrative vendore dhe miratoheshin nga organe të ndryshme qeverisëse dhe në procedura e procese shumë të ndryshme ligjore. E thënë thjesht dhe në mënyrë përgjithësuese, këto kufinj ishin të ndryshëm në cdo aspekt. Sidoqoftë kishte një harmoni, një ekulibër të ‘vijës kufizuese të ndërtimit’ me numrin e banorëve. Sa më shumë banor të kishte një njësi administrative locale aq më e madhe sipërfaqja e zonës së ndërtimit. E kuptueshme kjo përderisa territori urban i shërbente nevojave të banorëve dhe se duhet të ishte numri i banorëve që përcaktonte edhe sipërfaqen e territorit në shërbim të aktiviteteve urbane njerëzore. Kjo vijë propozohej nga ekspertët e planifikimit urban, pas një procesi shkencor vlerësimi, dhe legjitimohej përfundimisht me vendim të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës.
  Mbështetur në një filozofi të qartë demokratike, sipas të cilës njerëzit ishin të barabartë pavarësisht ku banonin, u hartua në vitin 2000-ë ligji për organizimin dhe funksionimin e Qeverisjes Vendore. Një nga konceptet e vjetra, sipas të cilit qytetet ndaheshin në pesë kategori sipas “rëndësisë” (ligji për planifikimin urban, 1998), u zhvlerësua. Në këtë kuptim u zhvlerësuan edhe diferencat në trajtim të tyre nga Qeverisja Qëndrore, si dhe funksionet dhe kompetencat e tyre. Tashmë vendbanimet humane ishin njësoj të rëndësishme, pavarësisht numrit të banorëve. Pavarësisht numrit të tyre administratat dhe politikanët e votuar vendor kishin të njëjtat përgjegjësi dhe detyra. Dhe kishte kuptim, sepse pavarësisht se ku banojnë qytetarët kanë të njëjtat të drejta për shërbime publike dhe të njëjtat detyrime për bashkëjetesë kolektive. Sepse pushtetin e kanë njerëzit, e përderisa janë të barabartë, delegojnë te politikanët e tyre të votuar, të njëjtat përgjegjësi dhe detyra. Për këto arsye dhe në këtë frymë sistemi i ri i planifikimit të territorit i njeh cdo njësie të qeverisjes vendore detyrën dhe të drejtën e planifikimit dhe kontrollit të zhvillimit të territorit. Ja njeh cdo njësie vendore pavarësisht madhësisë territoriale apo numrit të banorëve. Në sferën teorike, në kuptimin e të gjithë qytetarët janë të barabartë, reforma e planifikimit të territorit paraqitet shumë demokratike e moderne, por a është kështu edhe në planin aplikativ? A marrin të njëjtat shërbime, në sasi dhe cilësi të njëjtë të gjithë qytetarët shqiptar, pavarësisht ku jetojnë ? Sepse ky është synimi përfundimtar. A marrin të njëjtat shërbime, pavarësisht nëse jetojnë në komuna të vogla apo bashki të mëdha? Nuk besoj. Kjo edhe teorikisht duket e pamundur. Marrim një shembull, bashkia më e madhe në Republikën e Shqipërisë (përsa i përket numrit të banorëve) është Bashkia Tiranë me një popullsi prej 726 547 banorë. Në përgjigje të nevojave dhe kërkesave të një popullsie të tillë Kryetari i Bashkisë dhe administrata e saj duhet të planifikojë, menaxhojë dhe kontrollojë zhvillimin e një territori prej 42 kilometra katrorë. Ndërkohë, një nga komunat më të vogla (përsa i përket numrit të banorëve) është Komuna e Kelmendit, Qarku Shkodër, me 6306 banorë. Kryetari i kësaj komune, si politikan i votuar, dhe stafit të tij i duhet të planifikojë, menaxhojë dhe kontrolloj zhvillimin e një territori prej 294 kilometër katror. Po, po 294 kilometër katror. Më shumë se 252 kilometra katror apo më shumë se shtatë herë sipërfaqen e territorit nën administrimin e Bashkisë Tiranë.
 Sigurisht nuk jam duke thënë se presioni për zhvillim i këtij territori, nga qytetarët apo bisnesi, është i njëjtë me atë të Tiranës, por, sidoqoftë funksionet dhe kompetencat janë të njëjta, pra edhe mundësitë më të mëdha për dëmtim të territorit, burimeve natyrore apo investime të gabuara. Shpesh herë janë komunat dhe bashkitë e vogla që kanë pasuritë më të mëdha natyrore. Cfarë mundësi praktike ka që një administratë dhe politikan i votuar nga një popullsi 1000 herë më të vogël me një akses në sipërfaqe territoriale prej shtatë herë më të madh, të marri vendimet e duhura? Për mua shancet për barazi në shërbime (sasiore dhe cilësore) janë të pakta në mos nuk ekzistojnë. Nuk ekziston as mundësia konkrete e zhvillimit të qëndrueshëm të territorit.
Kështu gjendemi përpara një problemi të cilin ose duhet ta injorojmë, sic bëjmë shpesh, ose duhet ta përballojmë duke i dhënë një zgjidhje. Dhe mundësitë për zgjidhje janë vetëm dy. Njëra është kthim në të kaluarën, duke i klasifikuar njësitë e pushtetit vendor në klasa dhe duke shpërndarë funksione dhe kompetenca sipas klasave. Por, kjo është e papranueshme. Ne nuk mund të pranojmë konceptin e vjetër- të gjithë qytetarët janë të barabartë ndërsa disa janë më të barabartë se të tjerët- ndërsa aspirojmë demokraci të aplikuar dhe jo teorike. Mundësia e dytë dhe më e mire, të paktën sipas meje, është reforma territoriale. Përcaktimi i llojeve të reja të njësive të qeverisjes vendore dhe ndarje e bashkim i njësive aktuale me synim funksionimin më të mirë të mundshëm të tyre në shërbim të qytetarëve. Pse jo, edhe si një hap i parë e i domosdoshëm drejt një shpërndarje sa më të ekuilibruar dhe të balancuar të vendbanimeve njerëzore në territorin Kombëtar.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017