MJERIMI URBAN I ‘PAZARIT TË RI’! Mapo, 06.11.2014

Opinionistë të shumtë e kanë lexuar si bashkëpunimin e parë midis dy qeverisjeve, vendore dhe qëndrore, punimet e bëra në sheshin ‘Nënë Tereza’, me rastin e ardhjes së Papës së Romës. Mirëpo e kanë gabim. Duke mos harruar të përmendim ‘Sheshin Ëillson’, i cili gjithashtu u pastrua e zbukurua për shkak të një vizite të ngjashme, bashkëpunimi i parë midis dy administratave që vijnë nga dy partitë “në luftë”, është sjellja me ‘Pazarin e Ri’. Biles, jo vetëm i pari. Por edhe më xhentëllmeni, më mediatiku dhe më persistenti. Më xhentëllmeni, sepse dy njësive “armike” nuk ju është dashur as që të komunikojnë për të arritur në një marrveshje. Secili më vete, sipas rrotacionit në qeverisje, në heshtje, ka bërë pjesën e vet. Më mediatiku, sepse nuk ka pasur fushatë zgjedhjesh lokale ku sfidanti nuk e ka identifikuar mediatikisht si shembullin më tipik të dështimit të Kryetarit në detyrë. Dhe më persistentja, sepse kjo marrveshje reziston prej 23 vjetësh. Mirëpo, nëse për dy shëmbujt bashkëpunimi ka dhënë produkt pozitiv, nuk mund të themi të njëjtën gjë për rastin në trajtim.
Pazari i Ri, për ata që nuk e njohin, ka qënë një nga zonat më të rëndësishme të Tiranës së para vitit ’90-të. Vecanërisht pjesa tregtare e saj që përfshinte markatën e madhe, gastranomin dhe të vetmen hapsirë të tregut të lirë, ku katundarë të mbilodhur shisnin ato pak produkte bujqësore që kishin kultivuar në kopshtet e tyre. Jo më pak e posacme ishte pjesa arsimore e saj, që përfshinte Shkollën e Kuqe dhe shkollën Fan Noli. Ndërsa ajo që i jepte specifikën në qytet ishte Poliklinika Qëndrore. Nëqoftëse, të vije te Poliklinika Qëndrore nuk ishte një gjë e mirë sepse identifikonte probleme me shëndetin, të kishe punë me një godinë tjetër, përball saj, ishte gjëja më e keqe që mund të ndodhte në jetë. Ajo ishte Prokuroria e Përgjithshme dhe i jepte rrugës rëndësi kombëtare. Por ajka e gjësë ishte “Ambasada Polake”, që në fakt ishte një përfaqësi tregtare e këtij shteti. Ndërsa aspekti rezidencial (banimi) mbushte hapsirat e tjera dhe përbëhej në shumicë dërmuese nga grupe shtëpi qelpici në të njëjtin kulm dhe vila dy-tre katëshe të ndërtuara para apo përgjatë pushtimit fashist. Kështu ka qënë, sepse nuk është më kështu. Të paktën në aspektin urban. Rrjet infrastrukturor i fillim shekullit të kaluar. Rrjet rrugor i njëjtë për nga gjerësia megjithëse numri i automjeteve është qindrafishuar. Trotuare inekzistente nga mungesa fizike apo nga zënia. Ndërtesa qelpici, të banuara apo të braktisura, në prag shëmbje. Apo të shembura tashmë e me pamje sikur do të tërheqin me vete edhe ndërtesat fqinje. Vila apo ndërtesa të stilit neo-klasik të vjetëruara, të dala boje e me suva të rëna. Ndërtesa të reja, por më të shëmtuara se të vjetrat. Të shtrembta në vetvete, të kithta me të tjerat, e me ballkone që varen mbi kryet e rrugicave qorre. Rrugica, diku të asfaltuara rishtas e pak me tej me asfaltin e shqyer të dekadave më parë, nga ku dalin në sipërfaqe erërat e mbetjeve organike apo vet ato. Dhe si një perde që i mbulon të gjitha, një pafundësi vjetësirash, nga ato që mund ti gjesh vetëm në kazanët e plerave, në pritje për tu shitur. Gjithcka në mjerim. Gjithcka orient i thellë.
Përvec banorëve. Ata janë të varfër por të duruar. Në qetësi të plotë durojnë kolltuqet, divanet e mobiljet e vjetra që ekspozohen për shitje para portave të shtëpi të tyre. Bicikletat e motorat që kanë zënë ato pak trotuare dhe që duket sikur do sulmojnë kalimtarët për ti detyruar që këta ti blejnë. Motorët me tre rrota të transportit që kanë zënë edhe atë pak shtrat rruge ndërsa presin që blerësit e këtyre raqeve e vjetësirave të kenë nevojë ti transportojnë. Makinat luksoze të banorëve të pasur të atyre pak pallateve të reja që janë lejuar të ndërtohen. Furgonët e kamionët që furnizojnë dyqanet e shumta ushqimore, bulmetore apo fruta-perime. Me qetësi të plotë, durojnë shumëcka, në pritje. Në pritje që administratat e qeverisjeve të kuptojnë atë që ata vet e kanë kuptuar me kohë. Të kuptojnë se, sado persistent të jenë në marrveshjen e tyre të bashkëpunimit antizhvillim, tregu i lirë do triumfojë. Tregu i lirë dhe mekanizmat e tij do ta mposhtin këtë marrveshje të turpshme për këtë zonë të Tiranës. Për kërthizën e Tiranës.
 

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017