‘BULEVARDI I RI’, NJË FLLUSKË PRONASH TË PALUAJTSHME. Mapo, 21. 07. 2015

Opinioni publik beson se një nga faktorët që ndikoi në cvlerësimin e mandatit të z. Basha, është mosmbajtja e një prej projekteve të tij më të bujshme. Bëhet fjalë për ‘Bulevardin e Ri’ të Tiranës. Më sakt, një shtesë e re në vijmësi të Bulevardit ‘Zogu i Parë’ që fillon nga ‘Stacioni i Trenit’ dhe vijon po aq gjatë sa ekzistuesi. Në fakt, ka një kontradiksion të fortë e vetkundështues në diskursin për këtë projekt të ish drejtuesve të bashkisë Tiranë, përfshirë këtu edhe ish Kryetarin. Njëri thotë se ishte premtim elektoral i mbajtur në letër dhe i paimplementuar përshkak të bllokimit politik! Dikush, se nevoja për një shtrirje të re urbane u identifikua nga teknicienët kombëtar dhe ndërkombëtar përgjatë procesit të hartimit të Planit Vendor! Një tjetër, se ishte ide e origjinalizuar në konsultimet me komunitetin, dhe propozuar nga vet qytetarët! Kjo rrëmujë justifikimesh na drejton në vëzhgime më të thella. Sigurisht, që nuk mund të gënjëjmë veten e të pranojmë se kjo është një ide komunitare! Ne i njohim standartet e vëndit ku jetojmë. Gjithashtu, është afër të pamundurës të besojmë se kjo ide paska ardhur nga ekspertët! Vecanërisht në konteksin e sotëm urban të Tiranës. Përtej origjinalizimit të cuditshëm, projekti i ‘Bulevardit të Ri’ duket si ato “veprat e pesëvjecarit” që prezantoheshin si dhurata të Partisë për klasën punëtore e fshatare. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me qytetarët e Tiranës së sotme. Ju është premtuar një gjë që ndërsa i ngarkon me borxhe jo vetëm ata por gjithë shqiptarët, i lë në mjerimin urban ekzistues.
Biles shumë më keq, sepse po kërkojmë të kreditohemi me 26 milion euro për të hapur një treg të ri të pasurive të patundshme, ndërkohë që tregu ekzistues është në rënim. Po investojmë para të huazuara, të cilat është e kuptueshme që do të kthehen një ditë, për të ndërtuar një Tiranë të Re që është sa 25% e ekzistueses. Në një kohë kur Tirana ka mijëra apartamente të ndërtuara por të pashitura! Janë në treg dhe presin të shiten! Thojani këtë bujkut më të thjeshtë shqiptar dhe do qeshi me ju. Do thotë ‘..unë të mbjell më groshë, kur më ka ngelur pa shitur grosha e vjetshme? Pse budalla jam unë?’. Dhe duhet kuptuar se apartamentet nuk janë groshë. Për më tepër, duhet kuptuar se me ikjen e investimeve publike në një drejtim, në të njëjtin drejtim ikin edhe investimet private. Vecanërisht në kohë krizash dhe vecanërisht në vende post-komuniste ku “shteti nuk gabon kurrë”. Dhe përfundimi është i qartë. Në mungesë investimesh publike e private në zonat eksituese urbane të Tiranës, nuk do ndodhi asnjë gjë tjetër vecse, degradimi i mëtejshëm i tyre. Sepse nevojat e këtyre lagjeve për investime, vecanërisht në infrastrukture, janë emergjente. Shtoni këtu që këto investime do t’u mungojnë edhe disa vite të tjera! Cfarë do ndodhi me lagjet që ju mungojnë rrjetet ingjinierike? Po me ato që u mungojnë hapsirat e hapura të gjelbërta dhe shoqërore? Po me ato që u mungojnë shkollat, kopshtet, qëndrat shëndetsore? Cfarë do ndodhi me pronat e pronarëve të shtëpive të vjetra prej qelpici por në fqinjësi me një pallat 12 katësh? E kuptoni vet!
Një fat të ngjashëm parashikoj edhe për zhvillimet e reja urbane. Pasi ‘Bulevardi i Ri’ të startojë, në atë zonë do të fillojnë të jepen leje ndërtimi dhe të ndërtohen pallate të reja. Njësitë urbane dhe pallatet e reja do të jenë shumë më të mira se ato të zonave ekzistuese. Është e kuptueshme që ekspertiza e deri tanishme në fushën e arkitekturës dhe ndërtimore do të japi performancën më të mirë të saj. Dhe ky do të jetë karemi, ndërsa blerësit e vetëm do të jemi ne. Ne banorët ekzistues të Tiranës. Ose më sakt, një pjesë e jona që ka mbledhur disa kapitale dhe që do të tentoj të shesi banesën që disponon tashmë në zonat e vjetra. Por tregu reagon sipas rregullave të veta. Ndërsa ka ofertë të lartë dhe kërkesa ngelet e njëjtë, bie cmimi. Dhe po ra cmimi, është e kuptueshme që ulet oferta. Si përfundim, edhe zhvillimet e reja do ngelin përgjysem, sepse zhvilluesit shqiptar të pronave të patundshme janë mësuar të shesin që në themel, pra ndërtojnë me paratë e blerësve. Paralelisht, edhe zonat e vjetra do kënë ngelur në mungesë investimesh të drejtuar gabim në këtë treg të ri zhvillimi. Kështu do ndodhi, sepse, kështu ndodh gjithmon kur i ikën logjikës ekonomike të tregut të lirë. Dhe po i ike logjikës ekonomike, po aq larg je edhe nga logjika sociale dhe logjika mjedisore. Sepse ekonomikja, e përdorur mirë, tërheq edhe socialen edhe mjedisoren. Quhet zhvillim i qëndrueshëm. Prandaj projeti i ‘Bulevardit të Ri’, është një flluskë në pasuritë e patundshme, që po nuk u ndalua do plasi dhe nuk do dëmtojë vetëm Tiranën urbane.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017