NEO-LIBERALIZMI DHE PLANIFIKIMI HAPSINOR ORIENTUES. Mapo, 24.04.2013

Termi “neoliberalizëm” është sjellë, për herë të parë, në vitin 1938 nga shkencëtari gjerman Aleksandër Rustow, në seminarin Walter Lippmann. Seminari u mbajt në Paris në gusht të 1938ës si kundërpërgjigje për forcimin e antiliberalizmit në botën e para Luftës së Dytë. Disa (25) liberalë nga vende të ndryshme morën pjesë në këtë takim dhe u dakordësuan se liberalizmi i ‘mos-ndërhyrjes’ kishte probleme implementimi dhe dilte nevoja e një forme të re të tij. Një pjesë e tyre nuk ishin shumë dakord mbi dështimin e liberalizmit klasik, për shkak të të metave konceptuale, por sidoqoftë pajtoheshin mbi nevojën e formësimit të një fryme të re liberale si përgjigje ndaj antikapitalizmit të kohës. Për neoliberalizmin kishte kuptime të ndryshme, përgjatë lindjes, diferenca që me kalimin e kohës u thelluan si pasojë e implementimit. Aplikime konkrete të neoliberalizmit kemi në Gjermaninë e pas Luftës së Dytë Botërore, ku neoliberalë si Erhard dhe të tjerë të Shkollës ordoliberale të Freiburgut aplikuan dijet e tyre për rindërtimin e Gjermanisë. Neoliberalët gjermanë mbështesnin parimin e liberalizmit klasik që konkurrenca e drejton ekonominë në prosperitet, por nuk pranonin frymën e ‘mosndërhyrjes’ së shtetit. Sipas tyre, mosndërhyrja ndrydh konkurrencën dhe monopolet e kartelet e shkatërrojnë atë. Ndërsa kundërshtonin politikat kejnesiane të punësimit në shkallë të gjerë, apo politikat socialiste të kudoshtrirjes së ndihmës sociale nga shteti, teoria e neoliberalëve gjermanë u shënua nga vullneti i tyre për të vendosur si të barabartë efektivitetin ekonomik dhe vlerat humane dhe sociale. Kështu lindi fraza “ekonomi sociale e tregut”, që rezultoi në Mrekullinë Ekonomike Gjermane të viteve ‘50-‘60. Një variant tjetër praktik ishte neoliberalizmi kilian. Më 1955 një grup i përzgjedhur i studentëve kilianë (Djemtë e Çikagos) u ftuan në Universitetin e Çikagos për studime pasuniversitare në ekonomi. Ata punuan direkt nën kujdestarinë e Friedman dhe dishepullit të tij Harberger, ndërsa gjithashtu ishin të ekspozuar ndaj Hayek. Kur ata u kthyen në Kili më 1960 implementuan reforma ekonomike; si rezultat, në fund të gjysmës së dytë të viteve 1970 u dëshmua një privatizim i shpejtë dhe i gjerë, derregullim dhe reduktim i barrierave të tregut. Liri ekonomike të cilat do të ndiqeshin nga liri politike. Në Australi, gjithashtu, u ndërmorën politika neoliberale ekonomike që në vitet 1980. Veçantia e tyre ishte se u ndoqën nga të dy polet e politikës.
Sidoqoftë, ndjekësit e shumtë bien dakord (përfshirë institucionet ndërkombëtare të “Konsensusit të Washingtonit”), se neoliberalizmi tenton të transferojë kontrollin e ekonomisë nga sektori publik drejt sektorit privat, nën besimin se kjo do të prodhojë një qeverisje më eficente dhe të përmirësojë shëndetin ekonomik të vendit. Përtej interpretimeve të gabuara, fryma derregulluese (përfshirë mosndërhyrjen) e liberalizmit, nuk ka lidhje me konceptin e zhvillimit të paplanifikuar të territorit dhe burimeve natyrore. Sigurisht, neoliberalizmi nuk mund të mbështesë planifikimin e centralizuar dhe të ngurtë, të njohur gjerësisht në vendet e kampit socialist, pasojë e të cilit ishte varfëria e tejskajshme e popullsisë së këtyre vendeve. Në fakt, një nga arsyet e lindjes së neolioberalizmit ishte kundërshtia ndaj teorive socialiste, shtetëzimeve masive, tejshtrirjes së shtetit, rregullimit të çdo komponenti ekonomik e planifikues dhe praktikave kolektivizuese. Nën frymën e mendimit liberal, planifikimit mund t’i jepet një dimension i ri, planifikimi orientues, ku orientimi ndihmon konkurrencën dhe informimin e kompanive. Një nga parimet më kryesore të planifikimit modern është gjithëpërfshirja apo bashkëplanifikimi. Përfshirja e biznesit në planifikim do të thotë njohje të vendimmarrësve me nevojat e tij për ekspansion, për shembull. Kështu që vendimmarrësit, nëpërmjet planifikimit, mund të identifikojnë truall në vendndodhjen e duhur për nevojat e zhvillimit ekonomik dhe të sigurojnë që trualli, për shtrirje të zhvillimit, të jetë i vendosur mirë në lidhje me rrjetet e transportit dhe vendbanimet e forcës punëtore. Jetike këto për biznesin. Në të njëjtën mënyrë ndikon edhe njohja e qeverisjes me nevojat e biznesit prodhues për lëndë të para, fuqi punëtore, troje për shtrirje të aktivitetit ekonomik dhe infrastrukturë. Në një njohje të tillë qeverisja mund të bëjë vendimmarrje më të qëndrueshme dhe më efektive. Nëpërmjet planifikimit modern mund të promovohet rigjenerimi dhe rivitalizimi i zonave dhe territoreve, që për sektorin privat do të thotë mundësi të reja për biznes dhe vendimmarrje më efikase dhe të qëndrueshme. Qeverisjet neoliberale janë shumë të interesuara të njohin nevojat e komuniteteve lokale dhe t’i adresojnë ato në politikat e zhvillimit. Nevojat e komunitetit të biznesit gjithashtu, sepse në një qeverisje neoliberale aksi i punëve publike anon nga sektori privat, i cili do të implementojë ato projekte dhe programe që vijnë si zbërthim konkret i këtyre politikave të zhvillimit.
Planifikim i zhvillimit, së pari, do të thotë njohje. Njohje të burimeve, mundësive, nevojave dhe synimeve dhe informimi i sektorit privat me to është një ndihmë e madhe për biznesin. Të imagjinojmë për një moment një sipërmarrës të cilit i sigurohen orientime mbi troje për ndërtimin e objekteve ekonomike, fuqi punëtore e kualifikuar, lënda e parë për prodhim dhe të gjitha këto me një akses të mirë ndaj flukseve të transportit. Marrim një shembull aktual shqiptar. Njohja e kapaciteteve ujore, në zona të ndryshme të vendit dhe ekzistenca e një fryme liberale në dhënien e koncesioneve, rezultoi në ndërtimin e treqind veprave energjetike. Këto vepra kanë filluar dhe do vazhdojnë të prodhojnë energji miqësore me mjedisin dhe vende të reja pune aq shumë të dëshiruara për një vend në zhvillim si Shqipëria. Energjia e lirë, veçanërisht e ardhur nga burime të fjetura, është një nga parakushtet që rezulton në kosto të ulët të prodhimit dhe mallra më të lira në treg. Përveç të tjerash, kjo do të thotë konkurrueshmëri më e mirë e mallrave shqiptare në një treg global. Për komponentin e punësimit nuk ka nevojë të thuhen shumë gjëra. Për të gjithë është e kuptueshme se rritja e tij rezulton në të ardhura për familjet shqiptare, të ardhura për shtetin/publikun dhe gjithashtu për ndërmarrjet që do shesin më shumë. Të njëjtën gjë mund të themi për parqet energjetike të erës apo të biomasës. Një qasje më e integruar me fusha të tjera të ekonomisë dhe mjedisin, sigurisht do ishte më e pëlqyer dhe më produktive, por në tërësi zhvillimet janë shumë pozitive. Marrim një shembull tjetër, prodhimet bujqësore apo blegtorale të cilat në formën e tyre të parë nuk e arrijnë dot tregun në volum të plotë.
Por edhe kur e arrijnë, sasia e tyre e madhe detyron një çmim shumë të ulët dhe jo rentabël për fermerët. Problem mbetet fakti se këto produkte e arrijnë tregun në një fashë kohore të limituar, ndërkohë që në treg ka një kërkesë lineare në vazhdim. Kështu nëpërmjet planifikimit të territorit, kjo problematikë mund të identifikohet konkretisht dhe në ç’masë dhe të adresohet për zgjidhje gjithëpërfituese. Sepse, ndërsa për një ekonomi prodhimet bujqësore dhe blegtorale janë produkte përfundimtare, për një ekonomi tjetër janë lëndë të para. Industria e agro-përpunimit, apo përpunimit në përgjithësi të produkteve të tjera, është një hapësirë pothuajse e zbrazët në Shqipëri, ndërkohë që shfaq përfitime të shumëfishta ekonomike, mjedisore dhe sociale.
 Biznesi i gjendur në një mjedis liberal dhe në një ekspansion të logjikshëm dhe të qëndrueshëm si rezultat i kësaj, ka mundësi konkrete të akumulojë kapitale financiare. Riinvestimi i kapitaleve të grumbulluara, përveç të tjerave, edhe si rezultat i një barre të lehtë dhe të thjeshtë fiskale (politikë liberale) sjell vende të reja pune dhe burime të reja financiare. Kështu krijohet një sistem ciklik, i integruar dhe i vetëpërsëritshëm, i cili kërkon territore të reja për shtrirje, lëndë të para për prodhim në formën e burimeve natyrore apo produkteve përfundimtare të ekonomive të tjera, si dhe punësim në shkallë të gjerë. Planifikimi orientues shërben për transferimin e kapitaleve të fjetura apo të lira, veçanërisht nga vende ku burimet kombëtare janë në përdorim drejt vendeve ku këto burime janë të lira. E thënë akoma më thjeshtë, thithje të kapitaleve të huaja.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

BAJRAMI PA XHAMI. Mapo, 21.10.2013

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017