NJË SHTEG LIBERTARIAN PËR LEGALIZIMET. Mapo, 09.07.2014

Rotacioni politik në qeverisjen qëndrore mbushi vitin e tij të parë. Dymbëdhjetë muaj më parë dy kampet politike u përplasën në një fushatë dhe e majta e bashkuar fitoi të drejtën për të zbatuar programet e saj politike. Një nga ofertat më të mira që e majta bëri, sipas shumë analistëve, ishte oferta e legalizimeve falas. Për ta (analistët) ky ishte një nga premtimet që bëri diferencën, midis të majtës që e premtoi dhe të djathtës që refuzoi të jepte një gjë që nuk e kishte. E djathta refuzoi të falte (jepte falas) truallin mbi të cilin kishin ndërtuar paleje dhe që i përkiste një pronari të ndryshëm nga ai që e kishte bërë këtë ndërtim. Dhe mirë bëri, pavarësisht kostos së supozuar. Si mund të falësh një gjë që nuk e ke? Një gjë që nuk është jotja? Sepse, në një vend demokratik, qeveria nuk zotëron të drejtat e pronësisë së një prone private. Biles, as të drejtat e pronësisë së një prone publike. Atherë, si mund ti fali ato?! Duket se, Shqipëria e tranzicionit nuk po i shpëton dot formimit kuptimor të të kaluarës komuniste. Dhe nuk po flas vetëm për politikbërësit e majtë, por edhe për qytetarët. Sepse nuk ka si shpjegohet ndryshe fakti (i supozuar nga analistët politik), që ky premtim në disavantazh të shumicës së shqiptarëve të konsiderohej nga votuesit si një premtim që duhej votuar pozitivisht. E them këtë, sepse e majta këtë premtoi.
Premtoi që me taksat e 750 mijë familjeve shqiptare do bliheshin “me vlerën e tregut” pronësitë private të tokës, që më pas do t’u jepeshin falas 250 mijë familjeve të tjera shqiptare që i kishin zënë me ndërtime paleje këto pronësi. Edhe kur e thua, nuk bën kuptim logjik! Sepse është e palogjikshme të votosh pro projekteve që të varfërojnë. Të paktën në planin teorik është kështu, sepse në planin praktik nuk e dimë. Ndërsa dimë që e majta i fitoi zgjedhjet. Në të njëjtën kohë, dimë me siguri edhe një gjë tjetër . Faktin, që për një mijë e një arsye, fenomeni i ndërtimeve paleje dhe produktet e tij ekzistojnë. Dhe një zgjidhje kësaj problematike i duhet dhënë. Kjo në fakt i bashkon të dyja kahet e politikës. Janë 250 mijë familje shqiptare që de-fakto kanë nga një banesë, por jo de-jure. Kauza e përbashkët e politikës është si ti njësoj de-fakton me de-juren, dhe këtë ta bëjë pa përfshirë pjesën tjetër të qytetarëve. A mund të bëhet kjo? Sigurisht që po. Mirëpo, duhet një rrugë e ndryshme nga ajo e ndjekur deri më tani. Një rrugë e moralshme që i jep secilit cfarë i takon. Që i jep secilit atë që ka kontribuar në këtë status të ri të pronësive të paluatshme në troje apo ndërtesa. Dhe për të përcaktuar këtë duhet të nisemi nga cfarë është origjinalizuar ky zhvillim dhe si ka ndryshuar kjo pasuri përgjatë këtij zhvillimi ndërtimor.
Së pari, janë kryer disa punime ndërtimore që kanë krijuar pasuri të reja të paluatshme (ndërtesa). Krijuesit e tyre, megjithëse nuk janë pajisur me lejen e autoriteteve, në planin moral gëzojnë të drejtat e këtij zhvillimi. Njohja dhe regjistrimi i kësaj pasurie si titull pronësie i zhvilluesve joformal, do të ishte zgjidhja më e moralshme e mundshme. Dhe me dimension të fortë të përgjeshmërisë sociale. Të përgjegjshmërisë që shoqëria duhet të ketë ndaj individëve dhe familjeve të disfavorizuara. Së dyti, ka ndryshuar përdorimi i tokës. Nga tokë në konservim (gjëndje natyrore) apo në përdorim bujqësor, toka është kthyer në truall të ndërtuar. Regjistrimi i kësaj pasurie të re të krijuar, nga evoluimi i asaj të vjetre, në emër të pronarëve jo vetëm do ishte e drejtë por do të justifikonte, në dimensionin ekonomik, edhe kohën në të cilën këta pronarë nuk do të përfitonin nga prona e tyre deri në një rizhvillim të pronësive (ndërtesës dhe truallit). E parë në këtë mënyrë, edhe taksa paguesit do të përfitonin shumë. Për të qënë korrekt, do humbnin më pak. Paratë e tyre nuk do të shkonin për të shpronësuar disa shqiptarë dhe pronësuar disa të tjerë, apo në rroga burokratësh e zyrtarësh. Ndërsa pronarët e rinj (të ndërtesave) të vjetër (të trojeve) dhe zhvilluesit potencial të ardhshëm lihen të lirë, që me marrveshje vullnetare mes tyre, të përfitojnë nga mrekullia e tregut të lire duke rizhvilluar në të ardhmen këto pronësi.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017