PLANIFIKIMI NJË PROFESION FISNIK POR I NËNVLERËSUAR. Koha Jone, 10.12.2012

Një vizion pa një plan është vetëm një ëndër. Një plan pa vizion është vetëm një punë angari. Por një vizion me një plan mund të ndryshojë botën.- proverb amerikano-verior 

Gjithmon e kam ditur se në vendet ishsocialiste qytetarët nuk kanë respekt për planifikimin dhe planifikuesit. Kjo, sepse, ata vijnë nga një praktikë ku planifikimi kishte pushtuar cdo qelizë të jetës, dhe planet ishin ato që vendosnin për gjithcka në jetën e tyre. Planet hartoheshin në zyrat publike dhe pasi miratoheshin, nga vet këta, dërgoheshin për zbatim në “bazë”. Baza në fakt ishte populli (popullsia e një territori specific) kurse planet përcaktonin gjithcka dhe përfshinin gjithkënd. Në këtë kuptim, është normale (në konteksin anormal të kalimit nga një ekstrem në tjetrin) që planifikimi do përbuzej dhe plani do urrehej. Si rrjellim logjik i kësaj mënyre të menduari, nuk planifikuam më asnjë gjë dhe rezultati: 45 % e popullsisë së Tiranës jeton në njësi ilegale të banimit në zonat periferike të qytetit; 146 mijë ndërtime ilegale të ndërtuara në Beograd apo 27 qëndra të banuara ilegale në Shkup (UNECE, 2008). Këtë qëndrim vazhdojmë të mbajmë edhe sot pas 20 vitesh dhe kjo nuk është normale (në konteksin normal të kthimit, pas riformulimit, te disa vlera që nuk simbolizonin të keqen e sistemit socialist). Në shkrimet e mia të mëparshme jam munduar, nën rreshta, të ndërtoj një “biografi” të re për planifikimin dhe planifikuesit dhe sot kam vendosur, modestisht, të hedh një hap të plotë dhe ekskluziv në këtë drejtim. Sepse nuk mund të pëlqehemi pa u njohur dhe nuk mund të njihemi pa u prezantuar. E thënë drejtpërdrejt, shkurt dhe që në fillim, planifikimi është një profesion fisnik por i nënvlerësuar. Planifikimi ndodh në shumë nivele, nga vendimet e përditshme të individëve ose familjeve, te vendimet komplekse bërë nga bisnesi ose qeverisja.Ai i referohet procesit të vendimarrjes, se, cfarë të bëhet dhe si të bëhet, prandaj është shumë i rëndësishëm dhe gjerësisht i nevojshëm.
Ky shkrim i dedikohet planifikimit të përdorimit të tokës dhe transportit, por shumica e aftësive të planifikuesve dhe oportuniteteve që ofron puna e tyre, të përshkruara në vazhdim, janë të domosdoshme në cdo aktivitet planifikimi. Planifikuesit janë profesionistë që lehtësojnë vendimmarrjen. Ata nuk marrin vendime vet, por mbështesin vendimarrësit (menaxherët, zyrtarët, qytetarët), duke koordinuar informimin me veprime. Roli i tyre është të krijojnë një proces logjik dhe sistematik të vendimmarrjes i cili të rezultoj në veprime të mira. Planifikuesi ndihmon komunitetin të krijojnë të ardhmen e preferuar të tyre- planet e mira bëjnë progres drejt mirëqënies ndërsa plani i keq lë në trashëgimni probleme dhe mosmarrveshje. Planifikuesit i heqin pesha të rënda civilizimit duke parashikuar dhe zgjidhur konfliktet komunitare apo keqfunksionime urbane. Sipas Profesorit të Universitetit të Hauardit, Daniel Gilbert (2006), aftësia më e madhe dhe më unike e species njerëzore është të imagjinojë dhe parashikojë objekte dhe episode që nuk ekzistojnë aktualisht, ky është, plani për të ardhmen. Kjo është forca jonë individuale e kolektive dhe planifikuesit nuk janë gjë tjetër vecse, trainerët. Ndërsa Gaston Bardet do të thoshte se urbanistët janë konstruktorët e së ardhmes. Nëse diskutimet politike nuk prodhojnë gjë tjetër veçse shkatërrim, nga aktet e urbanistëve krijohen vatra ku zhvillohet njeriu dhe komuniteti. Planifikimi dhe projektimi i qyteteve nuk është thjeshtë shkencë apo art, por një ripërtëritje e mendimeve që përbëjnë civilizimin tonë. Në këtë kuptim, planifikimi i mirë kërkon planifikues me aftësi dhe perspektiva speciale. Si të tillë planifikuesit dallojnë nga njerëzit që ushtrojnë aktivitete të tjera, në disa aspekte e praktika. Shumica e njerëzve preferojnë të injorojnë problemet derisa ato bëhen të pashmangshme. Planifikuesit janë meraklinj profesionis, të cilët kërkojnë të gjejnë probleme potenciale që ti lehtësojnë apo zgjidhin ato. Shumica e njerëzve i shohin problemet nga një prespektivë e vetme. Planifikuesit janë përgjegjës për konsiderimin nga perspektiva të shumfishta; ata shqetësohen për “cfarë është mirë për secilin, por, sëbashku?”. Shumica e njerëzve preferojnë probleme, dhe zgjidhje të thjeshta për to. Planifikuesit mësojnë të vlerësojnë kompleksitetin, dhe kërkojnë për kuptime të thella dhe kauza themelore. Shumica e njerëzve e konsiderojnë kompromisin si një shenjë dobësie dhe dështimi. Planifikuesit janë pasionant për kompromisin sepse ai (kompromisi) zgjidh konflikte dhe shpesh drejton në zgjidhje të mira. Shumica e njerëzve preferon ti zgjidhë cështjet njëra pas tjetrës. Planifikuesit aplikojnë analiza të integruara, kështu që vendimet individuale dhe në terma afatshkurtër janë konsistente me synimet e shumëfishta dhe afatgjata. Edhe pse të bazuar në të zakonshmen, planifikuesit ushqejnë aspiratat më të thella të komunitetit, të tilla si dashuria, shpresa dhe e bukura. Ata përkthejnë synime teorike në veprime specifike. Planifikimi është një art po aq sa është shkencë dhe kërkon gjykim, ndjeshmëri dhe krijimtari. Ai shpesh negocion ndërmjet cështjeve dhe kështu që, kërkon perceptim të asaj që artistët e quajnë hapsirë negative (hapsirë midis objekteve). Ata krijojnë lidhje midis agjensive, sektorëve dhe juridiksioneve të ndryshme. Si rezultat, planifikuesit duhet të bashkëpunojnë me grupe të ndryshme interesi dhe duhet ti kënaqin të gjithë.
  Komunitetet tradicionale mbështeten në hoxhallarë dhe priftërinj për të mbajtur balancën midis botës humane dhe botës natyrore. Në komunitetet moderne këto përgjegjësi përballohen nga planifikuesit. Por, planifikuesit shpesh i kthehet një nivel i ulët respekti. Sukseset e tyre merren për grant, ndërsa shpesh fajësohen për dështime të gjërave që kanë qenë përtej kontrollit të tyre. Si koordinator të vendimeve publike planifikuesit janë tabela e qitjes për kriticizmin. Roli i tyre, si lehtësuesit e paanshëm, shpesh është keq interpretuar si burokratë të pashpirt. Palët e interesuara shpesh i mbajnë planifikuesit si personalisht përgjegjës kur nuk kënaqen nga produktet. Planifikuesit kanë nevojë për aftësi diplomatike dhe një lëkurë të trashë, sepse, edhe nëse e bëjnë punën e tyre mirë ata do të kritikohen përafërsisht njësoj nga të gjithë palët. Një mjek i familjes i cili propogandon rolin e strategjive të shëndetit (reduktimin e konsumimit të duhanit, dieta të balancuara të ushqimit, ushtrime fizike të rregullta etj) shpesh siguron për një familje përfitime totale shumë të mëdha me kosto të ulta në krahasim me një kirurg që ndërhyn gjatë një sëmundje, në caste kritike të saj. Por, mjeku i familjes konsiderohet gërnjar i besdisshëm ndërsa një kirurg konsiderohet hero. Njëjtësisht, një planifikim i mirë tenton të nënvlerësohet sepse ai preventivon problemet, kështu që njerëzit që përfitojnë janë të pavetëdishëm për cfarë kanë përfituar nga puna e tyre.

Planifikuesit lehtësojnë ndryshimin duke kapërcyer praktikat dhe interesat e ngulitura në mendjet njerëzore. Ata shpesh ndeshin rezistencën e njerëzve të cilët supozojnë se cfarë ata kosiderojnë normale duhet të jetë e mira, njerëz që shikojnë nga e kaluara në vend që të shohin nga e ardhmja. Në rolin e tyre si negociator objektiv, planifikuesit janë shpesh në mes të konflikteve. Ata kanë njohuri të zgjeruara rreth një projekti dhe impaktet e tij në një vendim specific, dhe kështu që, janë përgjegjës për parashikimin e konseguencave të padëshiruara dhe përfaqësimin e interesave të njerëzve të cilët janë të nënpërfaqësuar në procesin e vendimarrjes, të tillë si fëmijët, të varfërit, dhe brezat e ardhshëm. Në këtë kuptim, në vitet 1970-të lindi koncepti “anësia në planifikim”, sipas të cilit planifikimi duhet të mbrojë të drejtat e njeriut dhe duhet të jetë në anën e të paprivilegjuarve. Sigurisht, planifikuesit nuk janë të pagabueshëm. Ata mund të bëjmë parashikime të pasakta dhe rekomandime të gabuara. Por dështimet e planifikimit janë shumë të pazakonshme, së paku në krahasim me dështimet e shumicës së njerëzve. Prandaj na duhet ti vlerësojmë dhe respektojmë planifikuesit dhe ti përfshijmë sa më gjerësisht në vendimarrjet tona individuale, familjare, komunitare dhe qeverisëse. Dhe në këtë rast, më e pakta e sigurtë është përfitimi nga aftësitë dhe njohuritë e tyre, drejt vendimarrjeve me përfitime të mëdha.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017