PARIMET E QEVERISJES SË MIRË DHE NJË LIGJ PËR PLANIFIKIMIN E TERRITORIT. Mapo, 21.02.2014

Duket se jemi ripërfshirë nga një debat teorik mbi si duhet të jetë një bazë ligjore e rregulluese për planifikimin e territorit. Them jemi ripërfshirë sepse në të njëjtën situatë ndodheshim edhe tetë vite më parë. Atherë ekspertët u ftuan nga autoriteti kombëtar për të kontribuar në hartimin e një ligji për planifikimin e territorit. C’ka po përsëritet këto ditë nga i njëjti autoritet por i drejtuar nga një mazhorancë e majtë. Përsëritja e historisë të lë një shije të keqe. Të krijon bindjen se je në të njëjtin vend, por, tetë vite më vonë. Sepse duhet thënë që në fillim, vërtet një ligj formulohet mbi një qëndrim politik, por, në një vend në demokratizim si Shqipëria dhe për një multisektor si planifikimi territorial, nuk mund të këtë vecse një qëndrim politik. Pavarësisht kujt i përket maxhoranca. Qëndrim që duhet të jetë i mbështetur në parimet e qeverisje së mirë urbane. Një qasje e plotë Europiane për Shqipërinë, vendin ku spektri politik mund të debatojë edhe “për mustaqet e Celos” por në asnjë rast nuk mund të vëri në diskutim rrugëtimin me një kah. Atë, drejt Europës së Bashkuar. Dhe kjo është arsye e vlefshme që baza ligjore për planifikimin e territorit të mos shtrohet për diskutim pas cdo rotacioni politik që ndodh në vend. Ajo duhet të jetë një kornizë elegante që drejton në procese planifikuese, orientuese dhe të hapura për të gjithë të interesuarit. Në një vend si Shqipëria kur investimet private janë shumë të kërkuara, por edhe cështjet mjedisore dhe sociale janë të një rëndësie të vecantë, formulimi i një baze ligjore merr vlerat e një themeli mbi të cilin mund të ngrihesh vetëm nëse e ke ndërtuar mbi disa plinta parimesh Europiane. Por kush janë këto shtylla?
Për së pari, kjo bazë ligjore duhet të përkufizojë qartë e thjeshtë të gjitha termat dhe konceptet që do të përdori gjatë shtjellimit të dispozitave të saj. Pra ligjit i duhet një fjalor. Duket si një punë e lehtë apo e parëndësishme, por nuk është e tillë. Vecanërisht në rastin Shqiptar, ku në 20 vite janë hartuar disa ligje dhe këto ligje janë ndryshuar me dhjetëra herë. Këto kanë krijuar terminologji të rrëmujshme në vetvete që më pas reflektohet e shumëfishuar në procest planifikuese apo administruese të territorit. Është e kuptueshme që qeverisja në dy nivele kërkon një ndarje të qartë përgjegjësive edhe në planifikim. Kështu që, sistemit ligjor i duhet të përcaktojë kush janë autoritetet e planifikimit dhe detyrat e përgjejësitë e secilit nivel. Gjë shumë e rëndësishme kjo për një vend ish socialist me praktika të planifikimit të centralizuar por me aspirata të forta Europiane për të ardhmen. Parimi i subsiaritetit apo proceset decentralizuese janë thelbësore në një rrugëtim drejt përmbushjes së kësaj aspirate. Së treti, sistemi duhet të përcaktojë kush janë instrumentat e planifikimit dhe kush është forma e tyre. Shumë e rëndësishme kjo që të sigurohet një trajshmëri e formës dhe përmbajtjes së instrumentave. Kështu sistemi siguron se, përtej specifikës së sektorëve apo territoreve për të cilat hartohen këto instrumenta, një sërë cështjesh janë të detyrim për tu trajtuar nga një instrument. Shumllojshmëria e instrumentave dhe specifika në planifikim janë dy parime shumë të rëndësishme. Së katërti, proceset nëpërmjet të cilave këto autoritete hartojnë dhe miratojnë këto instrumente. Duhet kuptuar se planifikimi territorial nuk është më vendimarrje e mbyllur e administratës, sikurse 30-të vite më parë. Ai është një proces gjithëpërfshirës ku kontribuojnë të gjithë institucionet por edhe palët e interesuara apo të përfshira në zhvillimin potencial. Koordinimi dhe bashkërendimi janë dy parime të rëndësishme të planifikimit territorial dhe të qeverisjes së mirë që sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm të territorit në të ardhmen.
Angazhimi social, transparenca dhe llogaridhënia janë parime bazike të qeverisjes së mirë por edhe të planifikimit të territorit. Prandaj, sistemi ligjor i planifikimit territorial duhet të përkufizojë dispozita ligjore që bëjnë konkretisht të mundshme dhe të aplikueshme këto parime gjatë proceseve planifikuese. Në të kundërt, baza ligjore na drejton në praktika të mbyllura, antidemokratike dhe korruptive. C’ka bie në kundështi me aspitatat tona Europiane. E një rëndësie kritike është kontrolli i zhvillimit. Për së pari lejedhënia, proces i cili duhet të jetë sa më pak burokratik dhe sa më lehtë arritshëm për investimet. Shumëllojshmëria e lejeve siguron që për punime të llojeve të ndryshme të kenë procedura të ndryshme lejimi. Por edhe kontrolli i territorit për zhvillime të palejuara është shumë i rëndësishëm. Ai jo vetëm siguron dhe mbron territorin por edhe barazinë mes pronarëve të pronave kufitare. Së fundi kjo bazë ligjore duhet të përcaktoj mënyrën dhe kohën e tranzitimit nga praktika aktuale drejt kësaj qasje Europiane në planifikim. Sepse është shumë e thjeshtë të ndryshosh ligjin por jo kulturën e planifikimit. Cështjet kulturore duan kohën e vet. Por edhe shumë investime publike në procese planifikuese, të cilat kanë kostot e tyre jo të vogla. Ndërsa është e kuptueshme që përfitimet janë të shumëfishta. Janë ekonomike, janë sociale, janë mjedisore. Por mbi të gjitha një hap i sigurt drejt Bashkimit Europian.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017