“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

Sot, Shqipëria është një vend në zhvillim. Ky zhvillim është i shpejtë, dhe si rrjedhim llogjik i kësaj, ndonjëherë i pa organizuar dhe i paorientuar mirë. Si në shumë aspekte të tjera, edhe për sa i përket zhvillimit industrial, na duhet ti referohemi zgjidhjes që i kanë dhënë vendet e zhvilluara, problematikës me të cilën janë ndeshur gjatë procesit të tyre të zhvillimit. Në këtë konteks, shumë eksperienca perëndimore pozitive mund të importohen, të modifikohen për rastin Shqiptar dhe të implementohen me sukses. Distriktet Industriale do të ishin hapi tjetër drejt ritjes së shkallës së industrializimit. Ato janë një eksperiencë shumë positive perëndimore, për tu ndjekur. Të shumllojshme do të ishin përfitimet ekonomike, sociale dhe mjedisore. Distriktet e para industriale u shfaqën në Mançester të Anglisë, rreth viteve 1890-të dhe më pas në Cikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth viteve 1900-të. Madhësia e distrikteve varion nga 15-20 ha (më të voglat), në 120 ha (mesataret) dhe me madhësi më të madhe se 120 ha (të mëdhatë). Përgjithësisht kjo është një kulturë anglo-saksone e zhvillimit. Por, sidomos gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar dhe në vazhdim, shumë vende kanë pasur qasjen e tyre, shumë positive, ndaj kësaj mënyre zhvillimi. Avantazhi i kësaj mënyre të planifikuari dhe të zhvilluari qëndron në faktin parësor se, industritë vendosen të grupuara. Disa nga përfitimet direkte janë mbrojtja e tyre (industrive), mundësia e lidhjes me to (aksesi), paisja me infrastrukturën e nevojshme, madhësia e përshtateshme e parcelës, çlirimi nga konfliktet në përdorimet kufitare, minimizimi i ndikimit në territor dhe ambjent etj. Zhvilluesit e specializuar të pasurive të paluajtshme tashmë organizojnë distrikte të këtij lloji si në vëndet e zhvilluara ashtu edhe në vendet në zhvillim. Distriktet janë një mjet i rëndësishëm publik për inkurajimin e industrializimit. Për rastin Shqipëtar, në konteksin e sotëm, këto zhvillime janë domosdoshmëri.
  Ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri, në vitin 1991, pati ndikim të madh edhe në nivelin e industrializimit të vendit. Shqipëria e centralizuar e viteve 1944-1991 kishte, edhe një ekonomi të tillë (të centralizuar). Struktura formuese e kësaj ekonomie mbështetej në tre shtylla kryesore (i) bujqësia primitive e grupuar dhe e strukturuar me detyrim në kooperativa, (ii) industria joproduktive dhe (iii) shërbimet që, më së shumti, limitoheshin në disa njësi të shitjes me pakicë. Industria ishte e formuar nga uzina dhe fabrika me teknologji shumë të vjetëruar. Ndërtimi i një pjese të tyre kishte pasur vetëm një synim, atë të demagogjisë për një zhvillim industrial modern. Të importuara nga vende të tjera socialiste, por me një nivel relativ më të lartë modernizimi teknik, ato kishin vite pa mirëmbajtje dhe si pasojë rendimenti dhe cilësia e produkteve të tyre aspak konkuruese, në një treg të hapur (pas 1991). Një numër i madh i tyre kishin pësuar devijacione teknologjoke si pasojë e largimit të ekipeve teknike të huaja, që kishin ardhur për ti montuar apo për remonte teknike. Jo-produktiviteti i tyre ishte evident që shumë vite para ndryshimit politik, por sitemi kërkonte një përqasje të fortë sociale, që në fund të fundit nuk ishte as e tillë. Synimi kryesor ishte mbajtja në punë (lexo: nën kontroll fizik dhe mendor) i mijëra vetëve, pa menduar për kuptimin ekonomik të këtyre aseteve dhe investimeve. Pas një vlerësimi të tillë, shumë prej këtyre u mbyllën. Problemi ndryshoi tematikë nga problem ekonomik u kthye në një problem social. Papunësia i zuri vendin jo-produktivitetit. Gjatë 20 viteve të fundit, mes luhatjeve të forta politike (ngjarjet e 1997) shoqëria Shqiptare tranzitoi, nga nevojat emergjente për mbijetesë, në kërkesa konsumatore të një niveli të lartë. Në këtë trend shkoi edhe zhvillimi i ekonomisë në përgjithësi dhe industrisë në vecanti. Rritja e sipërmarrjeve të vogla me karakter tregtar (imort-eksport) mundësoi realitetin e investimeve, edhe, në ndërmarje prodhimi industrial.

Grupime të tilla investimesh (distrikte industriale) kërkojnë fuqi shumë të madhe punëtore. Niveli i papunësisë mund të reduktohet ndjeshëm dhe shumë shpejt. Punësimi i një grupi të madh njërëzish do të sillte jo vetëm rritjen e mirëqenies së familjeve të tyre por do të riste edhe nivelin e likuiditetit në treg e si pasojë edhe të konsumit të produkteve të tjera (bujqësore apo shërbimeve). Një dukuri tjetër negative, shumë e përhapur, sic është fragmentarizimi i interesave të qytetarëve do të merrte një goditje të fuqishme. Grupimi i interesave dhe kërkesave do të ndihmonte direkt në shtresëzimin e shoqërisë dhe kjo është një domosdoshmëri social-politike e kohës për të mundësuar, më pas, adresimin e tyre (kërkesave dhe interesave) nga politik-bërja. Përsa i përket zhvillimit të territorit, ka dy aspekte shumë të rëndësishme ku mund të përfitohet. Grupimi i zhvillimeve do të sillte së pari, grupim të dëmtimit të territorit që vitet e fundit ka pranuar ndërhyrje kaotike dhe të fragmentuara. Së dyti, ofron mundësinë e mbrojtjes së qyteteve nga migrimi i brendshëm dhe i jashtëm, fenomen ky shumë i përhapur dhe problematik. Aksesi i mirë (lidhja me rrugë) është kërkesa kryesore e distrikteve, si për mallrat ashtu edhe për punonjësit. Disa industri e përdorin shumë pak shërbimin hekurudhor sot, ndërkohë që disa të tjera janë të orientuara tërësisht nga lidhja me hekurudhën. Sidoqoftë, është avantazh pozicionimi i tyre përgjatë një linje hekurudhore për të siguruar mundësi transporti për lëndën e parë dhe produktin e gatshëm. Para viteve 90-të Shqipëria kishte një rrjet hekurudhor me elementë sasior për tu marrë në konsiderat. Vlerat cilësore të këtij lloj shërbimi lënin shumë për të dëshiruar dhe duke i shtuar përdorimin e kufizuar të 20-të viteve të fundit gjëndja nuk është pozitive. Por, zhvillime të tilla industriale krijojnë premisat dhe kushtet themelore për rivitalizim dhe me pak investime hekurudhat mund të kthehen në një aset kontribues në buxhetin e shtetit dhe një ndihmë e madhe në funksion të distrikteve industriale. Mundësia e lidhjes banim-punë si dhe lidhja me mallrat, shërbimet dhe tregjet përbëjnë një kriter të rëndësishëm për vend-vendosjen e distriktit në territor. Në këtë drejtim vitet e fundit Shqipëria po arin një performancë maksimale. Procesi i ndërtimit me shpejtësi i akseve të mëdha kombëtare gjatë 5-së viteve të fundit dhe në vazhdim jo vetëm mund ndihmojë mirëfunksionimin e distrikteve por edhe këto të fundit mund të ndikojnë shumë në maksimalizimin e vleshmërisë së këtyre akseve. Distriktet industriale kërkojnë territore të qëndrueshme, jo të shtrenjta për të ulur sa më shumë koston e ndërtimit të tyre.
Shpesh këto lloj distriktesh janë vendosur pranë aeroporteve duke shfrytëzuar transportin ajror të mallrave. Disa fabrika janë të lidhura direkt me rrugët e transportit ajror. Shqipëria sot ka dy aeroporte dhe është duke menduar për të tretin. Aeroporti i Kuksit, tashmë i ndërtuar dhe me akses të plotë në autostradën moderne Durrës-Morinë, mund të përdoret në këtë drejtim. Ky aeroport jo vetëm mund ti shërbej distrikteve industriale por mund të kthehet në një gjenerues zhvillimi për buxhetin e shtetit, për vete dhe për ekonominë lokale të rajonit ku është lokalizuar. Në këtë llogjik, mund të ndikojë edhe aeroporti i Sarandës në të ardhmen. Ato (distriktet industriale) kërkojnë territore të sheshta dhe të pajisura mirë me shërbime të bollshme të infrastrukturës. Vetë toka duhet të jetë në gjendje të mbaje ngarkesa të mëdha të objekteve të fabrikave. Shqipërisë nuk i mungojnë territore të tilla. Gjatë regjimit komunist izolimi i vet-kërkuar nga bota solli si kërkesë propogandistike kthimin e territoreve pafrut (jo të përshtatshme) në “toka buke”. Por në fakt, ato rezultuan të ktheheshin në tokë bujqësore me rendiment negativ. Ky fond, që tashmë është lënë në papërdorim prej vitesh dhe ku nuk është i mundur teknikisht rikthimi si tokë bujqësore, mund të ofrohej në këtë sektor. Shumë qytete Shqiptare kanë pasur, në strukturën formuese të tyre, zona industriale të cilat tani shërbejnë në përdorim të kufizuar apo gjënden të abandonuara dhe në rrënim. Një pjesë e tyre mund të shërbenin dhe të vet shërbeheshin në funksion të distrikteve industriale. Përvec të tjerash, në këndvështrimin ekonomik e social, rigjenerimi industrial i këtyre territoreve do të ndihmonte edhe në aspektin urban dhe ambjental. Disa industri janë përdorues të mëdhenj të ujit ose energjisë elektrike dhe rrjetet inxhinierike duhet të përballojnë shtrirjen dhe rritjen e kërkesës së tyre në perpektivë. Shërbime të tjera si gazi, telefonia, avulli ose ajri i kompresuar mundet gjithashtu të jenë një kërkese. Industritë e “njoma” kërkojnë ujë dhe kanalizime në proçesin e prodhimit. Edhe në këtë konteks, shumë kompani private apo publike (OSSH, UK, ALB-TELEKOM etj. etj) që ofrojnë këto shërbime do ndiheshin të avantazhuara nga grupimi i konsumatorëve që në të njëjtën kohë do të ishin klientë të mëdhenj dhe serioz.

Comments

Popular posts from this blog

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017