Krijimi i kushteve që emigrantët të votojnë atje ku jetojnë nuk është një veprim i drejtë! Liberale, 03. 06. 2022
Marrdhënia
midis lirisë së individit dhe pushtetit të qeverisë është një nga
karakteristikat më dalluese të evoluimit njerëzor. Që në antikitet kjo
marrdhënie prezantohej si një konflikt mes nënshtetasve dhe sunduesit. Nënshtetasit
pranonin sundimin, në këmbim të mbrojtjes që sunduesi u siguronte, me kushtin
që sunduesi të mos e përdorte këtë pushtet kundër vet atyre. Përderisa sundimtarët
kishin forcën për të mbrojtur nënshtetasit e tyre, ata mund ta përdornin këtë forcë
edhe kundër lirive të nënshtetasve të tyre.
Më tej, erdhi një kohë kur njerëzit do ta kundështonin faktin që qeveritarët e tyre të ishin një pushtet i pavarur, dhe shpesh herë i kundërt me interesat e tyre. Këtu nisi dinamika e kalimit të qeverisjes nga sundimi i një mbreti të përhershëm- pushtet i cili ishte edhe i trashëgueshëm- në një qeverisje të përkohshme. Elita e shtetit do të ishin njerëz që e merrnin me koncension ushtrimin e pushtetit, dhe të revokueshëm nga detyra. Përzgjedhja e pushtetarëve zëvëndësoi “përpjekjet e mëparshme për të kufizuar pushtetin e sunduesve” do të na thoshte Mill në 1859.
Ishin baballarët e Liberalizmit Klasik, si Locke dhe Smith, vepra e të cilëve solli në shumë vende perëndimore këtë instrument themelor lirije. Falë ideve të tyre libertariane, shoqëritë perëndimore do të vendosnin të drejtën e votës në qendër të solidaritetit kombëtar. Locke do të na tregonte sesi organizohet “shoqëria politike” bazuar te votimi politik, kurse Smith do të na fliste për “tregun e lirë” i cili, gjithashtu, funksiononte mbështetur në votimin e çdo individi të shoqërisë, nëpërmjet çdo qindarke që shpenzonte në atë treg.
Për ta nisur me ‘votimin ekonomik’, mund të thuhet se në një treg të lirë -ku shteti nuk ndërhyn- janë qytetarët që vendosin se kush sipërmarrje sukseson dhe kush falimenton. Nëpërmjet çdo blerje që kryejnë, qytetarët vendosin fatin e një sipërmarrje, njësoj si në një votim politik ku vota vendos se kush nga politikanët në garë fiton dhe kush humbet. Bile votimi ekonomik është edhe më demokratik se votimi politik. Qytetarëve që kanë votuar për politikanin që ka mbledhur pakicën e votave, ju duhet të pranojnë “tiraninë e shumicës”, kurse në garën ekonomike qytetarët marrin pikërisht atë produkt apo atë shërbim për të cilin kanë votuar/ përzgjedhur/ paguar!
Kjo është arsyeja pse PPPtë në Shqiqëri (por jo vetëm ato) janë kaq shumë të dëmshme. Në një mekanizëm të tillë, nuk janë qytetarët që vendosin se kush do të jenë llojet e produkteve/ shërbimeve apo te kush sipërmarrje do të blejnë, por shteti. Pra është shteti: (i) që ju merr qytetarëve paratë që kanë për blerje, nëpërmjet taksave; (ii) vendos çfarë shërbimi/ produkti do të blej, i cili është i njëjtë për të gjithë qytetarët; dhe përzgjedh sipërmarrjen ku do ti blej këto produkte/ shërbime, e cila gjithashtu është e njëjta për të gjithë qytetarët. Me pak fjalë, janë qeveritarët që vendosin kush sipërmarrje do të suksesojë dhe kush do të falimentojë, por në të njëjtën kohë edhe çfarë produktesh/ shërbimesh do të konsumojnë qytetarët.
Ajo që ngelet për qytetarët është të paguajnë
taksat dhe të pranojnë llojin, sasinë dhe cilësinë e produkteve/ shërbimeve,
për përzgjedhjen e të cilave ka vendosur sundimtari. Absurditet! “Kush ha
kumbulla të tharta, dhe kujt i mpihen dhëmbët”! Në të kundërt me qasjen
socialiste/ etatiste/ kolektiviste të PPPve, ato para’ të taksapaguesve që ju
dhuruan një sipërmarrjeje të vetme për të “kontrolluar” shëndetin e individëve dhe
nuk prodhuan asnjë përfitim për shëndetin e publikut, mund të ishin përdorur
nga vet individët për gjëra më të vlefshme për secilin prej tyre. Në këtë rast,
do ishin qytetarët individualisht që do të vendosnin, dhe nëse do të kishin
gabuar do të pranonin edhe kostot e këtij gabimi.
Një person pranon dëmet e pësuara nga një gabim i bërë, vetëm kur atë gabim e ka bërë vet. Ky është thelbi moral i çdo “bashkëpunimi vullnetar” mes individëve të lirë të një kombi. Ngjashmërisht, i njëjti moral vlen edhe në “bashkëpunimin e detyruar” për formësimin e dizainit institucional të “shoqërisë politike” të një kombi. Nëse shumica e shoqërisë zgjedh elitën e gabuar politike, e gjithë shoqëria duhet të jetë e gatshme të pranojë dëmet që vijnë prej qeverisjes së kësaj elite. Duket se shprehja “bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës” e shteron këtë argument. Ose të paktën, nuk kemi apo nuk njohim, rrugë tjetër për të siguruar solidaritetin kombëtar.
E gjitha kjo bën kuptim moral kur është e shoqëruar me kushtin që e gjithë shoqëria të pësojë; dhe jo një pjesë e saj vetëm të pësojë kurse një tjetër vetëm të gabojë, sikurse është rasti i krijimit të kushteve që emigrantët të votojnë edhe pa ardhur fizikisht në Shqipëri.
Sigurisht që është e drejta e tyre kushtetuese, si konseguencë e faktit që janë
pjesë e solidaritetit mekanik të kombit; por nuk është e drejta e tyre morale të
përfshihen në përzgjedhjen e elitës qeverisëse të vendit, kur jeta e tyre nuk
ndikohet nga mënyra qeverisëse e kësaj elite. Përderisa jetojnë jashtë
juridiksionit të kësaj qeverisje, ata e kanë të pamundur fizikisht të
plotësojnë kushtin moral themelor: të pësojnë për gabimin e kryer!
Kushti moral themelor për tu arritur një
solidaritet organik kombëtar, që e gjithë shoqëria duhet të jetë bashkëvuajtëse
-përsa kohë është bashkëfajtore- nuk vjen si një dëshirë perverse për të parë
që vuajnë të gjithë njësoj; por si një kusht po aq moral dhe themelor që një
shoqëri, në masën e saj kritike, të “mësojë nga ajo që ka pësuar”. Vetëm duke
mësuar nga pësimi që vjen nga zgjedhjet e gabuara ka gjasa që një shoqëri,
sikurse çdo individ, të bëj zgjedhjet e duhura në të ardhmen. Ose të paktën të
mos bëj të njëjtat gabime.
Comments
Post a Comment