STREHIMI SOCIAL SI TENDER NDËRTIMI. Mapo, 13. 08. 2016

Strehimi social është aktiviteti i vetëm qeverisës që pasqyron plotësisht sistemin politico-ekonomik që kemi ndërtuar në këto 25 vjet. Një sorrogatë e “tregut të lirë dhe demokracisë” ndërtuar nga mentaliteti përgjithësues bolshevik i shoqërisë. Shumë aktivitete shoqërore e qeverisëse janë pjella të denja të këtij sistemi mostër, por në dinamikën e udhëtimit shoqëror 25 vjecar kanë evoluar edhe praktikat e tyre. Në të kundërt, strehimi social këmbëngul në një qasje statike që vendoset midis ‘etazmit monopolist’ dhe ‘tregut të lirë me frymëzim maksimalizimin spekulativ të fitimit’. Skaje këto, shumë larg qasjeve që një shoqëri e lirë dhe humane duhet të ketë për një aktivitet shoqëror që gëlltit miliona nga taksat e shqiptarëve pa prodhuar asnjë të mirë shoqërore. Për të vlerësuar këtë, do vëzhgojmë procesin në dy komponentët bazik të tij. Do ta nisim me dy e aspektet e komponentit të përzgjedhjes së familjeve përfituese të ndihmës së shtetit për tu strehuar. Kjo është faza më e rëndësishme por edhe më delikate, për shkak të mundësive të mëdha për praktika të vendimarrjes preferenciale. Së pari, në raportin shumë të zhdrejtë të raportit midis numrit të familjeve në nevojë për ndihmën e shtetit, me mundësitë që shteti ka për të ndihmuar. Kontribuesit më të mirë financiar që familjet të zotëronin një banesë nga tregu privat, remitancat dhe të ardhurat nga bisnesi i vogël, kanë pësuar rënie të fortë dhe do vijojnë në këtë trend. Ndërkohë cmimet e banesave në treg kanë ngelur të njëjtat, duke krijuar gjithmonë e më shumë familje në nevojë dhe që duhet ti drejtohen ndihmës së shtetit. Është ky raport ekstremisht i zhdrejtë që krijon hapsira po kaq të mëdha për vendimarrje preferenciale.
Së dyti, në lidhje me komponentin e përzgjedhjes së pëfituesit. Ligji dhe logjika e thjeshtë na thonë se përfituesit duhet të vlerësohen nga kushtet: e stehimit (janë të pastreha apo jetojnë nën kushtet minimale); ekonomike (të ardhurat që kanë); dhe specifike (pjesë të grupeve të disavantazhuara). Thënë shkurt, këto janë disavantazhet krahasuese mes familjeve, dhe secila prej tyre lehtësisht e matshme dhe e dokumentueshme nga agjensitë e shtetit. Mjafton ti vësh nga një numër dhe lista e përfituesve vet-krijohet. Mirëpo, ne nuk na mjafton logjika e numrave por e fusim listën për miratim në Këshill Bashkiak! Gjë që na “siguron” se familjet që vërtetë kanë nevojë të zëvendësohen nga besnikët e partive apo të afërmit e partiakëve. Për të mos folur për zarfat korruptiv, të cilët këshilltarët i fshehin pas luftës ndërpartiake “për të mirën e qytetarëve”! Po kaq i problematik është edhe komponenti i të drejtave të pronësisë mbi këto banesa. Së pari, në aspektin e kalimit të pronësisë për te të pastrehët. Vëzhgoni programet që zbatojnë sot bashkitë, por të përcaktuara nga Qeveria Qëndrore, dhe do t’ju rezultojë se të gjitha dhurojnë banesa! Pra, nëse je i varfër dhe i pastrehë, shoqëria shqiptare me paratë e saj dhe nëpërmjet qeverisjeve, të bën të pasur. Të bën pronar të një apartamenti që një më pak i varfër se ty nuk e blen dot në treg të lirë as për 50 vjet. Në pamje të parë duket sikur jemi shoqëria më humaniste në botë. Një farë Republike Robinhudiane, që ja merr banesat të pasurve për t’ja dhënë të varfërve. Mirëpo, nëse pranojmë se mënyra e përzgjedhjes së përfituesve është ashtu si është, keq na del llogaria, sepse në fakt jemi duke ushqyer makutërinë e partiakëve apo miqve të tyre.
Aspekti i mënyrës sesi qeverisjet i krijojnë këto pronësi është skandaloz. Në vendin ku rreth 50 mijë apartamente janë bosh dhe 300 mijë familje kanë nga dy banesa, qeveria ndërton apartamente të reja për të pastrehët! Ose më sakt, bën tendera për ndërtim banesash. Kanë edhe një institucion që e paguajnë, sigurisht nga fondet për të pastrehët, vetëm për këtë gjë. Dhe ndërsa bëjnë tendera ndërtimi dhe lista përfituesish pronësish, bashkitë shqiptare nuk zotërojnë asnjë banesë në pronësi të tyre! Po, janë bashkitë më të varfëra në botë, por që sillen si xhymertet më të mëdha. Dhe as u shkon në mëndje të operojnë në treg të lire, me asetet që kanë trashëguar prej brezash, për të krijuar një stok bashkiak banesash te i cili të strehojnë familjet që vërtet kanë nevojë. Sepse në fund të fundit kjo është detyra e qeverisjes lokale, jo të bëj tendera ndërtimi.


 

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017