KUSH FITON NGA NDËRTIMI I ‘KULLAVE TË TIRANËS’?! Mapo, 27. 10. 2017
Pavarësisht argumenteve të deformuara të
bashkisë Tiranë, argumenteve të oponentëve të saj dhe logjikës minimale që na
drejton në moslejimin e ndërtimit të kullave të Tiranës, ato do të ndërtohen.
Do të ndërtohen sepse kështu ka vendosur grushti i njerëzve që kanë monopolin e
vendimarrjes për cështjet e rëndësisë bazike në Shqipëri. Dhe nuk kanë vendosur
sot, sikurse po na e paraqesin, porse që në hapat e parë të procesit të
hartimit të atij dëngu me tabakë të mëdhenj letre, që nuk e di pse e quajnë
Plan Territorial të Përgjithshëm. Ajo që na mbetet, pas kësaj, është të
opinionojmë mbi ‘kush do të fitoj’ nga lejimi i ndërtimit të këtyre kullave në
qendër të qytetit.
E para e sigurtë është se, nuk fiton Atdheu!
Ky multiprojekt, së bashku me gjithë valën
ndërtimore të projektit Durranasan ku bën pjesë, ka për produkt koncentrimin e
qytetarëve shqiptarë në Tiranë. Si rrjedhim logjik territoret periferike të Atdheut
do të braktisen. Në kuptim të patriotizmit, kjo do të thotë lëshim i territorit
kombëtar. Mirëpo, kjo ka edhe implikime në ekonominë kombëtare. Largimi i
burimeve njerëzore, dhe në këtë kuptim edhe i burimeve financiare, nga burimet
natyrore e territoriale është vrasje për lindjen e sipërmarrjes së lirë me bazë
prodhimin. Dhe kjo lë peng, ekonominë kombëtare te modeli i ‘konsumit të
produkteve të importit’, dhe shoqërinë te ‘papunësia e shkallës së gjerë’.
E dyta e sigurt është se, nuk fiton Tirana urbane!
Nëse do ti bënim një vlerësim Tiranës urbane,
vetëm me një fjali, do të thoshim se problemi i saj është se ka një raport të
zhdrejtë midis volumeve të banimit dhe shërbimit me hapsirat publike e të
hapura dhe infrastrukturave sociale dhe inxhinierike. Ky multiprojekt nuk bën
gjë tjetër vecse e thellon këtë inbalancë sepse shton volumet ndërtimore të
banimit dhe shërbimeve në qytet. Rrjedhimisht, vështirëson përdorimin human të
qytetit dhe kjo ka implikime në stililin e jetesës së qytetarëve, shëndetin e
tyre dhe ekonomitë familjare. Prurjet e reja njerëzore do të shoqërohen me
thellim të heterogjenitetit, dhe kjo ka implikime negative në kohezionin social
të Tiranës.
E treta e sigurtë është se, nuk fitojnë qytetarët
e sotëm të Tiranës!
Volumet e reja dëmtojnë cilësinë dhe stilin e
jetës urbane të qytetarëve të sotëm. Implikimet kanë lidhje me rritjen e
konkurencës në tregun e punës, i cili edhe sot është shumë i deformuar, por
edhe me konflikte potenciale ndërkulturore. Por ajo që i dëmton thellësisht
qytetarët e Tiranës është implikimi që ky megaprojekt ka në tregun e pasurive
të paluajtshme. Shumica e familjeve zotëron një pronësi të paluajtshme, vlera e
të cilave do të ulet në treg. Jo vetëm sepse shtohet një stok i ri, por edhe se
ndërtuesve do ju duhet të shesin stokun e pashitur për të finacuar zhvillimet e
reja. Kështu, qytetarët e sotëm do jenë më të varfër megjithëse do kenë të
njëjtët tituj pronësish.
Ardhja në Tiranë nuk është një patologji shoqërore
shqiptare për tu larguar nga vendbanimet e origjinës. Është plotësisht e kundërta.
Është nevoja që këto ndërtesa të shiten (pjesërisht edhe të financohen) që ka
zhvilluar një aksiomë shumë të gënjeshtërt, sipas të cilës vetëm në Tiranë mund
të jetohet. Në ndjekje të “ëndrës Tiranase”, të ardhurit rishtas do harxhojnë
paratë e grumbulluara (kryesisht në emigracion) dhe kredive skllavëruese, për
të blerë beton të modeluar në apartamente. E gjitha kjo, duke i ikur mundësive
për sipërmarrje në vendlindje dhe për tju dorëzuar papunësisë, punëve të vështira
apo ëndrës për një vend pune në shtetin e partisë së tyre.
E pesta e diskutueshme është se, nuk fitojnë
as investitorët!
Nëse stoku i banesave dhe i hapsirave tregtare
do ishte në treg të lirë, do kishim një të ‘pestë të sigurt’. Pra, as
investitorët nuk do të fitonin prej këtyre zhvillimeve. Mirëpo, ky stok
asnjëherë nuk i është nënshtruar mekanizmave të tregut. Me target kryesor konservimin
e cmimit të shitjes dhe në liri për të mos shitur sepse nuk i nevojiteshin para’
për investime të reja apo se nuk kishin barrë taksimi, ata e kanë mbajtur këtë
stok në ‘paradhomën e tregut’. Duke ja shkarkuar të gjitha dëmet atdheut,
qytetit dhe blerësve nëpërmjet pesë valëve të spekulimit me ta. Në të kundërt,
nëse zhvilluesit sajojnë një valë të gjashtë spekullimi, atherë ata do të jenë
të vetmit që fitojnë.
Si përfundim?
Duke anashkaluar
përgjigjen, për pyetjen ‘po zyrtarët e bashkisë, a fitojnë?’, sepse kjo nuk i përket
as politikave të zhvillimit kombëtar dhe as politikave urbane, le të bëjmë ca
parashikime opinionistike për të ardhmen. Së pari atdheu do vijojë të dëmtohet
në dimensionin territorial, ekonomik dhe social. Së dyti qytetet do vijojnë
zhvillimin e tyre në dy tipologji diametrikisht të kundërta: qytete të
tejshtrira e të mbipopulluara dhe qytete të strukura e të nënpopulluara. Dhe së
treti, familjet do mbeten në varfëri ekonomike dhe do jetojnë në banesa, lagje
e qytete nën mjerimin urban, megjithëse do të zotërojnë më shumë tituj pronësie
se ato që kishin më parë.
Comments
Post a Comment