CFARË DUHET TË KUPTOJ ADMINISTRATA E SOTME LOKALE! Mapo, 04. 10. 2017
(Me referencë të
vecantë Tiranën urbane)
‘Dëshironi
qese?’, ishte pyetja shumë e cuditshme që ma bëri kashierja e një
hipermarketi në Tiranë, ndërsa midis meje e saj qëndronte një mal me ushqime
për tu transportuar. ‘Po’ - ju përgjigja me gjysëm zëri, sepse përgjigjen me zë
të plotë nuk e meritonte ajo por drejtuesit e bashkisë Tiranë. Ata që “po na e
bëjnë Tiranën si Parisi”, por që nuk kuptojnë se praktikat e mira perëndimore
kanë vlerë kur implementohen vetëm pasi futen nën ‘lëkurën’ shqiptare. Kjo
sepse, është e vërtetë që në disa qytete perëndimore qeset plastike janë me
pagesë dhe kjo ka ndikimin e vet në nivelin e ndotjes mjedisore, porse kjo
praktikë nuk ka asnjë ndikim në rastin shqiptar.
Në ndryshim të kulturës perëndimore ku për
mbetjet përdoret ambalazh i dedikuar, në Shqipëri qeset e blerjeve përdoren
edhe për largimin e mbetjeve familjare në vendgrumbullimin e tyre. Është ky
ndryshim i vogël që bën diferencën e madhe të impaktit mjedisor të të njëjtës
praktikë por të ndërmarrë në dy kultura të ndryshme. Dimensioni kulturor i një
shoqërie është thelbësor në ndërtimin e një rruge për ribërjen e qytetit. Këtë
duhet ta kuptojnë sa më shpejt autoritet locale, të cilat përpara se të
nxitohen në projekte populiste e demagogjike duhet të thellohen për të kuptuar
disa gjëra thelbësore në “përshtatjen” e qëndrave urbane për një jetesë më humane.
E parë gjë që duhet të kuptojnë është se, problematikat
dhe disekuilibrat urbane nuk mund përballohen pa përfshirë qytetarët dhe komunitetet
në planifikim, projektim dhe menaxhim të
zgjidhjeve. Koha kur urbanistët ishin mbrojtësit e vetëm të cilësisë urbane dhe
dimensionit human të qyteteve ka vdekur gjysëm shekulli më parë. Jo vetëm se
‘përfshirja qytetare’ është një parim i qeverisjes së mirë, por edhe për arsyen
praktike se askush më mirë se të prekurit nuk mund ta njohin problematikën apo
disekulibrin urban për të cilën po kërkohet zgjidhja. Askush më mirë se
qytetarët dhe palët e interesuara nuk mund të dijë se ‘ku pikon catia e lagjes
së tyre’.
Një gjë tjetër, po kaq e rëndësishme për ‘përfshirjen
qytetare’ që duhet të kuptojnë është se ajo nuk mund të synohet nëpërmjet
thirrjeve demagogjike, por duke rritur ndjenjën e përkatësisë së qytetarëve për
pronësitë e përbashkëta dhe publike. Në fakt, është një marrdhënie ndërvarësie.
Sa më të përfshirë ta ndjejnë veten qytetarët aq më të tyret do ju duken këto
hapsira, dhe sa më të tyret tju duken këto hapsira aq më shumë përfshihen në
proceset përmirësuese. Sepse, këtu nuk e kam fjalën vetëm për njohjen nga
zyrtarët të praktikave qytetare, por për përfshirje intelektuale të këtyre
përgjatë procesit të hartimit dhe implementimit të politikës, programit apo
projektit.
Cështjet urbane nuk mund të trajtohen të fragmentarizuara, por si një agregat ku cdo cështje është një komponent që ndikon jo vetëm te e gjitha por edhe te komponentët e tjerë. Një ndërhyrje e fragmentarizuar provokon një reaksion zinxhir ndryshimesh që duket sikur përmirësojnë një problematikë, por në fakt prodhojnë një rrjet disekulibrash të tjerë. Nëse i bëjmë një vlerësim thelbësisht teknik do arrinim në përfundimin se fragmentarizimi i zhvillimit (lejedhënia), është arsyeja pse sot qytetet tona janë kaq keq të jetueshme. Dhe kjo është një gjë që ekspertiza lokale duhet ta kuptojë sa më shpejt, nëse e kemi seriozisht projektin për ndryshim.
Në fund të fundit, kjo ishte nevoja e “shpikjes”
së shkecës së urbanistikës. Vëzhgimi i një situate apo hapsire urbane si një e
tërrë, duke përfshirë të gjithë elementët përbërës të tij. Për urbanistikën, të
thuash se te ky sheshi do ndërtoj ‘një pallat’ apo ‘një lulishte’ është e
njëjta gjë e gabuar. Urbanistika njeh si objekt të vetin shkencor njësinë
urbane, e cila përfshin në vetvete edhe pallatin edhe lulishten, sikurse cdo
element tjetër formues të saj. Për të njëjtën vlefshmëri shkencore, përtej
demagogjisë e populizmit, disekuilibrat urbanë
nuk ekuilibrohen me aksione “me goditje të përqëndruar”, por me punë të përditshme
sistematike të kudoshtrirë dhe afatgjatë.
Por ajo që vendimarrësit local duhet ta
ngulisin në vetdijen e tyre teknike dhe politike është domosdoshmëria e
planifikimit. Kthesa reale për qytetin nis nga proceset gjithëpërfshirëse dhe
shumënivelëshe planifikuese. Janë këto procese që prodhojnë instrumenta
planifikimi, të cilat do na thonë për cfarë ka nevojë qyteti në përgjithësi,
qëndrat urbane të tij dhe njësitë strukturore të tyre. Nëse këto plane na përcaktojnë
strategjikisht apo teknikisht rrugën që duhet të ndjekim nga njëra anë, dhe lejojnë
ndryshime për tju përshtatur të papriturave dhe risive nga ana tjetër, atherë
mund të themi se jemi në udhëtimin e duhur drejt një qyteti më human e më mirë
të jetueshëm.
Comments
Post a Comment