ARGUMENTET E DEFORMUARA TË BASHKISË PËR ‘KULLAT E TIRANËS’. Mapo, 11. 10. 2017
Ka një arsye logjike pse nuk jam shprehur për
kullat në qendër të Tiranës. Përfshirja në një debat të tillë të
fragmentarizuar do të dëmtonte një nga tezat e mia më të rëndësishme. Tezën se,
asnjë zhvillim parcial nuk mund të vlerësohet nëse nuk vjen nga një set
hirearik planifikimesh. Thënë thjesht, për të vlerësuar nëse ndërtimi i kullave
duhet lejuar apo jo, duhet të kemi së pari një Plan të Përgjithshëm të Tiranës dhe
në zbatim e zbërthim të tij studime pjesore për të gjitha njësitë strukturore urbane
ku përfshihen edhe trojet e këtyre ndërtesave që kërkohen të ndërtohen. Në këtë
kuptim, opinion im jashtë konjukturës së ‘domosdoshmërisë së planifikimit’ do
legjitimonte cdo opinion tjetër. Mirëpo, këto ditë u gjenda në vështirësi për
ti qëndruar këtij parimi bazik sepse bashkia Tiranë shprehu publikisht
argumentet e saj ‘pse kullat janë një e mirë publike për Tiranën urbane’!
Argumente të cilat kam vendosur të replikojë në këtë shkrim modest opinioni.
Argumenti i parë, i autoritetit të bashkisë,
ishte se midis dy qasjeve teknike për të rritur Tiranën urbane ‘tejshtrirjes
apo densifikimit’, ata kishin zgjedhur të dytën. Për ta përkthyer në gjuhën e përditshme,
ky është një debat bashkëkohor i shkencës së urbanistikës, në të cilin shkencëtarë
të ndryshëm kontribuojnë duke sjellë
argumenta ‘pse qyteti duhet zgjeruar në sipërfaqe duke ruajtur të pandryshuar
densitetin’ dhe/ose ‘pse qyteti duhet densifikuar pa u tejshtrirë’! Bashkisë
Tiranë i kishin pëlqyer argumentet e grupit të dytë dhe kishin vendosur pro
densifikimit nëpërmjet ndërtimit të këtyre kullave. Mirëpo, zyrtarët e Bashkisë
kishin harruar pa konsideruar dy variabla teknike shumë të rëndësishme. Së
pari, se Tirana me 200 banor për hektar është tashmë një qytet i
mbidensifikuar. Dhe së dyti, Tirana urbane po i nënshtrohet gjithashtu edhe një
supershtrirje në Bulevardin e Ri dhe zhvillimeve masive të pakontrolluara në periferitë
e saj.
Me një fjalë nuk kemi të bëjmë me një
përzgjedhje midis dy alternativave teknike për tu rritur, sikurse po na thuhet,
përderisa të dyja alternativat janë ndërmarrë nga e njëjta administratë lokale.
Por kundështia ime më e madhe me arsyetimin e Bashkisë qëndron në pyetjen që
ata as nuk e shtrojnë fare, dhe jo më të kërkojnë argumenta për ta mbrojtur.
Kush e ka vendosur që Tirana duhet të rritet dhe që administrata lokale është e
detyruar të zgjerojë dhe/ose të lartësojë qytetin për të strehuar 22 mijë të
ardhur cdo vit në Tiranën e 1 milion banorëve?! Në fakt, ajo që kemi bërë në 20
vjetë është se të gjithë ndërtesave të stokut të banesës së ndërtuar në kohën e
komunizmit i vumë rrota dhe e kemi sjellë në Tiranë. Bile më keq, ato i lamë
atje ku ishin dhe ndërtuam 230 mijë të tjera. Që këtu duhet të nisi
shkencërisht analiza mbi Tiranën e së nesërmes. Ky është dabati bazik për
Tiranën urbane, përpara se gjithë Shqipëria të mblidhet në Tiranë.
Argumenti i dytë i zyrtarëve të bashkisë
Tiranë lidhej me ‘ndihmën që do jepte ndërtimi i kullave në lehtësimin e
trafikut në zonën qëndrore të Tiranës”! Edhe për këtë argument fshiheshin pas
shkencëtarëve botëror, por pa përmendur asnjë prej tyre. Sidoqoftë, për ti
dhënë hakun, është e vërtetë që ka kontrobues në vëzhgime sociale dhe urbane që
e mbështesin këtë tezë, porse ata e bëjnë në konteksin e qëndrave të reja
urbane. Rritja e densitetit nëpërmjet kullave të superlarta, vërtet shkurton
distancat e lëvizjes së përdoruesve të rrugëve dhe kjo ul kohën e lëvizjes së
automjeteve në rrjetin rrugor të qytetit, por jo në konteksin e Tiranës. Një
ndër specifikat e saj është se korridoret rrugore janë shumë të ngushtë dhe të
paadoptueshëm. Pra vërtet distancat e lëvizjes shkurtohen si pasojë e grumbullimit
të aktivitetit human, por në të njëjtën kohë shtohet numri i mjeteve në lëvizje
për njësinë e sipërfaqes rrugore, dhe kjo sjell bllokimin e trafikut.
Sidoqoftë, tre cështje
i riverifikuam nga qëndrimi i administratës së Bashkisë Tiranë për lejimin e ndërtimit
të disa kullave hiper të larta në zonën qendrore të qytetit dhe argumentet e
tyre të deformuara për ta mbrojtur këtë vendimarrje anti Republike (cështje
publike)! Së pari, se dimensioni teknik i administratës së bashkisë e ka të
pamundur ti konteksualizojë zgjidhjet e teknikës dhe shkencës globale brenda
kulturës dhe mundësive shqiptare. Së dyti, se Karl Poper i ‘Pozitivizmit
Kritik’ kishte të drejtë kur kundështonte Ogyst Kont të ‘Pozitivizmit Klasik”
me argumentin se njerëzit me dembelizmin dhe parazitizmin që i karakterizon
janë të prirur të gjejnë vetëm ato fakte që vërtetojnë hipotezën e tyre. Dhe së
fundi, ndonjëherë është e domosdoshme të shkelës mbi parimet e tua nëse ky
veprim shkon në përputhje me domosdoshmërinë që publiku të informohet me
alternativa të demagogjisë, dhe mbi këtë informim të riformatojë qëndrimet e
tij.
Comments
Post a Comment