"ARROGANCA E NDERSHKUAR ME VOTE", DECENTRALIZIMI DHE SHERBIMET PUBLIKE. Mapo, 04.07.2013

Ka më shumë se një javë që zgjedhjet e qershorit 2013 kanë përfunduar. Dhe siç është e kuptueshme analistët politikë mundohen, secili sipas mënyrës së tij, të shpjegojnë se çfarë ndodhi. Por çfarë ndodhi, në fakt? Ndodhën shumë gjëra. Pothuajse pa asnjë rritje partia kryesore opozitare (PS) u transferua nga opozitare në pozitare. E vërtetë, kjo e fundit, që do të çudiste çdo njohës të demokracisë në botë, por që nuk njeh rastin shqiptar. Sepse rasti shqiptar, si gjithmonë, është më i veçanti. Aq i veçantë është sa asnjë analist, i lokalizuar në fashën e gjerë të analizës politike shqiptare, nuk e parashikoi dot. Edhe ata të ekstremit të majtë të kësaj fashe, megjithëse sot rreken me arrogancë të thonë se unë e kisha thënë, në asnjë rast nuk parashikuan mbështetur në një analizë këtë verdikt popullor. Ata thjesht shprehën dëshirën e tyre të flaktë që lideri i tyre të bëhej Kryeministër. Kaq. Dhe vetëm. Jo vetëm analistët e majtë, të cilët duket se dështuan si analistë, por suksesuan si socialistë, por edhe vetë liderët e partive opozitare dështuan në nuhatjen e rezultatit. Dhe kjo nuk ka nevojë për referencë sepse do të ishte tautologji. Ata vetë e kanë deklaruar publikisht këtë. Me daljen e rezultatit të zgjedhjeve, dija e opinionit, që me sa duket dështoi, i la vendin dijes shkencore. Ndërsa dështuam në përvojat tona të veçanta që iu nënshtruan nevojave tona pragmatike dhe individuale të dijes së opinionit, ne nuk duhet të lexojmë gabim rezultatin empirik të zgjedhjeve. Sepse po bëmë këtë, thjesht kemi ndryshuar një qeveri dhe një administratë me një tjetër dhe nuk kemi marrë asnjë mësim. Dhe mësimet e nxjerra nga sjellja e votuesve ditën e zgjedhjeve janë shumë të vlefshme për një shoqëri në demokratizim në vijim. Këto leksione mund të shërbejnë për t’u mos përsëritur të njëjtat gabime në të ardhmen.
Rezultati i zgjedhjeve të qershorit, e thënë thjesht dhe i rrumbullakosur është ky: PD ra në masën 10 %; LSI, PR dhe PDIU u rritën po kaq; ndërkohë, PS “nuk lëviz nga istikami”. Pra, nëse do t’i organizonim partitë në koalicione jo sikurse janë tani, por sikurse qeverisën për katër vite pa dy muaj, atëherë nuk do të kishte ndodhur asnjë gjë. Në fakt ka ndodhur shumë. Së pari, kemi koalicione të tjera, çka rezultoi në të tjerë fitues. Dhe së dyti, kemi lëvizje të forta të mbështetësve të partive brenda koalicionit që për katër vite qeverisën vendin. Në prehrin e dijes shkencore, është e vështirë që ndonjë opinionist të rrëzojë këtë protokollim të fakteve (shifrave) që dalin nga verdikti numerik i votuesve në zgjedhjet e qershorit. Sidoqoftë, rishpërndarja e votave brenda mazhorancës dhe perceptimi publik mbi tiparin e sjelljes së secilës parti gjatë qeverisjes, mund të na tregojnë edhe problemet e qeverisjes katërvjeçare. E thënë thjesht, kush ishte problematika e sjelljes qeverisëse të PD-së të cilën elektorati nuk e konstatoi te sjellja qeverisëse e LSI (veçanërisht), PR apo PDIU? Sepse, përsa kohë çdo gjë lëvizi brenda kampit, atëherë nuk pati frymë opozitare dhe ndryshimi i sjelljes së votuesit duhet kërkuar te ndryshimi midis sjelljes së partive në veprime qeverisëse. Analizat politike, të cilat kanë qenë të shumta ditët e fundit, me argumente të qëndrueshme përjashtojnë perceptimin publik mbi korrupsionin si variabla më ndikuese. Dakord me këtë. Ato (analizat) përjashtojnë edhe shumë sjellje të tjera qeverisëse për të cilat publiku do të krijonte percepsione të ndryshme midis këtyre partive. Sidoqoftë, duket sikur të gjithë e vënë gishtin vetëm në një plagë. Duket sikur të gjithë dhe njëzëri nënvizojnë si sjellje diferencuese ndaj qytetarit ‘arrogancën’ e administratës së PD në raport me ‘njerëzillëkun’ e administratës së LSI.
Një nga parimet më të rëndësishme të Qeverisjes së Mirë është subsidiariteti. Ky parim konsiston në dhënien e shërbimeve publike me kosto sa më të ulët (para dhe kohë) dhe sa më afër qytetarit. Në terma konkretë, decentralizimi i funksioneve dhe kompetencave është procesi që ndjek Shqipëria politike dhe ligjore. E thënë thjesht, ndërsa rrekemi të demokratizojmë jetën tonë shoqërore, ne hartojmë elementët e kontratës tonë sociale duke kaluar kompetenca qeverisëse nga Pushteti Qendror drejt atij Vendor. Nën frymën e Kartës së Autonomisë Lokale dhe nën vëzhgimin e Institucioneve Ndërkombëtare, ne, për së pari ndërtuam një qeverisje me dy nivele dhe, së dyti kaluam shumë kompetenca nga qeveria qendrore drejt qeverisë vendore. Dhe të themi atë që është, të gjitha çështjet që do të detyronin një qytetar t’i drejtohet qeverisjes apo administratës janë çështjet dhe problemet e jetës së përditshme. Të cilat janë ‘funksione të veta’ të qeverisjes vendore, tashmë që prej 13 vjetësh. Përsëri empirikisht, mund të themi se qeverisja dhe administrata në Shqipëri paraqet edhe një karakteristikë tjetër. Qeverisja Qendrore i përket koalicionit (pas 1 prillit pa LSI-në) që humbi në zgjedhjet e qershorit, pra ‘arrogantëve’, kurse Qeverisja Vendore (në shumicën dërrmuese) i përket koalicionit triumfues, pra ‘të njerëzishmëve’. Kështu biem në paradoks. Pra, ndërsa qytetarët kërkonin një leje ndërtimi për të zhvilluar pronën e tyre, kontroll më të mirë të territorit sepse fqinji po ndërtonte pa leje, bile edhe në pronën e tij, tubacione të reja sepse uji i pijshëm i shkonte me ndryshk, kanalizime më të mira sepse mbetjet e lëngshme urbane dilnin në sipërfaqe, rrugë urbane të shtruara, hapësira të hapura dhe të gjelbra, largimin e mbetjeve të ngurta urbane, ndriçim e gjelbërim rrugor dhe shumë të tjera si këto shërbime publike në përgjegjësi të pushtetit vendor, ata (qytetarët) ndiheshin të pashërbyer nga pushteti qendror! Nuk ka kuptim.
  Por qytetarët folën, dhe rezultati i zgjedhjeve tashmë është i matshëm empirikisht. Nuk ka më vend për hamendësime mbi rezultatin, por është koha e të nxjerrit mësime. Secili sipas interesit. Dikush mund të kuptojë se “me kë duhen bërë koalicionet”. Dikush tjetër, se si mund të analizohen më mirë trendet e sjelljes qytetare. Për mua, si mund të përmirësohet qeverisja. Dhe ajo që lexova nga këto zgjedhje, është se kemi probleme: të njohjes së qytetarëve mbi përgjegjësitë e ndara qeverisëse; të decentralizimit të kompetencave nga një nivel qeverisës te tjetri, dhe; cilësinë dhe nivelin e shërbimeve publike ofruar qytetarëve. Kurse leksioni që morëm nga qytetarët është se: ka ikur koha e pohimit ‘ne kemi ligje të mira, por nuk zbatohen’, sepse nuk mund të jetë një ligj i mirë ai që nuk zbatohet; ka ikur koha e ‘modelit vertikal të formulimit të politikave’, sepse është koha e gjithëpërfshirjes dhe e angazhimit qytetar në ligj-hartim, dhe së fundi; ka ikur koha kur qytetari duhej të kënaqej me ato shërbime publike dhe në atë cilësi që i jepej, sepse qytetari meriton më të mirën. Në fund të fundit, ai është taksapaguesi. Ai mundëson qeverisjen.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017