CFARË PO I SHANTAZHON KRYEBASHKIAKËT? Mapo, 27.11.2014.

Nëse do të na duhej të bënim një përkufizim të kësaj qeverisje nuk do ishte ndonjë punë e vështirë. Qasjet qeverisëse ndaj problematikave, si në përmbajtje edhe në formë, kanë qënë lehtësisht të lexueshme për këdo. Nuk do të bënim ndonjë zbulim po të thoshim se qeverisja i ka ndenjur larg cështjeve, problematikave dhe nevojave me dimension kombëtar dhe ka trajtuar vetëm cështje vendore. Për më keq, edhe trajtimi i këtyre cështjeve ka qenë thjeshtë në fasadë. Pa prekur asnjë nga problematikat thelbësore dhe komplekse të zonave të banuara në qytetet e infektuara shqiptare. Dhe po ti shtojmë këtu edhe faktin që cdo punë e ka bërë me polic, një përkufizim i shpejtë e sipërfaqësor i kësaj qeverisje mund të ishte ‘centraliste, policore dhe estetiste’.
Nëse një qeveri vendos të prezantohet si një make up-iste, me dëshirë dhe duke u ndjerë e realizuar, kjo është në vullnetin e saj. Për shumëkënd mund të jetë një gabim, porse mbetet në këtë kornizë. Ndryshon puna nëse make up-in e bën me polic. Atherë nuk është më një gabim, por, një faj. Dhe në kuptim të një marrdhënie demokratike përfaqësuese, populli në cdo kohë mund të mbaj qëndrim ndaj gabimit dhe ta dënoj fajin. Mirëpo ajo që kalon kornizat e kësaj marrdhënie dy palëshe është dimensioni centralist. Rrëmbimi i funksioneve qeverisëse nga qeveria qëndrore e komlikon shumë cështjen. Ky aspect jo vetëm dëmton demokratizimin në evoluim të shoqërisë dhe institucioneve, por nxjerr nga korniza legjitime raportin dy palësh votues dhe i votuar.
E thënë thjesht, një votues ja kalon sovranitetin vendimarrës një kryebashkiaku për disa funksione të caktuara qeverisëse. Ndërsa një kryeministri për disa funksione krejt të tjera qeverisëse. Dhe nëse një kryeministër kryen funksione qeverisëse për të cilat është votuar një kryebashkiak, atherë kush do kryej funksionet për të cilat është votuar ai vet? Kjo i komplikon gjërat jo vetëm në aspektin e vlefshmërisë ligjore, por, edhe në përgjigje të pyetjeve: pse e lejojnë kryebashkiakët këtë vjedhje juridiksoni?; cfarë po i detyron ata që të pranojnë dështimin e turpshëm para zgjedhësve të tyre?; a janë ata nën shantazhin kryeministror? Pyetje, këto, legjitime po të ndjekësh daljet mediatike të shumë prej tyre në krah të Kryeministrit ‘që është duke bërë punët e tyre’.
Shfaqje publike në krah të “Shefit”, si një fëmijë që kthehet i shoqëruar nga kushëriri i madh në vendgjarjen e një zënke, nga e cila më parë ka dal humbës. Qesharake por edhe e dhimbshme. E dhimbshme të shikosh njeriun më të rëndësishëm të qytetit ndërsa mban shënime mbi direktivat e Kryeministrit për ‘sa të gjëra duhen bërë trotuaret’, ‘si mbillen pemët’ apo ‘si lyhet fasadat’, ndërsa vrapojnë të arrijnë ecjen e tij përgjatë veprës në ndërtim. E dhimbshme por edhe e justifikuar. E justifikuar në moralin ‘pa moral’ të ëndrës së djegur për një rikandidim pas gjashtë muajsh, në garën zgjedhore vendore. E justifikuar por edhe të shantazhuar. Të shantazhuar nga ndonjë ofendim apo grusht që mund marrin në publik. Por vecanërish nga dosjet pafund që “Shefi” u tund para syve.
E kam fjalën për dosje të mbushura me vendime për miratimin e listave të përfituesve të strehimit social. E kam fjalën për dosje të mbushura me vendime për miratimin e lejeve të ndërtimit. E kam fjalën për dosje të mbushura me procesverbale konstatuese për ndërtimet paleje. E kam fjalën për dosje të mbushura me protokolle mbledhjesh të këshillit bashkiak apo të Krt-së dhe shumë trupave të tjera kolegjiale ku merreshin vendime. Janë këto dosje, e të tjera si këto që duket se shantazhojnë kryebashkiakët që pranojnë të shoqërojnë “kushërinin e madh” ndërsa ky i mbron nderin dhe dinjitetin e humbur para publikut. E kundërta nuk mund të ndodhi. Një fat si ai i kolegut nga Vlora, apo shumë më i keq do t’i shoqëronte në pjesën tjetër të jetës së tyre private apo publike.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017