ANTIREFORMA NJE? Mapo, 19.11.2013

Vetëm pak ditë me parë Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit mbajti një takim me Autoritetet e Njësive të Qeverisjes Vendore. Takime të ngjashme kjo ministri ka kryer edhe me palë të tjera të interesuara, si një hap të parë për rishikimin e ligjit ‘Për Planifikimin e Territorit”. Ky ligj është miratuar në prill të vitit 2009-të dhe është, në planin politik, ligji më gjithëpërfshirës i miratuar ndonjëherë në dy legjislaturat e fundit. Kjo, sepse ligji u miratua me votën e të dyja palëve politike. Pra, megjithëse e hartoi administrata e Partisë Demokratike, në atë kohë në pushtet, e votuan pro edhe deputetët e Partisë Socialiste, në atë kohë në opozitë. Dhe kjo, në një vend si Shqipëria dhe për një cështje si zhvillimi i territorit është një gjë e shumë e mirë.
Por nuk është ky dimensioni më pozitiv i këtij ligji. Dimensione positive ky ligj ka shumë. Ai u draftua, si rrallë herë, si pjesë e një reforme të thellë dhe mbështetur në një ‘Dokument Politikash’. Dokument i cili, në vetvete, u hartua përgjatë një procesi me përfshirjen e një grupi të madh aktorësh e palësh të interesuara. Në diskutime që zgjatën muaj, u përcaktuan problemet e shumta të situatës së planifikimit të territorit dhe zhvillimeve të tij. Problematikat ishin të shumta dhe të shumta duhet të ishin edhe qëndrimet politike për to. ‘Dokumenti i Politikave’ përcaktoi nevojën e domosdoshme të hartimit të një baze të re ligjore dhe vendosi piketa të qarta për të. Sistemi i ri ligjor jo vetëm duhet të mbyllte të gjitha “vrimat” që lejonin një zhvillim si ai deri at’hershmi, por duhej të mbështetej fortë në disa parime shumë të rëndësishme të Qeverisjes së Mirë. Duket se, ligji ja doli me sukses. Kështu në prill të vitit 2009, Shqipëria mund të vlerësohej, si një nga vendet e rajonit por edhe më gjerë, se kishte produkte konkrete në procesin e një reforme të thellë dhe shumë moderne. Reformë kjo, shumë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik, social, kulturor dhe mjedisor, të një vendi në zhvillim si Shqipëria. Vlerësimet positive, të këtij shkrimi, duket se i kishte edhe opozita e asaj kohe apo pozita e sotme, përderisa votoi për miratimin e ligjit. Më tej, reforma vazhdoi për hartimin e nivelit të dytë të legjislacionit dhe tranzitimin nga sistemi i mëparshëm në sistemin e ri, deri në tetor të vitit 2011 ku ligji i vjetër shfuqizohet dhe ligji i ri hyn në fuqi të plotë veprimi. Përtej debateve të brendshme të administratës, në asnjë rast opozita e djeshme apo ekspertiza e saj teknike nuk u artikuluan kundër apo me vërejtje mbi këtë proces dhe produkteve të tij. C’ka të drejton të besosh në dakortësinë e saj.
Por nuk po ndodh kështu, tashmë që, opozita e djeshme është në pushtet. Megjithëse, nuk ka bërë publike kundështi me ligjin apo procesin tranzitiv të tij, ajo ka ndërmarrë veprime konkrete për ndryshime në këtë ligj. C’ka logjikshëm nënkupton edhe shfuqizime të akteve rregulluese apo planifikuese në fuqi. Në mungesë të transparencës edhe për palët e interesuara, gjë që duket se po karakterizon qeverisjen e re, nuk është e kuptueshme se cfarë kërkohet të ndryshohet apo të përmirësohet. Nëse besojmë në ato që raportoi media, se ‘ligji aktual ka termiologji të vështirë që duhet të lehtësohet’, kjo nuk i prish ndonjë punë sistemit. Në fund të fundit, konvencion është. Dikush i quan ‘plane vendore’, dikush ‘plane rregulluese’ dhe dikush tjetër ‘plane urbane’. Sigurisht, do humbim nja katër apo gjashtë vjetë të tjerë, por ka edhe më keq. Dhe e keqja më e madhe do të ishte “thjeshtëzimi” i anës përmbajtësore të ligjit. Deformimi i dispozitave ligjore që sigurojnë aplikimin real dhe të pashmangshëm të parimeve të Qeverisjes së Mirë. Kjo do ishte e keqja më e madhe. Largimi i ligjit nga parime që mundësojnë transparencën dhe gjithëpërfshirjen, decentralizimin dhe lehtësimin në vendimmarje, koordinimin dhe integrimin e planifikimeve, planifikimin e detyrueshëm dhe propocional. Kjo, do të ishte një anti-reformë për planifikimin dhe zhvillimin e territorit. Do të ishte anti-reforma një.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017