KRYEREFORMA DY DHE BIG BROTHER. Mapo, 24.12.2013

Vetëm pak ditë më parë, nëpërmjet televizioneve, ndoqëm kryereformën e dytë të qeverisjes së re. Për kujtesë të publikut, kryereforma e parë ishte zëvendësimi i fotos së Presidentit me atë të Ismail Bej Qemalit. Ndërsa kjo e dyta, ishte rrëzimi i një pallati me leje ndërtimi në Vlorë. Ishte vendimmarrë më parë, por ekzekutimi iu bë rreth një javë më parë. Bile vazhdon, sepse nuk mundën ta rrëzojnë përfundimisht nëpërmjet tritolit. Puna vijon nëpërmjet makinerive të mëdha deri në pastrimin e plotë të truallit të ndërtimit. Media e transmetoi të plotë. Madje nga kënde të ndryshme shikimi dhe me një bashkërendim të plotë (jo vetëm kohor) me implementuesit publikë të reformës. Mungonte një kamera që ta filmonte nga brenda dhe që do ta plotësonte shumë perceptimin publik të kësaj kryereforme, por gjëra që ndodhin në një vend si Shqipëria. Jam i sigurt që do ta përmirësojnë në të ardhmen. Sepse në mënyrë të drejtpërdrejtë Kryeministri na ka premtuar se shfaqja/kryereforma do vazhdojë deri në Butrint. Pra, do jetë ciklike dhe interaktive, duke u konvertuar në një serial të përjavshëm. Në çdo puntatë të të cilit, nën një regji qeverisëse, media do na shfaqë rrëzimin e një apo një grup objektesh të ndërtuara me apo pa leje. Kurse ne shqiptarët të liruar nga punët që po humbim përditë, premtojmë një shikueshmëri të plotë.
Mirëpo, sikurse shkenca na mëson, çdo e mirë e madhe ka gjithmonë ndonjë të keqe të vockël që e shoqëron. Dhe në rastin e kësaj reforme, ka disa. Për së pari, është në kundërshtim me Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese, në një rast të ngjashëm është shprehur se kompetencat midis qeverisjes qendrore dhe vendore, në fushën e menaxhimit urban janë qartësisht të ndara. Dhe se, ndërhyrjet për prishje objektesh lokale nga autoritete kombëtare bien në kundërshti me parimin e decentralizimit të pushtetit dhe autonomisë lokale, të sanksionuara në Kushtetutë dhe në Kartën Europiane të Autonomisë Vendore. E thënë thjesht, Gjykata Kushtetuese thotë se vendimi nëse një leje lokale është apo jo e ligjshme, duhet të vijë vetëm nga Gjykata. Në çdo rast, jo nga qeveria qendrore. Së dyti, kundërshton programin politik të qeverisjes së re dhe moralin e parimet me të cilat ajo u bë shumicë. Megjithëse trajtohen si vepra të korrupsionit (që duhet ndëshkuar) dhe të pasurve (që duhen mjelë), qeverisja ka nxjerrë një fond nga buxheti i të varfërve për të dëmshpërblyer të korruptuarit dhe të pasurit! Po flas vetëm për prishjen e parë. Por është e kuptueshme se me të njëjtin parim do vazhdohet edhe me prishjet e tjera që do të vazhdojnë deri në Butrint. Ndërkohë, duhet t’i lutemi Zotit që të pasurit dhe të korruptuarit të mos padisin qeverisjen e re në gjykatë (shqiptare apo ndërkombëtare) sepse faturat e dala nga buxheti i 1 milion të papunëve mund të katër- a pesëfishohen.
Së treti, është në kundërshtim me logjikën e thjeshtë dhe racionale të planifikimit. Qeverisja e re po i justifikon këto veprime prishëse si pjesë e disa veprimeve ndërtuese të së ardhmes. Ndërkohë që sapo ka hapur konkursin ndërkombëtar për planifikimin e kësaj të ardhme. Nuk bën kuptim. Sepse i bie që, ose plani është gati dhe dihet tashmë se cili objekt duhet prishur dhe kush duhet lënë. Dhe atëherë, pse hapet një konkurs ndërkombëtar me financat e të varfërve?! Ose plani që do të hartohet nga fituesit e konkursit ndërkombëtar nuk do të jetë gjë tjetër veçse një përkthim në letër i atyre vizioneve që ka tashmë në mëndje qeverisja. Dhe atëherë, prapë nuk na duhet një konkurs. Aq më pak ndërkombëtar. Për më tepër, produkti përfundimtar i të dyja oportuniteteve nuk do të ishte një instrument legjitim.
Sidoqoftë, këto apo të tjera probleme minore që unë mund të rendisja, nuk mund ta zvogëlojnë kryereformën qeverisëse në fushën e menaxhimit urban apo planifikimit turistik. Vlera e saj do jetë aq e madhe sa nuk ka çfarë na duhet shou i Big Brother sivjet. E them këtë mbështetur nga një thashethem vrastar se për 2014-ën nuk do ketë një shou të tillë. Por mos u shqetësoni miq, do kemi spektakle të përjavshme nga kryereforma. Bile, nga pozicioni i një planifikuesi, unë propozoj që edhe financimet e biznesit për reklamime në BB-in e munguar, t’i kalojnë qeverisjes në shërbim të kryereformës. Ndërsa popullata të lejohet të bëjë edhe propozime mbi tipologjitë e reklamimit përgjatë transmetimeve.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017