NË GJUETI TË KRYEBASHKIAKUT- I MAJTË APO I DJATHTË? Mapo, 06. 04. 2015

Titulli ‘Në gjueti të Kryebashkiakut-…’, i këtij cikli shkrimesh nuk është një kërkim artistik. Ai shpreh këndvështrimin tim mbi atë që duhet të ishte procesi i përzgjedhjes të kandidatëve për kryetar të bashkisë Tiranë. Po! Unë mendoj se ky proces duhet të ishte një gjueti. Jo një përzgjedhje për më të mirin mes të mirëve, por një gjueti me shpresë se do gjendet dikush që ta merrte përsipër këtë super sfidë. Gjëndja në të cilën është katandisur Tirana, të gjithë e pranojmë këtë por nuk e di pse nuk e marrim seriozisht, është e atillë që do trembte cdo njëri racional ti hynte një aventure të tillë. Mirëpo, ne na janë shfaqur kandidatë pafund. Të vetofruar, të pavarur, të varur nga një parti, të varur nga disa parti, biles fshetas edhe të pranuar nga të gjitha partitë. Cudi e madhe, bile e frikshme po të shikohen gjërat me sytë e një eksperti të cështjeve urbane. Qytet me dimensione metropoli ku i gjithë aktiviteti njerëzor zhvillohet në planin horizontal. Ku vertikaliteti lexohet vetëm në ndërtesat shumëkatëshe të banimit që fqinjësojnë banesa prej qelpici të fillim shekullit të kaluar. Ku megjithëse janë arritur densitetet maksimale urbane, 98% e pronësive mbeten në pritje për rizhvillim. Po të shikohen gjërat nga një kuptueshmëri e tillë, Tirana mund të krahasohet me një limon të shtryllur nga i cili nuk mund të nxirët asnjë pikë lëng më shumë dhe në të njëjtën kohë nuk mund të hidhet tutje.
Gjëndja ekzistuese më kujton propozimin e një grupi urbanistësh italianë, të cilët ishin të interesuar për fushatën vendore të z. Olldashi. Për ta, që në vitin 2007 kur gara elektorale zhvillohej, për Tiranën urbane kishte ardhur koha që të shtrohej pyetja, a do investojmë për të rikthyer në jetë ekzistuesen, apo, duhet të investojmë për lindjen e një Tirane të re diku tjetër. Ata mendonin se kostot e kthimit të Tiranës së sotme ishin aq të mëdha sa do ishte më mirë të planifikonim një Tiranë të re, e cila të niste me ndërtimin e godinave të reja qeveritare e administrative dhe të vazhdonte përgjatë dekadave me procesin e popullimit. Pavarësisht preferencës për zgjidhjen, një gjë është e sigurt, të dyja variantet janë ekonomikisht në ekstremet e vështirësisë për tu përballuar. Fakti është aty dhe është kaq i agravuar pikërisht sepse është injoruar prej vitesh. Nga qasja shkencore, duhet kuptuar dhe pranuar se një qytet, nuk mund ti lejoj vetes që ti eksportojë problemet në të ardhmen. Cdo problem ose c’ekuilibër duhet zgjidhuar apo ekuilibruar në kohën më të shpejt të mundshme, pa ja trashëguar brezave të ardhshëm. Mirëpo ne nuk e bëmë këtë në kohërat financiarisht të mira. Atherë kur kërkesa për banesa ishte e lartë, pra paratë private e publike mund të mbulonin kostot e infrastrukturave dhe të dimensionit social të qytetit, ne i injoruam nevojat dhe krijuam probleme.
Sot gjëndemi para faktit që ndërsa kemi banesa me tepri (kapital pothuajse i vdekur) dhe cuditërisht vazhdojmë të ndërtojmë të tjera, kemi një pafundësi mungesash në infrastrukturë inxhinierike e sociale dhe një spektër të gjërë c’ekuilibrash urbanë. Të qash të shkuarën nuk bën kuptim, ndërsa të planifikosh të ardhmen është domosdoshmëri. Nëse na duhen zgjidhje për mungesat dhe c’ekuilibrat është e kuptueshme që na duhen financime. Sa më të mëdha mungesat dhe c’ekulibrat aq më të mëdha duhet të jenë edhe burimet financiare për to. Cka na con në deduksionin se, përvecse durimit të madh na duhen edhe financime të mëdha për ta rikthyer Tiranën njerëzore të humbur në dekadat e fundit. Kapitale që edhe në ëndërimin më naiv e poetik nuk mund të vijnë nga buxhetet publike të bashkisë apo të shtetit. Në këtë pikë, sapo i dhamë përgjegje pyetjes së këtij udhëtimi. Kryebashkiaku i Tiranës, jo vetëm duhet të jetë politikan por duhet të jetë i djathtë, gjithashtu. Sepse vetëm një politikan me ide të spektrit të djathtë mund të gjej rrugët e duhura për të thithur investime private në cështje publike. Vetëm një i djathtë mund të gjej mënyrat e duhura për ti kthyer punët angari publike në bisnese fitimprurëse për investitorët privat. Vetëm një i djathtë mund të gjej mundësitë oportune për të bashkuar interesin privat te e përbashkëta private që në përditshmëri e quajmë publike.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017