NDRYSHIMET KLIMATIKE DHE SHQIPERIA. Mapo, 05.08.2013

Thonë se, Mark Twain ka pasur një shprehje “të gjithë ankohen për klimën, por asnjë njeri nuk bën gjë për ta kontrolluar atë”. Ndoshta ka qenë kështu deri në kohën kur z. Twain e tha këtë, sepse gjërat nuk janë më kështu. Duket se shumë qeveri dhe autoritete kanë tentuar të kontrollojnë klimën (motin), por përpjekjet e tyre kanë dështuar me sukses të plotë. Dikush thotë se edhe CIA tentoi gjatë luftës së Vietnamit të stimulonte një stinë shirash artificialë në mënyrë që t’i bllokonte ushtarët vietnamezë në kurthin e vet. Në kurthin e xhunglave ku ata ishin zotër dhe ku përpiqeshin të tërhiqnin forcat amerikane. Sidoqoftë, nuk është dhe kaq e lehtë të kontrollosh klimën. Të kontrollosh klimën duhet të kesh hiper-energji. Sepse, një stuhi e thjeshtë ka më shumë energji sesa një bombë hidrogjeni. Të paktën kështu thonë. Shumë njerëz të shkencës mendojnë se kontrolli i klimës mund të arrihet vetëm si pasojë e një shkalle më të lartë të dijes njerëzore. Në çdo rast, jo më parë se njëqind a më shumë vjet. Pra, gjendemi përpara dy mundësish. Ose të presim që të arrijmë këtë nivel intelektual dhe të ndryshojmë klimën dhe kështu të minimizojmë ndikimet negative që ajo ka në jetën tonë. Ose të ndërhyjmë që sot. Sigurisht, jo për të ndryshuar klimën, por për të përballur ndikimin e lartë që ajo ka në jetët tona. Për të ndërmarrë veprime konkrete që klima, veçanërisht në ditët e sotme kur ndryshimet e saj janë shumë të shpejta, të mos rrënojë cilësinë tonë të jetesës. Duket se Bashkimi Europian, unioni që ne tentojmë t’i bashkohemi, ka zgjedhur rrugën e dytë. Për të (BE-në), ndryshimet klimaterike janë një çështje e profilit të lartë dhe se ngrohja globale është një risk autentik për mjedisin dhe jetën në tokë dhe se përballja me to nuk mund të jetë një çështje për t’u trashëguar te brezat e ardhshëm. Të fuqishme dhe të shumta janë impaktet negative të ngrohjes globale dhe të tilla synojnë të jenë edhe përgjigjet e Bashkimit Europian ndaj tyre. Të paktën në dimensionin e strategjive dhe të politikave të zhvillimit.
Në Strategjinë Europiane (EU 2020) ‘Për Rritje të Zgjuar, të Qëndrueshme dhe Gjithëpërfshirëse”, BE vendosi pesë synime kryesore për t’u arritur deri në vitin 2020. Një nga këto synime lidhet me ndryshimet klimaterike dhe energjinë. Më specifikisht: me lëshimin e gazit të efektit serë, që duhej të ulej në masën 20-30% në krahasim me vitin 1990; me energjinë, e cila duhej të konvertohej në masën 20% në energji të rinovueshme dhe; me eficencën e energjisë, e cila duhej të rritej në masën 20%. Në 2009, BE nëpërmjet Letrës së Bardhë, në mënyrë eksplicite lidhi ndryshimet klimaterike me zhvillimin e territorit në Europë. Axhenda Territoriale e BE (TA 2020) gjithashtu, i vlerësoi ndryshimet klimaterike dhe risqet ambientale si sfida që nuk duhet të anashkalohen. Sidoqoftë, vulnerabiliteti ndaj ndryshimeve klimaterike i rajoneve të ndryshme të BE-së është i ndryshëm dhe në përputhje me impaktet potenciale të ndryshme dhe mundësitë e ndryshme të vet rajoneve, për t’u adoptuar ndaj tyre. Po le të kalojmë tek ajo që na shqetëson më tepër, te vulnerabiliteti i Shqipërisë ndaj ndryshimeve të forta klimaterike. Sepse është një fakt i pamohueshëm që klima në Shqipëri ka pësuar ndryshime. Për çdo vit kemi “verën më të nxehtë të njëqind viteve të fundit” dhe i ftohti i dimrit, veçanërisht në zonat malore, duket se nuk na shqetëson më si më parë. Pasi kalohen muaj të tërë në thatësirë të thellë, veçse kur nis një shi që nuk di të ndalojë për ditë të tëra, në periudhat më të papritura të vitit. Vjeshta dhe pranvera janë tretur çdo vit e më shumë dhe nuk duket e largët dita kur do të harrojmë se klima në Shqipëri karakterizohej nga katër stinë të barasshtrira secila në tre muaj të vitit. Tashmë, ka vetëm verë të nxehtë dhe dimër të butë. Ndërsa veshjet, që formojnë garderobat tona, janë homogjenizuar aq shumë sa mund të diferencohen vetëm në dy grupe. Kalojmë pa asnjë tranzicion, nga e veshura me bluzë me mëngë të shkurtra dhe pantallonat e holla, te kostumet dhe pardesytë. Shqipëria është ‘vendi i treqind ditëve me diell’. Sjellë në ditët tona nga një tentativë serioze e mbretit Zog për të promovuar zhvillimin e turizmit rreth 80 vjet më parë, kjo shprehje zhvlerësohet shumë në realitetin e ri të ndryshimeve klimaterike. Është e kuptueshme, shumë ditë me diell do të thotë shumë ditë me temperatura të larta. Do të thotë më shumë konsum energjie për klimatizimin e ndërtesave. E njëjta gjë mund të thuhet për bregdetin tonë të gjatë. Studime serioze thonë se rajonet më negativisht të prekura nga këto impakte gjenden në Europën Lindore dhe vendet e Mesdheut. Veçanërisht në ato vende ku ekonomia është në varësi të thellë nga industria e turizmit veror. Ekzaktësisht, sikurse ne po tentojmë ta drejtojmë ekonominë tonë, dhe pa marrë asnjë masë balancuese. Të njëjtat studime theksojnë se rajonet veriore dhe malore, jo vetëm nuk po impaktohen negativisht, por po përfitojnë nga këto ndryshime klimaterike. Ndërkohë, trendi i emigracionit shqiptar është në kah të kundërt. Ndërkohë që për impaktet potenciale nga ndryshimet klimaterike punët i paskemi keq, përsa i përket kapacitetit adaptues ndaj tyre duket se kemi ecur në drejtim jo të gabuar. Konvertimi i popullsisë nga rurale në urbane dhe densifikimi (relativ) i qendrave urbane duket se përputhen me gjetjet e këtyre studimeve empirike europiane, sipas të cilave, rajonet me koncentrim urban kanë kapacitete më të larta adoptuese se rajonet e tejshtrira rurale. Sidoqoftë, duhet bërë kujdes me densifikimin e thellë. Ai sjell rritje të konsumit të energjisë në këto koncentrime për klimatizim dhe transport. Që kthehet në një gjë të keqe. Një hap tjetër pozitiv është fokusimi i investimeve të prodhimit të energjisë nga burime miqësore me mjedisin. Është i njohur fakti se janë akorduar dhjetëra koncesione për prodhim të energjisë nga burimet hidrike dhe të erës. Çka është një gjë e mirë. De-industrializimi i vendit, çka është një gjë e keqe për rritjen ekonomike dhe punësimin, duket se është një gjë e mirë për uljen e lëshimit të gazrave të efektit serë.
Kështu, Shqipëria paraqitet si një vend me nivel të lartë të impakteve potenciale nga ndryshimet klimaterike, por me një kapacitet adoptues (megjithëse pothuaj rastësor) të pranueshëm. Çka na tregon që, nëse duam të bëhemi një vend me nivel të ulët vulnerabiliteti, duhet të formulojmë strategjinë tonë lokale të përgjigjes ndaj ndryshimeve klimaterike. Duhet të hartojmë politika për një shpërndarje më të mirë të popullsisë nëpër territor, për një ekonomi me karbon të ulët, për një ristrukturim dhe prioritizim të elementëve të rritjes ekonomike në këtë drejtim, për një transport publik sa më cilësor e gjithëpërfshirës.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017