SEPSE TURIZMI ESHTE I PAMUNDUR JASHTE PLANIFIKIMIT HAPSINOR. Mapo, 19.09.2013


Sikurse shumica e familjeve shqiptare, edhe familja ime tentoi të bënte pushime në Shqipëri. Një mik shumë i afërt i familjes na ofroi mundësinë të përdornim apartamentin e tij në Vlorë, dhe ne nxituam të përfitojmë nga bujaria e tij. Kështu, një të premte në mesditë u nisëm drejt Vlorës. Apartamenti ndodhej në dalje të qytetit, në zonën që njihet si “Shkolla e Marinës”. Ishte një qytet më vete atje. Nuk është se u surprizuam sepse kishim qenë dhe më parë. Në fakt, edhe po të mos kishim qenë, mund ta kishim imagjinuar. Sepse është i njohur modeli. Është i shpërndarë kudo nëpër Shqipëri. E gjen në Durrës, Rrashbull, Golem, Sarandë, Pogradec, Velipojë, Shëngjin. Dhe të më fali ndonjë qytet ‘de jure’ apo qytet ‘de fakto’ që e harrova ta përmend. Mungon infrastruktura inxhinierike dhe sociale-shëndetësore-arsimore për t’i quajtur ‘qytet’ sipas fjalorit shqip-shqip, por punë e madhe. Ne, me mungesa të tilla kemi qytetet tradicionale qindravjeçare dhe vazhdojmë t’i quajmë qytete, pse të ndryshojmë përkufizim për këto krijesa të reja habitato-turistike? Do t’i ikim çështjes sesi i kaloi pushimet familja ime, duke lënë vend për imagjinatë. E rëndësishme është se ime shoqe nuk ka ankesa ndaj meje që projektova pushimet dhe se fëmijët e mi mendojnë se ishim me pushime. Po. Kështu mendojnë fëmijët e mi. Sepse kur fëmijët vijnë në jetë nuk dinë asgjë, botën nëpërmjet nesh e njohin. Ata dinë çarë ne u tregojmë. Nëse ne u themi se ‘mbreti lakuriq është me rroba’, të mos na duket çudi që kur të dalin lakuriq të na thonë edhe se kjo është moda e fundit. Nëse ky shkrim do të binte në dorë të ndonjë njeriu që nuk e njeh rastin e turizmit shqiptar, ai do të çuditej. Ç’thotë ky?! – do të thoshte. – Në të gjithë botën ka qytete me njësi strukturore urbane të përdorimeve mikse. Në fakt, nuk mund të gjenden në botë qytete ku vetëm banohet. Të gjitha qytetet e botës përfshijnë ndërtesa ku punohet. Janë qytete qindra e mijëravjeçare që në historinë e tyre të gjatë si qytete kanë evoluar, përveç të tjerash, edhe në ndikim të raportit më të rëndësishëm për mbijetesën e një qyteti. Raportit punësim –banim. Sepse një qytet nuk zgjerohet apo krijohet kot, por sepse tregu i lirë e ka imponuar me mekanizmat e tij. Duhet të kuptojmë se, në botën perëndimore qytetet konkurrojnë mes tyre. Janë në garë për biznese të reja, nëpërmjet të cilave krijohen vende pune. Janë këto vende pune që sjellin qytetarë të rinj në qytet, përtej shtesës natyrore të popullsisë (diferencës lindje-vdekje). Dhe janë këta qytetarë të rinj, që kanë kërkesa ndaj tregut të pasurive të patundshme, dhe për konsekuencë zgjerohet qyteti. Por pikënisja është punësimi. Ndërkohë, të shumta janë qytetet që synojnë turizmin për ekonomi të parë të tyre. Shumë qytete përfshijnë brenda njësive të tyre të banimit struktura hoteliere në shërbim të turistëve që vizitojnë qytetin për të njohur historinë e tij, për biznes, për të ndjekur aktivitete të mëdha kulturore apo sportive, për të dhënë apo shkëmbyer ‘know how’. Edhe qytetet shqiptare integrojnë zhvillime të tilla brenda vetes. Por ne nuk po flasim për këtë turizëm që kërkon këto lloje projektimi. Ne po flasim për zona të reja turistike.
Në fakt, ne po flasim për nukle të reja zhvillimesh turistike. Sikurse është territori në jug të qytetit të Vlorës, nga ku ne origjinalizuam bisedën. Apo territore të tjera që kanë pësuar zhvillime të ngjashme dhe lokalizohen pranë qytetit të Sarandës, Pogradecit (Starova), Durrësit, Rrashbullit (Shkëmbi i Kavajës), Golemit, Velipojës e Shëngjinit. Na duhet të kujtojmë se, këto territore, para 1990-ës ishin në përdorime të tjera të tokës apo në konservim të gjendjes natyrore të tyre. Përfshihen në këta shembuj edhe raste të pyllëzimeve artificiale, ndër të cilat mund të përmendim Rashbullin e Golemin. Me ndonjë përjashtim me ndikim të papërfillshëm, në këto territore nuk kishte ndërtime. Bile edhe vitet e para të pas 1990-ës, ndërtimet ishin të përdorimit turistik. Hotele modeste, të cilat nuk e di nëse mund të quheshin të tilla, restorante apo kafene. Me nivel shumë të ulët të zënies së territoreve dhe dëmtimeve të natyrës, këto zhvillime nuk ishin një parakusht për të tërhequr turistë të huaj dhe për ta kthyer turizmin e tre S-ve në një degë të rëndësishme të ekonomisë, por sidoqoftë nuk e futën në koma të thellë. Sikurse është tani. Sidoqoftë, kjo situatë ‘purgatoreske’ nuk do të vazhdonte gjatë, sepse pas vitit 2003 këto zona do të tërhiqnin vëmendjen e biznesit të ndërtimit. Biznes ky që zinte vendin e parë në zhvillimin e vendit. Sillte punësim për qytetarët, të ardhura për buxhetet lokale apo kombëtare dhe mbi të gjitha zarfe të fryra për zyrtarët. Ia hoqëm turizmit për t’ia dhënë ndërtimit. Por ndërtimit të çfarë? Sepse ky biznes, kur arriti këto territore solli me vete edhe “ekspertizën” e vet planifikuese, projektuese, zhvilluese dhe ndërtuese. Në përfundim të dekadës së parë të këtij aksioni “zhvillimor”, i cili vazhdon akoma, kemi prodhuar në këto territore krijesa të panjohura në botën e zhvillimit të territorit. Kemi krijuar ‘habitate turistike’.
Të cilat nuk janë qendra të banuara sepse u mungojnë infrastrukturat inxhinierike dhe social-kulturor-arsimor-shëndetësore për të qenë të tilla. Madje frekuentohen vetëm tre muaj të vitit dhe ca fundjava të tjera. Por nuk janë as qendra turistike, sepse iu mungojnë jo vetëm infrastrukturat, por edhe strukturat për të qenë të tilla. Kjo është situata. As banim dhe as turizëm. Dhe kjo situatë është e tillë sepse ekspertiza që vinte nga qyteti ishte e zhvillimit urban. Nuk po vlerësojmë nëse ishte një ekspertizë e mirë apo e keqe, si e tillë. Nuk është kjo tema. Po themi se, edhe sikur të ishte ekspertiza më e mirë e mundshme, prapë nuk mund t’i shërbente një zhvillimi turistik. Zhvillimet turistike kanë kërkesa dhe pyetje të tjera. Sepse zhvillimet turistike nuk kanë lidhjen më të vogël me kushtëzimet, normat dhe treguesit urbanë. Nuk kanë lidhjen më të vogël me konceptin e intensitetit të ndërtimit, apo të koeficientit të zënies së tokës nga ndërtimi, apo të densitetit të banimit, apo të sipërfaqes së gjelbër, sportive, shoqërore, administrative, tregtare për banor. Dhe e dini pse? Sepse atje nuk do të ketë banorë. Do të ketë pushues e turistë. Në fakt, këta tregues, norma apo kushtëzime nuk i përdorëm as kur zhvilluam qytetet ne shqiptarët. Por përdorëm distancën objekt-objekt apo, akoma më keq, distancën nga kufiri i pronës. Pallat tetëkatësh- largësia nga kufiri i pronës nëntë metra. Të qeshësh dhe të qash. Dhe këtë ekspertizë praktike ne e eksportuam edhe në zhvillimet turistiko-bregdetare. Prandaj, ne mund ta gënjejmë veten sa të duam, por nuk kemi turizëm. Dhe do fillojmë të kemi ditën kur të investohemi në këtë sektor nëpërmjet planifikimeve turistike, si pjesë e një planifikimi të integruar të të gjitha fushave ekonomike, qendrave të banuara dhe territoreve në mbrojtje. Sepse edhe për këto zhvillime habitato-turistike ka mundësi dalja nga koma e thellë për t’u kthyer në turistike. Gjithmonë ka një zgjidhje nëse i bën pyetjen e duhur ekspertizës së duhur. Për më tepër, kemi akoma territore natyrore që paraqesin mundësi për zhvillime të ekonomisë turistike të niveleve konkurruese me botën.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017