DEMOKRACIA E DREJTPERDREJT NË PLANIFIKIMIN TERRITORIAL. Mapo, 30.08.2012

Një ndër debatet bashkohore më interesante dhe më të rëndësishëm të shkencave politike është debati mbi ‘demokracinë përfaqësuese v. demokracinë e drejtpërdrejt’. Pa hyrë në thellësi/saktësi të përkufizimit, mund të thuhet se demokracia e përfaqësuar është mënyra sipas së cilës populli shprehet për cështjet politike në vend, nëpërmjet përfaqësuesve, kurse, demokracia e drejtpërdrejt është mënyra e drejtpërdrejt (pa ndërmjetës) e ushtrimit të kësaj të drejte/detyre qytetare. Sigurisht, shumica e politogëve mendojnë se, demokracia e drejtëpërdrejtë është ‘demokracia e vërtetë’, por, pamundësia fizike për të grumbulluar gjithë komunitetin/votuesit në një shesh, për t’ju dhënë mundësi të gjithëve për të folur, dhe pas diskutimeve pa limite për të arritur në një vendimmarrje të vetme mbështetur në shumëllojshmërinë e pafundme të mendimit, etj. etj., janë arsyet pse demokracia përfaqësuese është vlerësuar si forma më e mirë e mundshme- të paktën në konteksin e sotëm- e aplikimit të demokracisë. Megjithatë, kërkues të ndryshëm trajtojnë mundësi konkrete të aplikimit të demokracisë së drejtpërdrejtë në komponentë të mënyrës tonë –jo vetëm perëndimore- të të jetuarit , një nga të cilat është përfshirja dhe angazhimi qytetar në planifikim. Për konseguencë, gjerësisht në botë kanë evoluar aplikime për përfshirjen qytetare në planifikimin hapsinor. Qasje interaktive dhe bashkëpunuese apo të planifikimit pjesmarrës janë prezantuar në Shtetet e Bashkuara, Itali, Mbretëri e Bashkuar, Belgjikë, vendet Skandinave, biles edhe në Brazil e Kinë. Në Hollandë, disa tentativa janë bërë që nga vitet 1960-t për të përfshirë qytetarët, që në fillesë, në procesin e zhvillimit hapsinor. Synimi i këtyre praktikave është bashkëveprimi ndërmjet agjensive qeveritare, sipërmarrësve dhe organizatave civile, si një qasje multi aktorëshe në planifikim.
Së fundmi, ideja e qytetarisë aktive i është shtuar kësaj qasje. Ajo përfshin, në disa domene të kërkimit hapsinor, planifikimit, shfrytëzimit dhe menaxhimit, duke zgjedhur pjesmarrjen aktive të qytetarëve dhe ndarjen e përgjegjësive për mjedisin hapsinor ndërmjet qeverisjes publike dhe komuniteteve qytetare. Pavarësisht kriticizmit ndaj planifikimit interaktiv, në ekspansion vitet e fundit, katër argumente pro përfshirjes qytetare në planifikim, duket se janë shumë kokëfortë dhe të paanashkalueshëm. Argumenti i parë është social. Është e pritshme që përfshirja qytetare do të kontribuajë fuqishëm në koherencën sociale, të një shoqërie të fragmentarizuar dhe të sekularizuar, si shoqëria shqiptare e pas vitit 1990-të. Për shembull, në politikat për lagjet e privuara (me mungesa) në qytete, mungesa e kohesionit social, integrimit të rezidentëve të rinj dhe diversiteti kulturor shihen si formues të pengesave madhore për rigjenerim. Në këtë konteks, pjesmarrja dhe përfshirja qytetare mund të përdoret si një instrument për të përmirësuar kushtet sociale në dy mënyra. E para është përmes fuqizimit të komuniteteve . Nëpërmjet pjesmarrjes, qytetarët mësojnë të artikulojnë më mirë nevojat, dëshirat si dhe këndvështrimet e tyre, aftësi kjo gjithashtu e nevojshme në karierën dhe marrdhëniet e tyre sociale. Përvec kësaj, shoqëruar me financime të pjesmarrjes, qytetaria aktive stimulon kohesion social dhe integrim të minoriteteve në shoqëri. Këto minoritete do të gjejnë shqetësimet e tyre të integruara në propozimet e reja (planet, programet dhe projektet) në rastin kur gjatë planifikimit pjesmarrës ata i kanë artikuluar këto shqetësime. Në kuptim të përfshirjes në takime - për këtë tematikë- do të krijohen rrjete të reja sociale me interesa të përbashkëta. Dhe, sigurisht, që do të rritet besimi ndërmjet rezidentëve dhe do të zhvillohet një përgjegjshmëri e re për kushtet sociale në lagjet e tyre. Sipas argumentit të dytë, supozohet se përfshirja e qytetarëve stimulon një llogaridhënie të re për kondicionet hapsinore/mjedisore të zonave/lagjeve. Është e pritshme se qytetarë të përfshirë dhe aktiv do të kontribuojnë në përmirësimin e kualitetit hapsinor në mjediset tyre të punës dhe të jetesës. Pjesmarrja mund të ndihmojë në krijimin e një mjedisi më të mirë, sepse mund të rrisi nivelin e marrdhënies së banorëve me mjedisin e tyre, por edhe sepse mund të përforcojë një sens përkatësie dhe komunitare të qytetarëve. Ajo mund të rrisi ‘ngulitjen’ e ndërhyrjeve hapsinore në komunitetin lokal dhe kështu që të përmirësojë suportin dhe angazhimin në planifikimin e ndërhyrjeve të tilla. Në këtë kuptim, edhe gjatë përdorimit të përdishëm të kësaj hapsire/mjedisi të përbashkët, qytetarët e përfshirë do të jenë më të ndjeshëm.
Argumenti i tretë, mbështet pritshmërinë se pjesmarrja dhe përfshirja qytetare jo vetëm gjeneron kursim në terma afatshkurtër (kohesioni social dhe angazhimi mund të shkurtojnë procedurat e planifikimit dhe në këtë kuptim edhe kostot e tij financiare), por edhe të rrisi qëndrueshmërinë ekonomike në terma afatgjatë. Mirë-funksionimi i shoqërisë civile (në terma të inisiativës vullnetare) në shërbim të shtetit dhe ekonomisë, angazhimi i dretpërdrejtë i qytetarëve në procesin planifikues ka si kuptim të parë njohjen e nevojave, mundësive dhe produkteve të kërkuara/synuara. Në kuptim të njohjes së tyre, angazhimi social gjeneron një diversitet inisiativash dhe vetpunësimi dhe gadishmërinë për të investuar në komunitetin lokal. Në terma evolutiv, disa ekonomistë argumentojnë se, rrjete të tilla mund të përforcojnë relacinet ndërmjet varieteteve ekonomike dhe për konseguencë të përforcojnë elasticitetin e ekonomisë për të ndryshuar rrethanat (gjëdjen ekzistuese). Për më tepër, pjesmarrja dhe angazhimi qytetar mund të përmirësojë lidhjen e këtyre rrjeteve me mirëqënien publike dhe për shembull të përmirësojë shkallën e punësimit në lagjet e privuara, apo të territoreve dhe mjediseve të përbashkëta dhe publike. Dhe së fundi ka gjithashtu edhe një argument politik. Qeveritë synojnë të transformojnë mirqënien e shtetit në një mirëqënie që është më e përputhshme me kërkesat dhe nevojat qytetare. Ato, gjithashtu, kërkojnë të mbështesin rritjen e bazamentit social në vet-motivim, inisiativa qytetare dhe punë vullnetare. Kjo është pjesë e debatit të gjerë në gepin e perceptuar ndërmjet qeverisjes dhe qytetarëve. Pjesmarrja mund të ndihmojë në mbushjen e këtij gepi, sepse ajo sjell qeverisjen dhe qytetarët sëbashku në diskutimin e cështjeve prioritare. Për këtë arsye ajo përforcon suportin qytetar për politikat publike. Sepse prioritetet qytetare mund të arrihen më mirë me politika, politikat duhet të jenë më të fokusuara, komunikimi ndërmjet qeverisjes dhe qytetarëve mund të përmirësojë dhe, e fundit por jo nga rëndësija, pjesmarrja mund ti japi qytetarëve një pritshmëri më reale për veprimet qeverisëse. Kjo sjell përtëritje politike dhe strategji për të përmirësuar legjimitetin demokratik dhe kapacitetin e politikave publike për zgjidhjen e problemeve dhe përmirësimin e kualitetit të ndërveprimit ndërmjet qeverisjes dhe qytetarëve dhe zgjerimin e mbështetjes, dhe për konsenguencë përshpejtimin e procesit të politikave. Kështu, pjesmarrja qytetare si teori por edhe si praktikë është mbështetur nga një shtrirje e gjerë argumentash të fushave ekonomike, sociale dhe politike, sikurse edhe në domeinin hapsinor. Administratat dhe agjensitë qeveritare, thjeshtësisht, nuk mund të veprojnë më vete, akoma më gjatë.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017