KRYEMINISTËR APO KRYEBASHKIAK I REPUBLIKËS? Mapo, 10.03.2014

Zgjedhjet e 23 qershorit folën qartë. Shqiptarët vendosën që z. Rama të ishte drejtuesi i ekzekutivit Shqiptar për katër vitet në vazhdim. Për një periudhë hipotetike katër vjecare, sepse në praktikë vlen për tu verifikuar, z. Rama do jetë Kryeministër i Shqipërisë. Gjë e mirë? Gjë e keqe? Për shumicën e shqiptarëve duket se ishte një gjë e mirë, prandaj e votuan koalicionin e tij, por jo për pjesën tjetër të tyre. Për mua? Sipas meje, nuk ka rëndësi emri i Kryeministrit në vetvete por performanca e tij përgjatë ushtrimit të kësaj detyre dhe vecanërisht performanca e ekipit të tij qeverisës. Por nuk është plotësisht kështu për kërkuesit në shkencat politike. Vecanërisht për ata që studiojnë cështjet e tranzicionit të një shoqërie nga totalitarizmi në demokraci. Për një pjesë të tyre sjellja e një individi, sikurse e një shoqërie në tranzicion, është një gjë e parashikueshme. Ajo varet shumë nga botkuptimi dhe praktikat e mëparshme të sjelljes së këtij individi. Dhe duket se në rastin e z. Rama teoritë e tyre konfirmohen plotësisht. Pas një periudhe njëmbëdhjet vjecare si Kryebashkiak, duke trajtuar cështje lokale, z. Rama e ka të vështirë të sillet si Kryeministër, për të trajtuar cështje të rëndësisë kombëtare në qeverisje.
Ndërkohë Republika e Shqipërisë, një vend postkomunist që me sforco po mundohet të ndërtojë në demokraci, ka përqafuar qasjen e qeverisjes me dy nivele, me frymëzim të fortë decentralizues. Nivelit kombëtar dhe nivelit vendor, ku secili prej tyre duhet të qeveris në mënyrë autonome nga njëri-tjetri dhe duke ushtruar kompetencat që ligji i ka dhënë. Sepse, për cdo nivel qeverisës kemi nga një ligj që përcakton se kush janë detyrat dhe përgjegjësitë e secilit. Pra për secilin nivel kemi të përcaktuar përse janë votuar dhe përse janë përgjegjës para votuesve këto qeverisje. E thënë me një fjali, askush prej dy niveleve nuk është ‘shefi’i tjetrës. Mirëpo, duket se nuk e ka kuptuar kështu z. Rama. Të paktën, veprimet e tij në gjashtë muajt e parë të qeverisjes së sotme tregojnë për një keqkuptim të madh të tij me detyrat si Kryeministër. Sepse detyra e tij është të drejtoj stafet politike dhe teknike të qeverisjes qëndrore, në formulimin e politikave kombëtare dhe mbi cështje të rëndësisë kombëtare. Në ndërtimin e sistemeve ligjore apo të reformave në sektorë të ndryshëm të zhvillimit ekonomik, të infrastrukturave kombëtare, të kohezionit social dhe të shëndetit publik. Për ruajten e zonave të mbrojtura natyrore, të trashëgimnisë kulturore apo të mjedisit në përgjithësi.
Dhe nëse na duhet një rrugë e shkurtër por efikase për të vlerësuar perfomancën e z. Rama si Kryeministër dhe ekipit të tij qeverisës, është shumë e thjeshtë. Mjafton të ndjekësh punën e Kuvendit të Shqipërisë në këtë legjislaturë. Sepse reformat shfaqen, për së pari, në formën e ligjeve të propozuara nga qeverisja kombëtare dhe të miratuara në Kuvend. Dhe nëse qasjen e ndjekjes së punimeve të Kuvendit e kthen në një vëzhgim të mirëfilltë, të del se ky institucion prej shtatorit të vitit të kaluar mblidhet vetëm një herë në javë. C’ka shkon në mbrojtjen shteruese të tezës se z. Rama dhe ekipi i tij qeverisës nuk po perfomon dot në “Stadiumin Kombëtar”.
Sidoqoftë duhet thënë se, ndërsa drejtoritë e politikave nëpër ministri po vegjetojnë, në detyrën e tyre të politik-hartimit, nuk po ndodh kështu me institucionet e varësisë. Këto, të kthyera në shtojca të ngjitura fort pas drejtorive të ministrive, aq sa nuk kuptohet ku mbaron njëra dhe ku fillon tjetra, i janë përveshur punëve lokale. Po luftojnë kundër ndërtimeve me leje e paleje. Po hartojnë, miratojnë dhe redaktojnë lista të familjeve në nevojë për ndihmë ekonomike. Lista të të pastrehëve. Lista të njerëzve me aftësi të kufizuar. Studime urbanistike pjesore. Biles edhe taksat lokale kanë vendosur ti mbledhin vet. Po si i bëhet me punët e qeverisjes kombëtare? Ndërsa dështoi dhe po dështon përditë të bëjë ato punë për të cilat është votuar, z. Rama dhe ekipi i tij qeverisës po bëjnë atë që kanë bërë edhe më parë. Po merren me administrimin e punëve të qytetit. Mirëpo, Shqipëria nuk është një qytet. Ajo është një shtet i ndarë administrativisht në shumë qytete. Ndërsa i ka lënë “papunë” kryebashkiakët e qyteteve shqiptare, duket se ka lënë bosh vendin e Kryeministrit të Republikësë së Shqipërisë. Dhe nëse do vazhdojë kështu, shqiptarët nuk do rinë ta presin pafundësisht. Një ditë ata do hapin konkursin ‘për Kryeministër’. Sepse vendi është bosh dhe radha për këtë post publik është shumë e gjatë.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017