PARKU RINIA QË DËMTOI JO VETËM TIRANËN URBANE. Mapo, 19. 01. 2015

Koalicioni poliotik PS dhe LSI mund të mos ketë dhënë rezultate e produkte të mira qeverisëse, porse duhet ti njohim të paktën meritën mbi Parkun Rinia. E thënë më qartë mbylljen e debatit disa vjecar midis tyre mbi faktin se kush e pastroi Parkun Rinia dhe brigjet e Lanës nga ndërtimet intensive të shërbimeve apo shitjeve. Është e kuptueshme se pas këtij koalicioni shqiptarët nuk do jenë më të detyruar të dëgjojnë mburrjet e secilës palë se ishte kryetari i tyre që e projektoi dhe zbatoi këtë projekt urban në kryeqytetin e tyre. Dhe kjo, në kuptim të diskursit politik, është një fitore e madhe. Ndërkohë një fitore akoma më e madhe, në kuptimin mjedisor dhe të estetikës urbane të qëndrës së vetme të Kryeqytetit, është produkti i këtij aksioni qeverisës. Skarpatat e gjelbëruara të Lanës dhe hapsirat e hapura të Parkut Rinia, janë faktike dhe nuk ju nevojitet një interpretim profesional që qytetarët ta përjetojnë këtë realitet shumë pozitiv. Ata e shijojnë cdo ditë gjelbërtimin që ka zëvendësuar volumet e pafundme të betonit.
Mirëpo ka dicka për të cilën interpretimi i ekspertizës është i domosdoshëm sepse ata nuk mund ta perceptojnë në mënyrë të drejtpërdrejt. E kam fjalën për cfarë ky aksion prishjesh e gjelbërimi ka prodhuar në pjesën tjetër të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. Sepse urbanistika është shkencë e kompleksitetit. Në të, një cështje e caktuar është një agregat i përbërë nga shumë komponentë shkaqesh. Ndryshimi i njërit prej tyre ndikon jo vetëm në produktin përfundimtar por edhe në të gjitha shkaqet e tjera, duke e futur aksionin në një zinxhir reaksionesh, produkti i të cilave mund të na coj shumë larg synimit fillestar. Vecanërisht kur ne kemi besuar se për një pasojë ka vetëm një shkak dhe pasojën e kemi vlerësuar të shkëputur nga tërrësia e tyre. Mirëpo, mëndjet pushtetshme nuk funksionojnë në këtë mënyrë, kështu që ne na duhet të analizojmë pas faktit. Ky është edhe rasti i aksionit të Parkut Rinia dhe Lanës, sepse drejtuesit e aksionit nuk e vranë mëndjen mbi implikimet e aksionit në tërrësinë urbane të Tiranës.
Për ta mjaftoi që shfaqja e muskujve të fortë për të “ndërtuar shtet” do prodhonte hapsira publike apo të gjelbërta. Pasoja tjetër ishte tensionimi i të gjithë qelizave urbane të Kryeqytetit. Me një bonus të madh në xhep, si shpërblim për ndihmën “falas” që i kishin dhënë Kryebashkiakut për pastrimet nga rrënojat në Parkun Rinia dhe Lanë, sipërmarrësit ju vërsulën trojeve të Tiranës. Plan urban, që të përcaktonte zonat me përparësi zhvillimi, nuk kishte, kështu që e gjithë Tirana urbane u sulmua nga mundësia për të ndërtuar. Bonusi në xhep shpejt kthehej në leje dhe shpesh shërbente edhe si “katalizator” marrveshjesh me pronarët e trojeve. Shprehja ‘po nuk firmose me mua pronës tënde do ti bjeri rrugë apo lulishte’, duket se e bëri shumë mirë punën e vet. I gjithë territori urban i Tiranës u kthye në kantjer selektiv ndërtimi që financohej jo vetëm nga paratë e remitancave apo të korrupsionit të administratës por edhe nga paratë e grumbulluara, nga aktiviteti ekonomik prej vitesh, në lokalet dhe dyqanet e Parkut Rinia dhe Lanës.
Ironia e fatit dhe konteksi i një rritje ekonomike të stabilizuar, i drejtoi pronarët e këtyre lokaleve apo dyqaneve të investonin në blerjen e kateve të para, për të vazhduar në të njëjtën rrugë nëpërmjet të cilës i kishin akumuluar këto para. Cka rezultoi në njësi banimi heterogjene, përsa i përket moshës, volumit dhe stilit të ndërtimeve dhe infrastrukturave që e formojnë dhe pamundësojnë një zhvillim harmonik të saj. E gjithë kjo rrëmujë u kthye në një kulturë, e cila më tej u shpërnda në të gjitha zonat urbane të Shqipërisë dhe më tej. Me ndihmën e Ministrisë së Turizmit të kohës dhe titullit “Person i stimuluar i turizmit’, kjo kulturë zhvillimi i dha frutet e veta edhe në zonat turistike të vendit. Edhe sot, pas një dyzinë vjetësh, duam të prishim për të krijuar hapsira të hapura dhe të gjelbëruara. Dhe si në rastin e Parkut Rinia duam ta bëjmë brenda natës dhe jashtë planifikimit urban. Ndërsa, konteksi i rritjes ekonomike dhe hyrjeve të parave nga jashtë nuk është i njëjtë prej vitesh tashmë, pyetja legjitime është kush do ta përfitoj bonusin nga ky aksion mjedisor dhe estetik dhe për cfarë do të përdoret ky bonus.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017