MBI DY VENDIME BASHKIAKE. Mapo, 23. 02. 2015

Qetësia e normalitetit anormal të formësuar nga akuza të ndërsjellta, midis kahëve politik, se kush i vuri tritolet e telekomanduara të ditëve të fundit, u prish nga një cudi e madhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Tiranë. Ndër të tjera administrata e Bashkisë kishte propozuar dy projektvendime, shumë të rëndësishme, në lidhje me cështjet e trafikut e transportit në qytet. Sikurse janë, cështja e cmimit të biletës së transportit publik dhe shtimit të vendparkimeve publike kundrejt pagesës dhe dhënies me koncesion të tyre. Cudia u parainformua nga media shqiptare, sipas të cilës e majta dhe e djathta do bashkonin votat për dhënien me koncesion, një medie, menaxhimin e vendparkimeve në kryeqytet. Kjo acaroi opinionin publik, i cili zbrazi gjithë vrerin e mbledhur në vite kundër këtyre lloj projektesh dhe vecanërisht kundër qasjes së politikës shqiptare për kompromis e bashkëpunim sa herë një e keqe e madhe i afrohej si zgjidhje qytetit. Gjërat evoluan me shpejtësi dhe fati i dy projektvendimeve është për të gjithë i njohur. Për të folur ngelet vlerësimi i gjësë nga kënvështrime të ndryshme, me shpresën që përfundimet e arritura të na vlejnë në të ardhmen.
E nisim nga pikëpamja ideologjike. Projektvendimi i parë, ai që kishte të bënte me “mos rritjen e cmimit të transportit public” e vë në vështirësi të madhe administratën e djathtë të bashkisë Tiranë. Që në diskursin fillestar mbi këtë cështje bashkia Tiranë distancohet nga qasjet e djathta, duke marrë në mbrojtje të varfërit! Po kështu edhe për vendimin e dytë, qëndrimi për tërheqjen e kësaj nisme koncensionare u morr po në emër të të mirës për të varfërit! Ndërsa shtesën e mesme edhe të pasurit askush nuk i zë me gojë, megjithëse ideologjikisht janë këto grupet që duhet të përfaqësojnë. Dhe jo sepse të varfërit po mbrohen nga këto vendime. Nëse, bisnesi i transportit publik falimenton apo thjesht dobësohet, duhet kuptuar që, të parët që humbin janë të varfërit. Në pamundësi për të përdorur alternativa private të transportit ata mund të humbin edhe atë punë që kanë. Ndërkohë që, shtresa e mesme mund të vazhdoj të përdori automjetet private për të kryer lëvizjet e përditshme. E lënë në pambështetje të plotë politikash, ajo mund ti lejoj vetes kostot e një automjeti, që megjithëse i “zgjidh punë” në lidhje me transportin, pengon përmirësimin e statusit ekonomik të tij.
Këndvështrimi tjetër, nga mund të opinionohet, është ndikimi në ‘bursën elektorale’. Nga projektvendimet te vendimet dicka ndodhi, dhe kjo dicka preku ndjesitë e një pjese gri që i merr vendimet ditën e fundit para votimit. Ata panë e dëgjuan sesi administrata e bashkisë Tiranë coi për miratim në Këshillin Bashkiak një vendim, sipas të cilit duhet të paguanin një bisnes privat për të parkuar në rrugët publike ekzistuese! Më tej, ata panë sesi mazhoranca (e majtë) nuk e kundështoi në mënyrë të prerë këtë nismë, por, thjesht kërkoi kohë. Gjithashtu ata panë sesi, bashkia kërkoi mos ndryshimin e cmimit të biletës së transportit publik, ndërsa si zgjidhje të problemit ofronte uljen e taksimit mbi naftën. Pra, ja kaloi përgjegjësinë qeverisë qëndrore, për një cështje qartësisht vendore. Shumë gjëra panë e dëgjuan votuesit por, si vektor resultant i gjithë këtyre kalimeve të “të drejtës”ndër palët konkuruese, humbet opozita e djathtë. Opozita mban, teorikisht, të drejtën e moralit të pacënuar nga vendimmarrja. Mirëpo, e përfaqësuar në qeverisje nga administrata e Bashkisë Tiranë, në praktikë, propozimi për koncesionin e parkimeve e cënoi rëndë ‘moralin teorik’.
Për të ardhur në aspektin më të rëndësishëm, në atë cfarë, në dimensionin urban përfiton qyteti. Mos ndryshimi i cmimit të biletës, pa hyrë në analiza ekonomike, e lë shërbimin e transportit publik në të njëjtën gjëndje. Dhe nëse flasim për trafik të rënduar dhe për nivel të lartë ndotje nga automjetet, gjëja e parë që një administrate duhet ti vi në mëndje, është gjetja e mundësive që bisnesi i transportit publik të jetë nga më të synuarit. Fitime të mira të arritura nga kompanitë mund të kthehen në agument të fortë, që administrata të kërkoj rritjen e cilësisë së këtij shërbimi. C’ka, pa as më të voglin dyshim do të sjelli rritjen e numrit të përdoruesve të këtij shërbimi dhe do e futi cështjen në një cikël vetpërmirësues. Ndërsa, cështja e konsesionit, si në rastin e dhënies ashtu edhe në rastin e bllokimit, nuk ka asnjë efekt në dimensionin urban. Thjesht, ato vendparkime ekzistuese nuk do i menaxhonte një ndërmarrje publike porse një private. Ndërkohë që, Tirana ka nevojë të dëshperuar për parkime, ato duhen kërkuar gjetiu. Ato, duke shpresuar se nuk po përsërisim veten, duhen kërkuar në nëntokë. Nëse bashkia duhet të bëjë patjetër një koncesion, ky është rasti i duhur.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017