PADUKSHMËRIA E PUNËVE TË QEVERISJES VENDORE BASHA! Mapo, 04 .06. 2015

Qeverisjes Basha të Tiranës po i vjen fundi edhe ligjërish. Kjo na jep të drejtën de jure, përvecse morale, për të dhëne opinionin tonë modest për këtë “provë gjenerale” të Kryeministrit të ardhshëm të Shqipërisë. Po! Sepse, z. Basha nuk do jetë Kryebashkiak i ardhëm i Tiranës, dhe këtë e ka vendosur vet duke mos kandiduar. Do jetë relativisht shpejt Kryeministër i Shqipërisë, dhe këtë e ka vendosur z. Rama dhe z. Meta duke qeverisur aq keq sa zgjidhjet e tjera janë poezi të trishta. Dhe se, konsiderimi i qeverisjes vendore të Tiranës si një “provë gjenerale” katër vjecare për të vlerësuar sesi do sillet Kryebashkiaku i Tiranës në krye të punëve kombëtare, është një fakt i betonizuar tashmë në kulturën politike e demokratike shqiptare. As për këtë nuk ka vend për opinion, megjithëse ne shqiptarët shquhemi për opinionimin mbi vërtetësinë e faktit! Sidoqoftë, ajo për të cilat mund të diskutohet tashmë janë arsyet që cuan në një fakt të pranuar gjerësisht si të tillë. Dhe ajo që gjerësisht pranohet është se punët vendore të Bashës nuk janë të dukshme. Këtë, si fakt, e pranon z. Rama kur thotë se kryebashkiaku në katër vjet nuk ka bërë asgjë për Tiranën urbane, por e pranon gjithashtu edhe z. Basha kur thotë se zgjodhi të bëjë punë urbane pa dalë nëpër televizione duke prerë shirita inagurimi apo përfundimi punimesh. Në këtë kuptim ne na ngelet të vëzhgojmë, më thellë, arsyet e padukshmërisë së punëve urbane Basha. Dy janë gruparsyet që prodhuan këtë fakt. Arsyet që Basha i ‘gjeti’ dhe arsyet që i ‘krijoi’.
Shakaja e vitit zero mund të funksionojë kudo, porse për dimensionin urban të një qyteti është përtej të pamundurës. Një qytet është një nyje fluksesh që lëvizin në hapsirë e në kohë dhe cdo vendodhje e sotme është rezultat i vendndodhjes se djeshme. E nëse e pranojmë këtë të vërtetë shkencore, sapo pozuam rëndësinë e ‘arsyeve që gjeti’. Ajo që Z. Basha gjeti, ishte një Tiranë urbane në mjerim total. Punësimi në qytet vinte, përgjithësisht, nga sektori shtetëror ndërsa bisnesi privat ishte në pragkomë. Sikur Tirana të mos ishte Kryeqyteti i Republikës dhe në territorin e saj të mos ishin instaluar godinat e qeverisjes qëndore, ekonomitë e vetme mund të ishin kafenetë e restorantet. Nëse do flisnim për të drejtat e njeriut nuk do të përfundonim kurrë. Nëntëqind lejet e ndërtimit të dhëna nga z. Rama kishin dëmtuar pakthim barazinë kushtetuese të pronarëve për të zhvilluar pronën e tyre. Megjithëse ishin trajtuar vetëm 2% e pronave, kapacitetet mbajtëse të banorëve në blloqet e banimit ishin afër maksimales. Ato kishin dëmtuar, gjithashtu, strukturën moshore, të tipologjisë së ndërtimit dhe stilit arkitekturor të blloqeve të banimit, për të mos folur për funksione të aktivitetit njerëzor të harruara në faqet e librit të historisë. E kam fjalën për hapsira të gjelbërta, të hapura, rekracioni, territore për aktivitete sportive, sheshe, vendparkime, cerdhe, kopështe, shkolla, qëndra shëndetsore. Një mjerim i tillë urban duhet ti shërbente z. Basha si themel për zhvillimin e mëtejshëm urban të Tiranës.
C’ka na drejton te ‘arsyet që krijoi’! Mirëpo, një mjerim i tillë si themel, të përcakton edhe mundësitë reale për konstruktimin e mëtejshëm. Këtu duket se gaboi z. Basha dhe administrata e tij. Ajo nuk arriti të kuptonte se identifikimi i problematikave dhe disekuilibrave që ka sjell qeverisja e mëparshme nuk shërben vetëm për ta sulmuar në fushatë. Porse, për tu analizuar si pasojë me synimin për të kuptuar shkaktarët. Kuptimi i shkaktarëve duhet ti udhëhiqte për të ndërtuar një qasje tjetër. Qasjen shkencore. Sepse, nëse ka një gjë që na mëson shkenca e ndërtimit të qyteteve është trajtimi i problemeve dhe disekulibrave urbanë në mënyrë të integruar dhe si një unitet. Nuk mund të ketë zgjidhje të pavarur të secilit problem më vehte. Nëse duam të “rregullojmë” një qytet duhet ti trajtojmë të gjitha problematikat urbane që ai shfaq si një spektër i vetëm. E njëjta gjë vlen edhe për njësitë formuese të tij. Në të kundërt, ato që shfaqen si arritje të kësaj qeverisje vendore, janë thjeshtë komponet të agregatit. Një blloku i kanë rregulluar kopështin, një tjetre shkollën. Diku kanë ndërtuar një lulishte e diku tjetër kanë rikontruktuar një rrugë. Këto mund të shërbejnë për përmirësimin e një dimensioni specifik urban të jetës së një grupi specific qytetarësh, por në asnjë rast nuk mund të përmirësojnë qytetin si një i tërrë. Kështu që, cdo qytetar i Tiranës mund të gjej një arsye për të vlerësuar punët vendore të qeverisjes Basha, porse në kuptimin e evoluimit të qytetit ato do të ngelen të padukshme përgjithmon.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017