PSE CUDITENI ME VARREZAT? Mapo, 07.02.2014

Marrdhënien e parë me varrezat e kam pasur nëpërmjet letrës. Po, nëpërmjet letrës ku arkitekti po formulonte një plan për të përmirësuar gjëndjen ekzistuese dhe për një shtrirje në perspektivë të tyre. Kjo ngjarje duhet të jetë e vitit 1984 dhe unë isha një fëmijë që kuriozohesha për shumc’ka kishte të bënte me vizatimin. Më pëlqente të vizatoja dhe kjo duhet të ketë qënë ngjarja që nguliti në mëndjen time dëshirën për tu bërë arkitekt. Plani ishte shumë i thjeshtë dhe mjetet akoma më shumë, sigurisht tani më duket kështu, sepse deri në atë kohë nuk kisha parë një fletë aq të madhe letre mbi të cilën mund të vizatoje. Nuk kisha parë as tavolinë projektimi dhe as mjete të atilla vizatimi. Vizatimi mbi letër ishte shumë modest. Katrorët gjeometrikisht të ngjashëm ndaheshin nga njëri-tjetri nga disa fasha gjatësore. Ndërsa brenda tyre ishin vendosur drejtkendësha të njëjtë dhe të baraslarguar nga njëri-tjetri. Në vende të caktura drejtkëndëshit e njëjtë mungonin dhe në vend të tyre kishte disa forma të cuditshme. Më vonë, projektuesi më sqaroi se katrorët quheshin ‘parcela’ dhe fashat ndarëse ishin ‘rrugicat këmbësore’. Dretkëndëshit e njëjtë ishin varre, kurse ato format e cuditshme nuk ishin gjë tjetër vecse kurorat e pemëve të para nga sipër. Më tha gjithashtu se, ato drejtkëndëshat (varret) ishin të përbëra nga elementë të parafabrikuara më parë dhe të njëtë për të gjithë varret. Të gjithë varret ishin njësoj.
Qetësi absolute, pastërti, rrugica të shtruara me gurë lumi; breza të gjelbërt ndarës dhe shumë pemë të larta; vetëm tre-katër ngjyra dhe tre-katër materiale. Ky imazh, do të ngelet në mëndjen time derisa një fillim të ftohtë e të lagësht marsi mu desh të shkoja prap atje. Pas një lufte të stërgjatë dhe të pa besë në spital, i dërmuar mendërisht e shpirtërish, mu desh të coja atje një nga miqtë e mi më të afërt. Sikur të mos mjaftonte ky tmerr me përmasa të biblike, gjëndja e varrezës ishte katastrofike. Pasi u zhytëm deri në gjunjë në baltë e duke kapërcyer me frikë e turp mbi varre të tjera, me arkivol në krahë, i lutesha zotit të mos rrëzoheshim mbi një mal me gurrë themelesh që na ndante nga vendi i paracaktuar për mikun tim. Që nga ajo ditë kam qënë me dhjetëra herë në atë varrezë. Por nuk do t’ju tregoj cfarë kam parë. Secili prej nesh shkon atje dhe nuk ka nevoj për tregimtarë. I ka parë vet. Ka parë shtëpitë që rrethojnë kufinjtë e varrezave dhe që duken sikur do të hyjnë brenda. Ka parë varret me kate e me catira. Ka parë rrugicat këmbësore të zëna nga varre të reja. Ka parë varre të ngjitura brinj më brinj me njëri- tjetrin. Ka parë pirgje me bishta lulesh të prera nga frika se mos i vjellin e rishesin. Ka parë fëmijë që të kërkojnë të pastrojnë varrin e të afërmit tënd, në këmbim të pak parave. Ka parë qindra lloje ngjyrash e qindra lloje materialesh. Shumë e shumë gjëra ka parë. Një rrëmujë e pamasë, shumë larg qetësisë, pastërtisë dhe paqes.
Ri e vras mendjen. Pse kështu? Mos vallë nuk kemi tokë? Jo, megjithëse shtiremi si atdhetarë, po tallemi me tokën si “në mall të armikut”. Nuk kemi para? Jo, përderisa asnjë nuk përdor varret standarte që të ofron, përfshirë në cmim, shërbimi funeral. Nuk kemi materiale ndërtimore? Jo, përderisa sot në varreza mund të gjesh më qindra lloje të përdorura. Nuk kemi projektues? Jo, kemi dhjetëra universitete private e shtetërore. Prodhojmë cdo vit me qindra. Nuk kemi letër të madhe? Jo, përderisa prodhojmë me mijëra postera politikanësh cdo dy vjet. Nuk kemi vegla apo tavolina vizatimi? Edhe nëse nuk kemi të tilla, kemi kompiuter. Po, atherë? Përgjigjja është shumë e thjeshtë, miqtë e mi. Ashtu si ndërtuam qytetet tona pa plan dhe na dolën të zhurmshme, të pista, johigjenike, kaotike, të shtrembërta, të kithta, të ngushta, të errta, pa ajër dhe pa dritë. Ashtu ndërtuam edhe varrezat për të afërmit tanë që ikin më shpejt. Them më shpejt, sepse të gjithë do ikim një ditë dhe të gjithë në të njëjtin vend do shkojmë. Në shtëpinë tonë të fundme. Prandaj, mos u cudisni me varrezat tona. Ato janë kështu dhe do të mbeten të tilla, për aq kohë sa ne nuk do t’i kthehemi zhvillimit të planifikuar të qyteteve, ku zonat e shërbimit të varrimit publik të planifikohen në perspektivë kohore afatgjatë sa dhe plani. Deri atherë ato do ti shërbejnë elitës politike të debatojnë se kush e ka fajin për mungesën e vend-varrimeve.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017