CFARË I NEVOJITET SHQIPËRISË SË DIMENSIONIT TERRITORIAL? Mapo, 08. 09. 2015


Shqipërisë territoriale i nevojitet një qëndrim i ri politik mbi shpërndarjen e banorëve nëpër territorin kombëtar. Është bazike të kuptohet se, sa më njëtratshmërisht të jenë vendosur banorët nëpër territor, aq më mirë është. Së pari në dimensionin patriotik. Ndërsa flasim pafund për kufinjtë, duket se kemi harruar territoret që kufizon ky kufi. Territore që prej vitesh po i lëshojmë. Së dyti në aspektin urban. Një qasje e tillë pengon një nga problematikat më të mëdha të tranzicionit, sikurse është zhvillimi i qëndrave të banuara në dy tipologji diametrikisht të kundërta: superqytetet e mbipopulluara dhe qëndrat e nënpopulluara urbane. Të dyja me kosto shumë të larta, publike dhe private, për sigurimin e një cilësie të pranueshme jetese. Së treti në aspektin ekonomik. Ekonomia shqiptare ka nevojë të dëshpëruar të ridimensionohen nga ekonomitë prodhuese, ndërkohë, burimet natyrore dhe territoriale po shpopullohen nga banorët që duhet ti bëjnë ekonomikisht eficente. Pa harruar aspektet mjedisore dhe sociale, Shqipërisë i duhet një set politikash për të rishpërndarë në mënyrë të balacuar popullsinë në territor. Shqipërisë territoriale i nevojitet një sistem i ri rregullator për zhvillimet në territor. Një sistem të mbështetur në parimet e qeverisë së mirë urbane. Dhe jo për nevojën e “përshtatjes së legjislacionit” me atë të BE, por, për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm, të zgjuar dhe gjithëpërfshirës të territorit. Një sistem që detyron cdo zhvillues të pajiset me leje për cdo punim që do të kryej. Leje shumëllojëshe të grupuara sipas ndikimit në mjedis, dhe për secilin grup nga një procedurë të vecantë administrative. Të cilat të konsistojnë në verifikimin nga administrata të përputhshmërisë së kërkesës së zhvilluesit me planet e miratuara më pare, dhe të jenë sa më të shkurta në kohë dhe me kosto sa më të ulët për kërkuesin, në varësi të llojit të punimit. Verifikim që kthehet në përgjigje të nënshkruar nga titullari i institucionit që ka juridiksion atë cështje apo atë territor. Një situatë e tillë lehtësuese do e bënte të pamundur nevojën e ndërtimtarisë paleje dhe do siguronte një zhvillim me dimension të plotë mjedisor, social dhe ekonomik. Por, do të kthente në domosdoshmëri jetike planet territoriale të miratuara më parë.

Comments
Post a Comment