NGA BUNKERI I TRASHËGIMISË TE I FUNDIT I BUNKERËVE. Mapo, 29. 09. 2015

Shkeljet e para ligjore të Kryebashkiakut të ri të Tiranës ju rezervuan bunkerit të trashgimnisë. E kam fjalën për ndërtesën në formë piramide, që ndodhet pranë godinës së Këshillit të Ministrave dhe që nuk dihet cfarë funksioni publik kryen. Në fakt, nuk dimë se cfarë funksioni kryen sot sepse kur u ndërtua, kjo godinë, shërbente të ‘shfaqte veprën e ndritur në vite të shokut Enver’. Kjo ishte puna e parë publike e ndërmarr nga administrata e re: meremetimi i bunkerit piramidë! Duket se ky ishte problemi i parë i Tiranës urbane, në këndvështrimin socialist. Shkeljet janë të shumta. Duke nisur nga ligji për planifikimin dhe zhvillimin e territorit që kushtëzon nisjen e punimeve me pajisjen e investitorit me leje ndërtimi; duke vazhduar me një seri ligjesh mbi trashëgiminë, buxhetimin, prokurimin dhe organizimin e funksionimin e qeverisjes vendore; dhe duke e mbyllur me ligjin për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit që detyron kryerjen dhe dorëzimin e punimeve sipas një mënyre të caktuar. Sidoqoftë, pakkush nga administrate e re e vrau mëndjen për këto vogëlsira. E rëndësishme ishte të jepej mesazhi i fshetë por i fortë se, Kryebashkiaku i ri nuk e kishte harruar se kujt i përkiste.
Në familjen socialiste trashëgimia reale politike dhe ideologjike është shumë e rëndësishme, edhe sepse krerëve drejtues ju duhet shpesh që për ti hedhur hi syve ndërkombëtareve dhe mëndjeshkurtërve shqiptarë, të bëjnë sikur shajnë e mallkojnë regjimin kriminal të shekullit të kaluar. Përsa trashëgiminë reale- trashëgiminë ideologjike- nuk e përshfaqin dot publikisht, mëndjet e ndritura e artistike kanë gjetur një tipologji tjetër trashëgimije për t’ia m’veshur piramidës bunker. Trashëgiminë kulturore. Të fshehur pas një Vendimi të Këshillit të Ministrave dhe një Urdhër Ministri, mëndjet artistike tentojnë të na impresionojnë me argumenta ligjorë mbi vlerat “monumentale” të këtij bunkeri që u dashkan trashëguar! Mirëpo, a mundet një vendim politik, në vetvete, ti injektoj vlera artistike një objekti? Në asnjë rast, jo! Objekti i mbart ose jo këto vlera në vetvete, dhe ky duhet të verifikohet empirikisht si fakt. Nëse vërtetohet fakti i ekzistencës së vlerave, atherë një vendim politik ‘për mbrojtje të trashëgimisë së vlerave kulturore’ bën kuptim. Në të kundërt, duhet ti drejtohemi ligjit (hirearkisht më i lartë se një vendim qeveria apo urdhër ministri), për t’ia hequr këtë ngarkesë të paqënë!
Nuk ka asnjë arsye të fshehim kokën si truci! Le ti themi gjërat sic janë. Ashtu të thjeshta por të vërteta. Godina e Muzeut të diktatorit nuk është një object arkitektonik e ndërtimor me vlera që duhen trashëguar. Karakteristikat e saj arkitekturore dhe ndërtimore nuk kanë asgjë të përbashkët me teknologjitë apo metodologjinë e ndërtimeve të kohës nga ku vjen. Ajo nuk u ndërtuar nën frymëzimin ‘ndërtojmë shpejt, mirë dhe lirë’, sepse për të nuk u kursye as koha dhe as paratë e fundit të popullit më të drobitur të botës! Ajo nuk u ndërtua ‘me forcat tona’, sepse projektuesit dhe një sërë materialesh u importuan nga vendet imperialiste! Në kohën kur u ndërtua, sigurisht që kishte vlera vizuale, mirëpo janë pikërisht këto vlera që e kanë dënuar këtë ndërtim me plakje të shpejtë dhe me vdekje të parakohëshme. Janë muret e pjerrta prej betoni dhe sipërfaqet masive të xhamta që sot nuk i lejojnë një shëndet të mirë të qëndrueshmërisë mekanike. Janë këto karakteristika të objektit, risi për kohën kur u ndërtua që bëjnë të vështirë në kufinjtë e të pamundurës mirëmbajtjen me kosto të pranueshme të tij. Janë ato që pamundësojnë gjetjen e një tjetër përdorimi apo utilizimi për të.
Dhe jo vetëm për këtë! Ne duhet ta ngemë zërin e të pranojmë edhe faktin se bunkeri piramidë nuk ka asnjë lidhje me ‘Asamblin e Godinave Qeveritare’, në të cilin është përfshirë tinëz për tu shpalluar ‘monument kulture’! Është e vërtetë që ideologjitë frymëzuese të dy mortajave kolektiviste që helmuan gjakun e Europës shekullin e kaluar, socializmi nacionalist dhe socializmi internacionalist, kanë shumë ngjashmëri, porse në cështjet kulturore ndryshojnë shumë. Vecanërisht në cështjet arkitektonike dhe ndërtimore. Stili minimalist i realizmit socialist nuk ka asgjë të përbashkët me detajet thellësisht të kuruara të neoklasicizmit fashist. Mirëpo, mëndjet artistike të trashëgimisë ideologjike kërkojnë të na ngatërojnë me fjalë të bukura dhe arsyetime paralelesh të paqëna. E kanë bërë prej vitesh me ‘bunkerin e trashëgimisë’ dhe po e bëjnë përsëri me ‘të fundit të bunkerëve’. Në krye të tuneleve që lidhin godinat e Ansamblit të Ministrive - të ndërtuar bashkë me to e në shërbim të tyre - po ndërtojnë bunkerin e 700 001-të. Të fshehur pas trashëgimisë kulturore e artistike po na injektojnë vlerat e vërteta të trashëgimisë së tyre bolshevike e kriminale. Bunkerizmin mendor e fizik!

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017