LEGALIZIMET, PROCESI ME MORALIN E PIRAMIDAVE. Mapo, 23.04.2014

Shtatëmbëdhjet vjet më parë shqiptarët morrën një leksion mbi ekonominë dhe moralin. Ata u përballën me faktin se nga qielli nuk mund të bien para. Shëmbja e piramidave financiare i bëri ata të kuptojnë se pasurimi i shoqërisë nuk vjen dot nga asgjëja. Se pasurimi vjen vetëm nga puna dhe jo nga qarkullimi i parave nga xhepi i një shqiptari te xhepi i një shqiptari tjetër. Kjo sepse, kështu funksiononin piramidat financiare të dy dekadave më parë. Me paratë e valës së parë të kreditorëve blenin hapsira mediatike për tu shfaqur të gjithpushtetshëm dhe bamirës. Me paratë e valës së dytë likujdonin kreditorët e valës së parë dhe kështu procesi vazhdonte më tej, përsakohë cdo valë ishte më e madhe se pararendëset. Vazhdonte kështu derisa vala e radhës ishte e tillë që nuk mundësonte likuidmin e kreditimeve të mëparshme. Në këtë rast, kur vala e hyrjeve ishte më e vogël se vala dalëse, cikli fillonte nga e para në një nivel më të lartë ofrimesh. Shtoheshin premtimet mbi fitimet që do të realizonin njerëzit, nëse do ti linin paratë për një kohë më të gjatë në firmë apo do sillnin të tjera. Ndërkohë që paratë ishin të njëjtat dhe asnjë mekanizëm ekonomik nuk i rriste ato. E thënë me një fjalë, cdo shqiptar merrte paratë e një shqiptari tjetër. Thjeshtë paratë ndryshonin xhep. Ndërsa një grup njerëzish kapardiseshin se po bënin punë të mëdha për kombin dhe po ndihmonin që familjet shqiptare të pasuroheshin.
Duket se procesi i legalizimeve të ndërtimeve paleje është trajtuar nga autoritetet në të njëjtën mënyrë. Që nga viti 2002 sa herë bëhen zgjedhje lokale dhe vecanërisht politike, klientët e legalizimeve merrnin nga një premtim më të mirë se paraardhësi. Merrnin nga një discount (ulje cmimi) për faturën që duhet të paguanin për të legalizuar banesat dhe ndërtesat e tyre të ndërtuara palejen e autoriteteve. Së pari, nisën socialistët me konceptin e ‘urbanizimit dhe më tej legalizimin’. Këta vendosën edhe nivelin e parë të kostove financiare të praktikës individuale të legalizimit. Më tej erdhën demokratët dhe koncepti ndryshoi në ‘legalizime më pas urbanizim dhe intergrim’. Në konkurencë me të parët, këta ulën më shumë kostot financiare. Dhe vazhduan ta bëjnë për tetë vite në vazhdim. Sa herë procesi nuk shkonte mirë apo afroheshin zgjedhjet, demokratët ose ulin kostot ose shkurtonin procesin. Kjo e dyta në teori (ligj), sepse praktika na dëshmon të kundërtën. Mirëpo vitet do të kalonin dhe në zgjedhjet e fundit, socialistët në opozitë të zgjatur do të ndryshonin konceptin e vet për të përqafuar dhe laboruar më tej konceptin e demokratëve ‘legalizime për katër vjet dhe më pas të tjerat’. Biles duke premtuar, gjithashtu, kosto zero për familjet përfituese. Apo sikurse në terminologjinë fushatiste, ‘legalizime falas’. Më tej, pasi u instaluan në qeverisje koncepti mbeti i njëjtë, por kostot ju larguan zeros.
Mirëpo, dimensioni i daljes në një nivel tjetër premtimesh populiste dhe demagogjike, sa herë procesi haste ngadalësim apo afroheshin zgjedhjet e radhës, nuk është e vetmja ngjashmëri midis këtyre dy “aktiviteteve shoqërore”. Ajo që i bën shumë të ngjashme dhe ja kuoton nivelin e moralit në të njëjtën piacë, është se megjithëse propogandohet e kundërta ato në vetvete (pas faktit të kryer) nuk prodhojnë asgjë. Sikurse në rastin e piramidave, ca shqiptarë me fat tërhiqnin si vlerë të shtuar principalin e ca shqiptarëve të tjerë fatkeq, po kështu edhe në rastin e legalizimeve, ca shqiptarë me fat marrin në pronësi trojet e ca shqiptarëve të tjerë pafat. Biles, është akoma më e pamoralshme se kaq sepse në cështjen e parë pamoralin e shfaqnin disa individë që më tej, shoqëria shqiptare i dënoi me izolim/burgim, ndërsa në cështjen e dytë pamoralin po e shfaq politika dhe po e kthen në ligj për shoqërinë. Dhe ajo që është më e rënda për nga mungesa e moralit, është fakti se nëse në ngjarjen e parë fatura financiare i shkoi një pjese të shoqërisë që me dëshirën e tyre të lirë ishin të përfshirë në një aktivitet të tillë, ndërsa në ngjarjen e dytë fatura financiare po i shkon gjithë shoqërisë shqiptare që kontribuon në buxhet. Sepse nuk ka gjë falas në këtë botë. Dhe as gjëra më të lira se kostoja. Problemi është se kush do ti përballojë këto diferenca. Ndërsa shoqëria shqiptare, politikisht e coroditur, voton më shumë ata që ngejnë nivelin e pamoralit dhe kostot në xhepat e tyre për dicka që nuk ju përket dhe që nuk prodhon asgjë të mirë për ta.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017