PIRAMIDA, PARLAMENTI DHE DEKONTRUKSIONI I NJE "ARGUMENTI". Mapo, 02.12.11


Dhe, sot, objekti është një ngrehinë plakë që nuk mban dot veten në këmbë. Struktura e saj beton-arme me sipërfaqe të pjerrëta, që në kohën kur u ndërtua ishin vërtet risi për Shqipërinë, sot gjenden rëndom kudo. Veshjet e mermerta apo vetratat e xhamta duhen vlerësuar sot, dhe jo si ishin kur u montuan për herë të parë. Çdo gjë e re ka brenda bukurinë e së resë, por, e bukura e vërtetë është ajo që i mbijeton kohës, të paktën ajo e bukur që duhet konservuar. Dhe të mos flasim si janë katandisur sot ato vetrata, të deformuara dhe të konsumuara nga efektet klimaterike. Në fund të këtij argumenti, edhe familja ime trashëgoi një shtëpi prej qerpiçi, nga të parët e saj. Në kohën kur u ndërtua ishte shtëpia më e bukur e lagjes, por nuk ishte kështu në vitet ’80-të, kur familja ime, në truallin që ajo banesë kishte zënë, ndërtoi një banesë të re. Argumenti i dytë është ai formal-ligjor, sipas të cilit, shkrimi tenton të argumentojë ligjërisht vlera "monumentale" të piramidës.
Në funksion të këtij “argumenti’ parashtrohet një Vendim i Këshillit të Ministrave dhe një Urdhër ministri si baza ligjore mbi të cilën “monumentarizmi” i piramidës qenka vulosur një herë e përgjithmonë. Në të vërtetë, të dy aktet nënligjore janë cituar shumë drejt, por, çuditërisht është harruar ligji “Për Trashëgiminë Kulturore”, i cili në pikën 3 të nenit 24 të tij thekson se “Heqja e plotë ose e pjesshme e mbrojtjes nga shteti e një objekti ose grupi objektesh të trashëgimisë kulturore është e drejtë ekskluzive e organit që e ka shpallur atë”. Dhe, siç theksohet në atë shkrim, është Ministria e Kulturës organi që e ka shpallur atë. Legjitimiteti i një vendimmarrjeje të një ministri nuk varet nga sa i pëlqen kjo vendimmarrje dikujt apo dikujt tjetër, por nga përputhshmëria e saj me aktet hierarkike ligjore apo nënligjore në fuqi. Argumenti i tretë është, ai, sipas të cilit ishte z. Fevziu i pari që artikuloi idenë e “Piramidë apo Parlament” dhe më pas z. Berisha e ka laboruar këtë ide. Ndërsa, theksohet se shkrimi nuk merret me hartim të teorive konspirative, por se lidhja duket e qartë, nuk është e kuptueshme se cilat janë dy gjërat që duhen lidhur, si lidhen ato dhe si reflektohet kjo lidhje me vleshmërinë e projektit të Ndërtimit të Godinës së Re të Kuvendit. Sidoqoftë, nuk më kujtohet kush se ka ngritur së pari këtë tezë, porse një gjë është e sigurt, vërtetësia apo prurja pozitive e një hipoteze nuk varet nga kush e ka artikuluar, por nga argumentet që e mbështesin.
Në fund, edhe z. Fevziu është një njeri i lirë në një shoqëri të lirë dhe mund të artikulojë çdo mendim, ide apo opinion. Për më tepër, vendimi politik, se Republikës Parlamentare i duhet një Godinë e Re për Kuvendin e saj, është marrë shumë vite më parë. Argumenti i katërt i shkrimit këmbëngul te fakti, i pamohueshëm, që neni 3 i Kushtetutës së Republikës Parlamentare Shqiptare thekson se identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare janë baza të këtij shteti, të cilat ai ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë. E vërtetë absolute, por çfarë lidhje ka Identiteti Kombëtar i Shqiptarëve me Piramidën? Identiteti egjiptian, në një kontekst kohor të caktuar, po. Atje piramidat janë vlera kombëtare për t’u trashëguar. Dhe, përsa i përket trashëgimisë kulturore apo memories kombëtare, nga periudha socialiste, populli shqiptar dhe Shteti shqiptar ka shumë për të respektuar dhe mbrojtur. Janë burgjet dhe kampet pafund, të cilat e simbolizojnë thellësisht atë sistem, janë apartamentet antinjerëzore në të cilat banonin shqiptarët. Këto janë simboli i frymës së sistemit dhe jo një objekt rastësor dhe i vetëm. Lidhja e ideologjisë së sistemit me burgjet, kampet e punës apo edhe apartamentet e banimit është kuptimi më sinjifikativ sesi i shikonte e vlerësonte kupola e piramidës kombësit e saj. Më tej shkrimi synon të ndërtojë një argument mbi baza krahasimore. Tenton të krahasojë të pakrahasueshmet: godinën ku u shpall Mëvetësia e Shtetit Shqiptar me piramidën e diktatorit dhe: një lulishte qendrore të qytetit Vlorë me Kuvendin e Shqiptarëve.
Ky është krahasimi që bën shkrimi mes vlerave që humben dhe vlerave që përfitohen. Nuk kam koment për këtë. Çdo shqiptar duhet ta vlerësojë vetë nëse mund të hiqen paralele mes tyre, apo jo. Dhe një ndjesi të ngjashme, por jo të njëjtë, kam edhe për krahasimin tjetër. Në fund shkrimi, si argument të gjashtë, kërkon të induktojë mendimin se edhe të huajt janë kundër. Kjo, duke deklaruar premierë se dy studiues zviceranë po shkruajnë një libër (vërtetësinë e këtij informacioni e marrim për të qenë) ku do analizojnë Bulevardin e Tiranës dhe godinat që e kornizojnë dhe në mënyrë specifike piramidën, e cila qenka dhe simboli i një utopie ideologjike e sociale që nuk u arrit. Me shkrimin nuk kam replikë, sepse përsëris vetveten, por, në ndihmë modeste këtyre studiuesve zviceran, u them: Bulevardi i Tiranës nuk u projektuar dhe ndërtua mbështetur në ideologjinë utopiste socialiste-komuniste, por të një ideologjie tjetër, atë nacional-socialiste (fashiste), pra nuk mund ta studiojnë utopinë e një ideologjie duke analizuar çfarë një ideologji tjetër ndërtoi; piramida nuk përfaqëson ideologjinë socialiste, ajo nuk i përket konceptit të socializmit shqiptar dhe parullës së tij “të ndërtojmë shpejt, mirë dhe lirë”, me të cilën u ndërtuar Shqipëria e atyre viteve, pra nga analizimi i saj nuk mund të kuptojnë utopinë e kësaj ideologjisë; piramida nuk ka lidhjen më të vogël me atë Bulevard dhe objektet e tjera të së njëjtës ideologji, pra nuk mund ta analizojnë si pjesë të një klase logjike së cilës nuk i përket. Sigurisht, studiuesit kanë të drejtën legjitime t’i grupojnë e analizojnë si të duan faktet e provat, por rasti tregon se janë orientuar gabim dhe në këtë frymë do vijnë edhe përfundimet e këtij studimi.
Comments
Post a Comment