MBIVLERESIMI I PAVLERE I KONCEPTIT "LEJE NDERTIMI". Mapo, 09.05.13

E matur empirikisht, sipas disa institucioneve ndërkombëtare, koha e pajisjes me një leje ndërtimi, në Shqipërinë e dekadës së parë të mijëvjeçarit, arrin deri në 380 ditë. Eksperienca të veçanta tregojnë se kanë kaluar edhe ‘vite pritje’ për t’u pajisur me një të tillë. Treguesi është i pakuptimtë (më së paku) po të kemi parasysh se Shqipëria është një vend në zhvillim pas një periudhe 50 vjeçare të mungesës së zhvillimit si pasojë e politikave të këqia të frymëzuara nga ideologjia komuniste, por edhe nga pamundësia buxhetore për investime. Sistemi politik për 50 vite kishte prodhuar në ekonomi vetëm një investitor, Shtetin, i cili në të njëjtën kohë ishte edhe leje (zhvillim) dhënësi. Duhet kujtuar se, Shteti (ndër shumëçka) kishte monopolin absolut për punësimin e asaj pjese të popullisë që ishte e aftë për punë. Ai grumbullonte likuiditet nga shitjet e mallrave të prodhuara nga fuqia punëtore, e cila në të njëjtën kohë ishte edhe konsumatorja e vetme e produkteve të tij. Këto kapitale Shteti i ri-investonte në ekonomi, ku dimensioni territorial dhe ndërtimor barazohej me një leje ndërtimi. Pra Shteti i jepte Shtetit një leje ndërtimi. Nuk mund të dëshmohet sa orë apo ditë i duhej një Kryetari të Këshillit Ekzekutiv të Rrethit apo Ministri për të firmosur një leje ndërtimi, por një gjë është e sigurt, vonesa në veprimtarinë burokratike do të shoqërohej me identifikimin e një ‘grupi armiqësor’. Ndërkohë, për shumë shkolla ekonomike, nevoja për investime në një sistem kapitalist, vlerësohet e njëjtë me nevojën e një qënie të gjallë për ushqim. Në kuptimin teorik të qëndrimit të sotëm politik, një leje ndërtimi është një vendimarrje qeverisëse për të lejuar një njeri apo një grup njerëzish të ndryshojnë formën apo gjëndjen natyrore të një toke/parcele, duke kryer punime ndërtimore në të. Vendimi qeverisës duhet të ndërmerret pasi ka një kërkesë nga një zhvillues apo një grup zhvilluesish për të zhvilluar një pronë apo një grup pronash të paluajtshme. Në konteksin e një vendi demokratiko-kapitalist, sikurse është Shqipëria, kërkesa për leje ndërtimi duhet të vlerësohet në dy karakteristikat e para të sistemit, demokracia dhe ekonomia e tregut. Të dy këto komponentë, sikurse shumëçka në realitetin social, janë në ndryshim dhe evoluim të vazhdueshëm. Dikush mund të pyesi; si mund të ndryshojë demokracia dhe ekonomia e tregut dhe cfarë lidhje ka kjo me lejet e ndërtimit? Pyetje legjitime kjo, në konteksin e botkuptimit të ‘të vërtetës së fundme’, i cili për inerci frymëzon çdo mendim tonin.
Përgjigjja është e thjeshtë, si evente sociale (pra gjëra që kanë të bëjnë me ndërveprimin njerëzor), nuk janë statike. Demokracia evolon nga demokracia minimaliste e përfaqësuese drejt demokracisë gjithëpërfshirëse, dhe, kapitalizmi evoluon nga efektshmëria ekonomike drejt kapitalizmit të zgjuar, të qëndueshëm (ekonomik, social dhe mjedisor) dhe gjithëpërfshirës. Dhe, përderisa një zhvillim ndërtimor ka të bëjë me të drejtën e zhvillimit të një prone të paluajtshme dhe përfitimin prej saj, për së pari, dhe për së dyti ndikon cilësinë e jetesës së njerëzve edhe në aspekte joekonomike, atëherë është evidente marrdhënia mes tyre. Me një fjalë, dimensioni demokratik ka të bëjë me procedurën e marrjes së këtij vendimi kurse dimensioni ekonomik ka të bëjë me përfitimin nga ky zhvillim/ndryshim, i lejuar nëpërmjet kësaj vendimarrje. Në vazhdim të kuptimit teorik (të sintetizuar) dhe në pranim të konceptit të demokracisë në evolucion, dimensioni demokratik apo procedura demokratike e vendimarrjes nënkupton nënshkrimin nga një politikan i votuar (krye-bashkiak/komunar apo ministër) të një formati, që quhet leje ndërtimi. Ky dokument tregon se kërkesa është miratuar dhe këtë vendim politikani i votuar e ka marrë në mbështetje të stafit të tij teknik dhe bashkëpunim me palët e interesuara për këtë zhvillim. Stafi teknik i propozon miratimin e kërkesës pasi e gjen në përputhje me politikat (ekonomike, sociale dhe mjedisore) e miratuara më parë, kurse palët e interesuara dakordësojnë se nuk ndihen të dëmtuara nga ky zhvillim. Kaq e thjeshtë është, një procedura e thjeshtë administrative. Një nga të shumtat në ditë, të cilat administratat konceptojnë dhe kryetarët e bashkive e komunave apo ministrat miratojnë. Po kështu në aspektin e kapitalizimit të investimit. Janë kërkuesit (investitorët) që analizojnë kostot dhe përfitimet nga investimi i kërkuar, i takon atyre të masin nëse ky investim është i efektshëm për ta. Dhe në një kapitalizëm funksional, tregu i lirë si një organizëm i gjallë nëpërmjet konkurencës siguron efektivitet ekonomik të zhvillimit. Në termat e vlerës publike të investimit dhe gjithëpërfshirjes, si evolucion i kapitalizmit modern, janë palët e interesuara dhe administrata publike që vlerësojnë dhe ndikojnë. Palët e interesuara në mbrojtje të interesave të familjeve apo grupeve të tyre dhe administrata në mbrojtje të interesave të të gjithë komuniteteve dhe vecanërisht të grupeve të papërfaqësuara në këtë vendimarrje. Kaq e thjeshtë është, një procedurë administrative.

Teorikisht është kështu, sepse në fakt janë dashur 380 ditë, thonë institucionet ndërkombëtare. Nëse 25 vjet më parë, në sistemin më burokratik, më të centralizuar dhe më anti inisiativë të njohur ndonjëherë nga njerëzimi, lejimi i ndërtimit bëhej me një fjalë goje të tipit të fillojnë punimet, pas 20 vjetësh, në një sistem kapitalist, u dashkan 380 ditë. E çuditshme. Në një analizë të thjeshtë krahasuese racionale, sipas të cilës: në socializëm buxheti i investimit ishte shtetëror, në kapitalizëm është privat; në socializëm trualli ishte shtetëror, në kapitalizëm privat; në socializëm koston e investimit të gabuar e përballonte shteti, në kapitalizëm e përballon privati; në socializëm fondet për investime ishin minimale, në kapitalizëm fuqia dhe mundësitë investuese është e pafundme; në socializëm për të gjithë mendon vetëm shteti, në kapitalizëm cdo grup interesi mendon për vete; në socializëm të gjithë i përfaqëson shteti, në kapitalizëm secili përfaqëson vetveten; etj.etj., na del se, në socializëm shteti për të lejuar një ndërtim i duhej të peshonte shumë gjëra më shumë se i duhet administratës në kapitalizëm dhe, në këtë kuptim, i duhej më shumë kohë për vendimarrje. Aritmetika e thjeshtë të çon këtu, por, kush është problemi atëherë? Cfarë e pengon një investues të investojë paratë e tij? Cfarë e pengon një pronar trualli të zhvillojë pronën e tij? Cfarë e pengon kapitalin të rritet? Cfarë e pengon kapitalin të punësojë? Përgjigjja është e thjeshtë, mbivlerësimi i konceptit “leje ndërtimi”. Mbivlerësim i cili është i pavlerë, sepse pengon. Pengon rritjen e kapitalit, punësimit dhe mirëqënies.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017