PROPOGANDA DHE SPITALET. Mapo, 13.11.2013

Javët e para të qeverisjes socialiste lanë një shënjë të fortë në aktivitetin e përditshmërisë së shoqërisë shqiptare. Shumë aksione u ndërmorën nga ministrat e rinj gjatë këtyre ditëve. Aksione që tërhoqën respektin e një pjese të opinionit publik për një ‘shtet’ të fortë që vepron për të rregulluar gjërat e lëna në kaos nga qeveria inekzistente e mëparshme. Ndërkohë, një pjesë tjetër e të njëjtit opinion publik, i frikësohet një revanshi politik të maxhorancës së re. Një revanshi të fshehur nën petkun e veprimeve të hekurta qeverisëse por që mund të drejtojë në dënime politike të votuesve apo mbështetësve të opozitës. Debatet mes palëve të opinionit mbi këtë temë kanë arritur në terma ofendues, por sidoqoftë shpesh mbështeten nga protokollime të provave empirike. Njëra palë nxjerr imazhe sesi duket një spital pas ndërhyrjes policore për prishjen e kafeneve, dyqaneve apo farmacive, kurse pala tjetër shfaq imazhe të tjera që tregojnë se në të njëjtin spital ka akoma kafene që funksionojnë. Këta të fundit spekulojnë për një përzgjedhje selective dhe preferenciale të objekteve që u prishën. Për sa më përket, të dyja palët kanë të drejtë. Vecanërisht, për sa kohë sjellin prova dhe për sa kohë kanë pritshmëri të ndryshme. E kundërta, për shumëkë, do ishte një problem.
Ndërsa personalisht, kam një shqetësim tjetër. Shqetësimin mbi propocionalitetin e ndërhyrjes. A ishte e nevojshme gjithë ajo forcë policore për të arritur një pastrim të territoreve të spitaleve nga zhvillimet për shërbime joshëndetsore? Unë mendoj se jo. Në fund të fundit, kemi të bëjmë me disa njerëz dhe familje që në të drejtën e tyre për të mbijetuar kishin dalë për të shitur dicka. Dikush kafe, dikush carcafë, dikush fruta, dikush sanduice dhe dikush tjetër ilace. Dhe për të bërë këtë ju desh të ndërtonte ndonjë kioskë paleje. Nuk më duket ndonjë krim i madh, aq sa për tu goditur nga dhjetëra forca policore. Në fund të fundit, jemi vendi i katërqindmijë ndërtimeve paleje.
Ndërkohë, pjesa më e madhe e tyre kanë kontrata me autoritetet e këtyre spitaleve. Paguajnë edhe taksa si bisnese të vogla. Por edhe kanë punësuar njërëz që nesër do jenë të papunë. Edhe ky është një shqetësim. Kush do t’i dëmshpërblej këto ekonomi për ndërprerjen e një anshme të kontratës nga qeverisja? Pyetje retorike kjo, sepse si gjithmonë paguajnë taksapaguesit. Përfshirë ata që janë të lumtur nga ndërhyrja e hekurt e shtetit. Po për të ardhurat e munguara në buxhetet locale, kush mendon? Dhe nuk po pyes për njerëzit që ju shtuan listës së gjatë të të papunëve. Janë gjëra të vogla, vërtet, por kur bëhen shumë nuk ngelen më të tilla. Në fakt, shqetësimi im më i madh është se qeverisja e re nuk kupton elementët bazik të ekonomisë së tregut. Të paktën veprimet e tyre këtë tregojnë. Sepse, duhet kuptuar që askush tregëtar nuk i detyronte me forcë njerëzit të blinin kafet, sanduicet, carcafët apo ilacet e tyre. Nuk do e besoja kurrë këtë. Besoj se ka pasur një kërkesë pa është ndërtuar një ofertë. Ka pasur njerëz që kërkoni kafe, sanduic, carcafë apo ilace pa u ndërtuan ato pika shitjesh e shërbimesh. Dhe nëse e pranojmë këtë thënie për të vërtetë, na duhet të jemi të ndershëm dhe të pranojmë se sapo të largojë vëmendjen krahu i fortë i qeverisjes nga ato spitale atje do ndërtohet dhe shërbehet prapë.
Për mua është e qartë se kjo ka për të ndodhur. Dhe ka për të ndodhur të gjitha herët që qeverisja do tentoj ti zgjidhi problemet me krah dhe jo me mëndje. Sepse po përdore mëndjen sigurisht që ka një zgjidhje. Po i bëre pyetjet e duhura dhe ktheve përgjigje të zgjuara sigurisht që gjërat rregullohen. Në një skenar të tillë, qeverisja duhet të pyeste veten se pse i duhet një qytetari të rrijë te kafja e spitalit? Përgjigjja është e thjeshtë, sepse i lënë të presin. Qeverisja duhet të pyesi veten se pse i duhet një të sëmuri të blej ilace, sanduice apo carcafë në farmaci apo dyqane private. Përgjigjja është e thjeshtë, se spitali nuk ka ilace, ushqim dhe carcafë. Ditën që qeverisja e re do ti japi zgjidhje këtyre shqetësimeve me mekanizma të menaxhimit shëndetsor, do të jetë dita kur ata tregtarë të paligjshëm apo të ligjshëm do të largohen nga ato hapsira. Nuk do shesin më, sepse nuk do kenë kujt t’ju shesin. Por qeverisja jonë e re zgjedh veprime të menazhimit urban për të zgjidhur cështje që duhet ti trajtojë menazhimi shëndetsor. Cuditërisht, qeverisja e re cdo cështje tenton ta zgjidhi nëpërmjet menazhimit urban. Përvec problematikave urbane. Dhe përfundimi është një shou i madh publik, i cili mund të kënaqi shumë vëzhgues por nuk ndërton dot sistem funksionues dhe zgjidhje të qëndrueshme në kohë.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017