NASTRADIN EFENDIA DHE KRYEPREMTIMI PËR TIRANËN URBANE! Mapo, 10. 06. 2015

Shumica e shqiptarëve e njohin Nastradin efendin, kështu që nuk e konsideroj të nevojshëm prezantimin me të apo punën e tij, në përgjithësi. Prandaj po kaloj direkt te një nga historitë e tij më pikante. Te historia e një dialogu konfliktual të tij me Drejtorin e Ndërmarrjes Komunale-Banesa të fshatit të tij. Ndërsa ky i fundit ecte me shpejtësi, Nastradini nga veranda e pyeti se për ku dhe pse po nxitonte. Drejtori ju përgjigj se për dy orë i duhej të ishte në Selinë e Partisë në qytet, ndërsa përshpejtoi hapat. Sapo Nastradin efendia dëgjoi përgjigjen e drejtorit, u ngërdhesh duke i thënë se edhe helikopter po të merrte nuk do arrinte kurrë për dy orë te Selia e Partisë që ishte te Sheratoni i qytetit, megjithëse rruga ishte vetëm dy kilometra e gjatë. Ishte ky “ofendim” që e bëri drejtorin të nxehej deri në atë pikë sa, megjithëse durimi ishte vlera që e karakterizonte dhe e lartësonte, t’ia kthente Nastradinit me të njëjtën monedhë. Debati cuditi gjithë fermerët që u gjendën aty, të cilët nuk e kuptonin “keqdashësinë” e Nastradinit. Nuk e kuptonin, pse ky ja ‘paracaktonte fatin e keq’ drejtorit. Vite më vonë, pasi fjalët e Nastradinit u vërtetuan, fermerët mësuan se Nastradin efendia nuk ishte treguar keqdashës, porse e dinte se rruga që kishte marrë drejtori mund të conte kudo nëpër “bashkinë e madhe” por jo në qytet. E thënë thjesht, drejtori ishte në drejtimin e gabuar. Sidoqoftë, nga ky udhëtin askush, vec drejtorit, nuk humbi gjë. Ndoshta, për pak kohë, besueshmëria e fermerëve te vlera e fjalës së Efendisë.
  Mirëpo ka ca rrugë të tjera të gabuara nga të cilat nuk humb as nastradini e aq më pak drejtori, që cuditërisht sa herë ngatëron rrugën i jepet nga një rrugë më e gjerë për tu ngatëruar përsëri. Nga rrugë të tilla humbin fermerët. Humbin njerëzit e thjeshtë. Në njëzet e pesë vjetët e fundit shqiptarët janë gjendur shpesh në situata të njëjta. Në një të këtillë gjenden edhe në këto zgjedhje vendore. Kandidatët për kryebashkiak të Tiranës dhe stafet e tyre po premtojnë të sjellin infrastruktura inxhinierike e sociale më të mira. Disa i premtojnë ti sjellin për dy vjet disa të tjera për katër. Pa përjashtuar askënd nga kandidatët, të gjithë premtojnë investime spektakolare në Tiranën urbane. Sepse ato që premtojnë kushtojnë qindra miliona euro, ndërkohë që askush nuk thotë se nga do vijnë ato para që do financojnë këto ivestime në infrastrukturën e shkatërruar dhe të munguar të Kryeqytetit! Sidoqoftë, njerëzia i dëgjon, i pranon për të vërteta të fundme, dhe ndoshta fajëson, për keqdashësi, ndonjë kritizer që thotë se jo për dy dhe për katër vjet, porse as për njëqind vjet këto premtime nuk realizohen dot. Sepse miqtë e mi, ashtu si në historinë e Efendisë, jemi në rrugën e gabuar. Jemi në drejtimin e gabuar. Jemi në shtratin e populizmit. Ndërsa kemi nevojë të dëshpëruar ti dëgjojmë këto premtime dhe më shumë akoma ti shohim të realizuara, nuk ndërgjegjësohemi të kuptojmë se ka vetëm një rrugë për ti financuar ato. Thënë këtë, sapo erdhëm te kryepremtimi i këtyre zgjedhjeve vendore.
Kryepremtimi i kandidatëve, dhe domosdoshmëria jonë populiste për të dëgjuar se, Kryebashkiaku i ardhshëm i Tiranës do bllokojë lejedhënien ndërtimore! Është ky premtimi që na ekzelton më tepër, pa kuptuar se e vetmja rrugë për të finacuar e realizuar premtimet e tjera është zhvillimi ndërtimor! Jo vetëm se punësojnë njerëz që paguajnë taksa, as se vet bisnesi i ndërtimit taksohet dhe janë këto para taksash që financojnë punët publike, por edhe për arsye të menazhimit urban. Sepse të ndërtosh rrugë, trotuare, gjelbërim rrugor apo infrastruktura nëntokësore duhet më parë të krijosh vijat e ndërtimit që kornizojnë shtratet rrugore. Sepse të zhvillosh parqe, lulishte apo element të tjerë të rrjetit të territoreve të gjelbërta në qytet, duhet më parë të sigurosh hapsirat e territoret për to. Sepse të ndërtosh cerdhe, kopështe, shkolla, ambulanca dhe komponet të tjerë të infrastrukturës arsimore e shëndetsore duhet që më parë të sigurosh trojet e ndërtimit për to. Sepse të zhvillosh kënde lojrash për fëmijë, sportive për të rriturit, clodhëse për moshën e tretë e element të tjerë të infrastrukturës sportive dhe të rekreacionit duhet më parë të sigurosh hapsirat për to. Dhe të gjitha këto hapsira dhe troje mund të sigurohen vetëm nëpërmjet menaxhimit të ribërjes së qytetit. Sigurisht që ka blloqe që mund të densifikohen apo të tjera që duhen shpopulluar, por në cdo rast duhet të heqim dorë nga populizmi dhe ti vëmë veshin ‘të vërtetës së shëmtuar’ që Efendia po na thotë.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017