NUK MUND TË KETË PUNËSIM MASIV PA PLANIFIKIM TERRITORIAL. Mapo, 11.10.2013

Fushata zgjedhore e qershorit përfundoi. U shpallën edhe fituesit. Ishin të majtët që u përzgjodhën nga sovrani të na drejtojnë në katër vitet në vazhdim. Partitë fituese erdhën në seancën kuvendore të miratimit të përbërjes së Qeversisësë re, me një program qeverisës të përbashkët. Në fakt, njëra parti e quante program qeverisës ndërsa tjetra program politik, por sidoqoftë të dyja e mbrojtën njësoj. Si një produkt të unifikuar të dy linjave të diferencuara partiake, në fushatën që parapriu zgjedhjet e qershorit. Programi qeverisës apo politik i Qeverisë së re u godit nga ligjërimet e opozitës së re në tre drejtime kryesore. Së pari, se nuk ishte realist dhe i zbatueshëm, së dyti, se nuk përfshinte të gjitha premtimet e fushatës dhe së treti, se nuk ishte i detajuar dhe i mungonin shifrat. Duke shpresuar se debati politiko-teknik mbi programin do të vazhdojë edhe në dimensionin e komponentëve të tij, mund të themi një gjë të sigurt. Përsa i përket komponentit të punësimit, programi përcaktonte detyrime të qarta për qeverisjen katër vjecare. Ai (programi) përcaktonte punësimin e treqind mijë shqiptarëve përgjatë kësaj periudhe kohore. Shumë (sipas vlerësimit para-programor), po të kemi parasysh: gjëndjen e tregut real të punës; gjendjen e likuiditetit të brendshëm për investime të reja; premtimet për taksim progresiv; krizën Europiane për remitanca apo investime të huaja. Pak (sipas vlerësimit para-programor), po të kemi parasysh nivelin e lartë të papunësisë prej një milion vetësh, varfërinë e tejskashme që do të kërkonte dy apo shumë punësimin për të njëjtin të papunë, rininë studentore që mund të punësohet part-time.
Sidoqoftë, programi ngarkon Qeverinë të krijojë 300 000 vende të reja pune. Nga të cilat 40 000 në industrinë prodhuese dhe 12 000 të lidhura më to, 15 000 në industrinë e lidhur me detin dhe 155 000 në aktivitete bujqësore dhe blektorale. Përmes reformës në programin e ndihmës ekonomike 62 000, në industrinë e turizmit 11 000 dhe në fushën e teknologjisë së informacionit 4 000. Pra, në total 300 mijë, ndërsa në sferën e aktiviteteve të ekonomisë prodhuese (që na intereson për këtë shkrim), 52 mijë vende të reja pune. Pak, mua më duken pak. Jo vetëm se shprehin vetëm 30% të nevojës së identifikuar nga programi, por edhe se mundësitë mund të jenë më të mëdha. Sigurisht, nëse nuk ndjekim rrugën e improvizimit të deri tanishëm. Nëse ndyshojmë mënyrën e të menduarit. Sepse nëse ndryshojmë mënyrën e të menduarit dhe vendosim se cfarë do bëjmë me burimet tona natyrore dhe terriroriale, burimet tona njerëzore dhe burimet tona financiare, atherë cdo gjë është më e thjeshtë. Mjafton që qëndrimeve tona politike për cdo fushë zhvillimi ekonomik, t’u japim kuptim gjeografik/territorial. Pra, të planifikojmë zhvillimin e territorit sipas nevojave ekonomike dhe mundësive konkrete të burimeve natyrore. Nëpërmjet një qasje të fortë propocionaliteti në planifikim pasi kemi vendosur llojin e industrive prodhuese që duam të zhvillojmë, të përcaktojmë se, ku duhet të zhvillojmë industritë prodhuese, dhe ku është zona më oportune për secilin lloj zhvillimi industrial.
Një model që ka dhënë rezultate shumë positive në Europë por edhe në vende të tjera të zhvillura, është modeli i “Parqeve Ekonomike”. Ato janë projektuar për së pari në fillim shekullin e kaluar, në vendet Anglo-Saksone dhe të zhvilluara, dhe vazhdojnë të krijohen në vendet në zhvillim edhe në ditët tona. Përfitimi prej tyre është i shumëfishtë. Avantanzhi kryesor i tyre është se industritë vendosen të grupuara, cka siguron bashkrendimin dhe mbrojtjen e tyre, kosto të ulët të pajisjes me infrastrukturë, madhësi të përshtatshme të parcelës ku zhvillohen, clirimin nga konfliktet kufitare të përdorimeve të ndryshme dhe mbi të gjitha minimizim i dëmtimeve të territorit dhe mjedisit. Ndërsa kërkesat e tyre janë minimale. Lokalizimi pranë rrymave të trafikut dhe troje të sheshta e të forta. Sidoqoftë, nuk mund t’ju them nëse 52 mijë vende pune janë shumë apo pak. Aq më pak nuk mund t’ju them nëse do krijohen këto vende apo jo, pas katër viteve. Por një gjë mund t’jua them me siguri. Nëse ndiqet kjo rrugë dhe ky model, mundësitë janë të mëdha. Burimet territoriale dhe natyrore janë, burimet financiare mund të gjenden nëse bisnesit i ofrohen projekte konkrete, burimet njerëzore mund të krijohen nëse dimë se kush do të jenë aftësitë e kërkuara nga tregu. Mjafton dëshirë e vullnet dhe planifikimi territorial do ta kryej këtë punë për ne. Kjo është rruga. Sepse jashtë planifikimit territorial nuk mund të ketë zhvillime ekonomike të qëndrueshme. Aq më pak krijime masive të vendeve të reja të punës.

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017