STREHIMI - I PADREJTË - SOCIAL! Mapo, 14. 10. 2015

Në një nga mbledhjet e para të Këshillit Bashkiak Tiranë, këshilltarët bashkiakë të majtë e të djathtë bashkuan votat për të miratuar një listë pjesore të përfituesve nga projekti i banesave sociale me qira. Më parë, kur Kryebashkiak i Tiranës ishte demokrati Basha, këshilltarët socialist e kishin bllokuar një tentativë të njëjtë me arsyetimin se lista nuk duhet të ishte pjesore por e plotë. Pra, numri i familjeve përfituese duhet të ishte i barabartë me numrin e apartamenteve të ndërtuara nga ky projekt social, që të merrte edhe votat e majta. Në pamje të parë, edhe pa ditur asgjë mbi projektin, është e dallueshme që dicka nuk shkon me këtë sjellje diametrikisht të kundërt të këshilltarëve socialist për këtë cështje. Praktikat e mëparshme por nga këndvështrime të cekta na drejtojnë në përgjigjen shabllon, tashmë, se kanë votuar sipas urdhërit politik. Dhe bën kuptim! Ndërsa në rastin e parë ishte propozim i armikut demokrat, në rastin e dytë ishte propozim i mikut socialist. Sikur cështja të ishte kaq e thjeshtë, as që do vlente të trajtohej, porse cështjet e strehimit social në Shqipërinë e tranzicionit asnjëherë nuk kanë qënë të thjeshta.
 Ato gjithmon kanë hapur probleme të mëdha dhe kanë përfshirë brenda vetes të gjitha karakteristikat e sistemit të vjetër, pa mundur të shkëputet prej tij. Sikurse atherë, administratat mundohen të privilegjojnë ‘njerëzit politikisht të tyre’. Që do të thotë, familjet që i mbështesin politikisht për të marrë dhe ushtruar pushtetin. Por edhe më shumë se kaq! Përzgjedhja e familjeve përfituese nga këto programe, si në atë kohë edhe tani, ka një dimension të fortë korruptiv. Kushdo që e ka jetuar atë kohë është koshient se cfarë trafiku interesash dhe të mirash (përfshirë paratë) kishte kur Komiteti Ekzekutiv shpërndante ato pak banesa të ndërtuara me punë vullnetare. Dhe jam shumë i sigurt që sot ndodh i njëjti trafikim interesash, në një proces ku teorikisht shoqëria ndihmon të pamundurit e vet. Në të vetmin projekt të strehimit social, që përtej vetmisë së tij, mbetet i konceptuar pa asnjë mbështetje në tabanin real në të cilin ndodhen cështjet urbane dhe të banesës në Shqipëri. A mundet të jetë i kontekstualizuar një projekt ndërtimi banesash kur në treg gjenden mijëra apartamente të ndërtuara por të pashitura?!
Qasja bolshevike-korruptive dhe konceptimi jashtë konteksi i këtij projekti, si element i një të gjithe kulturore të partitizuar, na “justifikojnë” në logjikë sjelljen e këshilltarëve të majtë e të djathtë për miratimin e listës pjesore të përfituesve. Mirëpo, nuk na i justifikojnë dot në moral dhe akoma më keq në ligjshmëri. Së pari nuk është e kuptueshme, pse administrata Basha e dërgoi listën e përfituesve të miratohej me vendim të Këshillit Bashkiak, kur ligji specifik nuk e kërkon një gjë të tillë? Mos vallë nga nevoja për të larguar përgjegjësi qeverisëse nga vetja? Së dyti, mirë që e dërgoi për miratim në një organ kolegjial, por pse e dërgoi në mënyrë të pjesshme? Mos vallë ishte e paaftë të identifikonte të gjitha nevojat e qytetit? Së treti, cfarë i bëri këshilltarët socialist të ndryshonin mëndje mbi miratimin pjesor të listës, përtej vendimarrjes partitiste? Mos vallë emrat në listë? Nuk i dimë përgjigjet, por më e pakta e sigurtë është se arsyet anojnë te paaftësia dhe pamoraliteti i burokratëve dhe përfaqësuesve! Megjithëse përgjigjet për këto pyetje dhe të tjera nuk janë të qarta, është një gjë që është e qartë si kristali.
Vendimi i gjithë-votuar i Këshillit Bashkiak Tiranë për miratimin e pjesshëm të listës së përfituesve është një vendim plotësisht i padrejtë! Jo pse pranuan të trajtojnë një cështje që nuk është në kompetencën e tyre. Kjo nuk ndikon në drejtësinë e vendimarrjes, megjithëse është e pakuptueshme vlera e një vendimarrje politike për nivelin faktik të nevojës për ndihmë të familjeve. Një familje është në nevojë aq sa dokumentat shtetërore e vërtetojnë, dhe këtu nuk ka asgjë për tu vlerësuar politikisht. As për shkak të emrave të përvecëm që përfituan, sepse nuk i njohim as ata dhe as nevojat e tyre. Porse, një garë e ndarë në lote, nuk siguron dot barazinë mes garuesve! Ky është problemi! Në garë nuk kanë hyrë të gjithë garuesit potencial sepse nuk kemi një regjistër përfundimtar të të pastrehëve të qytetit dhe numri apartamenteve për të cilat garohet nuk është gjithashtu i njëjtë me stokun e ndërtuar! Këtu lind padrejtësia! Sepse nuk mund të sigurohet barazi dhe drejtësi përzgjedhje të përfituesve kur garuesit garojnë në rrethana numerike të ndryshme, në kohë të ndryshme, për një trofe numerikisht të përcaktuar në mënyrë shteruese!

Comments

Popular posts from this blog

“DISTRIKTET INDUSTRIALE” DOMOSDOSHMËRI E AKTUALITETIT TË ZHVILLIMIT DREJT MODERNIZIMIT DHE GLOBALIZIMIT NË SHQIPËRI. Koha Jonë, 09.08.2011.

DËMSHPËRBLIMET SHTETËRORE DHE SIGURIMI I DETYRUESHËM VIJNË NGA E NJËJTA MENDËSI MAJTISTE! Mapo, 11. 12. 2017

INTERVISTE PER PLANIN E TIRANES. Gazeta Standart 24. 01. 2017